Normalizohet situata e Rey Manajt te Pescara. Sulmuesi shqiptar, pas pezullimit për sfidën me Romën për arsye disiplinore, ka nisur normalisht stërvitjen me skuadrën e parë nën urdhrat e trajnerit Massimo Oddo. Konfirmimi vjen nga kapiteni i Pescarës Ledian Memushajn, i cili sqaron nëpërmjet telefonit se gjithçka ka ndodhur i përket së shkuarës dhe se 19-vjeçari po përgatitet për ndeshjen e radhës.
“Situata është normalizuar që sot dhe gjithçka është si më parë. Manaj është i ri ka gabuar mund të gabojë sërish. Edhe unë kur kam qenë në moshën e tij kam patur raste që kam gabuar. Trajneri Massimo Oddo nuk i mban mëri, kështu që pezullimi ka qenë vetëm për ndeshjen me Romën. Unë e kam si një vëlla të vogël dhe gjithmonë i jap këshilla”, u shpreh Memushaj.
Ndaj verdhekuqve 29-vjeçari shënoi golin e parë në Serinë A, finalizim që fatkeqësisht nuk ishte mjaftueshëm për t’i dhënë pikë Pescarës. Memushaj ndihet i keqardhur që goli i tij nuk mori vlerën që meritonte.
“Ishte goli i parë në Serinë A dhe sigurisht që jam i gëzuar, por më vjen keq që goli im nuk u shoqërua me rezultatet pozitiv. E kisha humbur më parë një 11-metërsh ndaj Lazios pikërisht në portën ku i shënova Romës”, tha ai.
Pescara e nisi mirë sezonin, por humbjet radhazi e kanë komplikuar seriozisht situatën e saj në zonën e ftohtë të renditjes. Gjithsesi futbollisti i kombëtares shqiptare beson se ekipi i tij do të arrijë të mbijetojë.
“E kam të vështirë ta shpjegoj se çfarë po ndodh. Ndoshta edhe mungesat që kemi patur për arsye dëmtimi mund të kenë ndikuar. Megjithatë edhe skuadrat e tjera që renditen më lart se ne nuk janë të distancuara, kështu që kemi mundësi dhe besoj se do të arrijmë të qëndrojmë në Serinë A”, tha Memushaj.
Vendimin e Federatës Italiane të Futbollit për zhvillimin e ndeshjes së marsit mes Italisë dhe Shqipërisë në Palermo të Siçilisë, Memushaj e mendon të qëllimshëm, që të ketë sa më pak shqiptarë në stadium. “Po ta mendosh, ai stadium është i vetmi ku shqiptarët e kanë më të vështirë të jenë të pranishëm. Megjithatë, unë mendoj se mbështetja e tifozëve tanë nuk do të mungojë as në Palermo”, përfundoi Memushaj.