Një pëplasje e madhe ka ndodhur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku për të qetësuar situatën është thirrur për ndihmë policia.
Çështja “Shullazi” ka ndezur gjakrat mes prokurorëve me drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se për të qetësuar situatën Prela ka thirrur policinë.
Sipas burimeve, sherri ka ndodhur midis kryeprokurores së Krimeve të Rënda Donika Prela dhe një prej prokurorëve të çështjes “Shullazi”. Ndërkaq mësohet se Prokurorja Sonila Muhametaj kërkoi takim me kryeprokuroren e Krimëve, Prelën ditën e djeshme, por ajo e refuzoi, kjo ka qenë një nga arsyet që përplasja ka prekur edhe kreun e organit të akuzës. Më pas prokurorja Muhametaj e ka goditur me shpullë Donika Prelën.
Ndërkohë, sot është përcaktuar grupi i prokurorëve të Krimeve të Rënda që do të lexojnë pretencën e grupit kriminal të drejtuar nga Emiljano Shullazi.
Por emrat janë mbajtur të fshehtë nga ana e Prokurorisë, me qëllim eliminim e ndikimeve negative që mund të bëhen ndaj tyre.
‘Në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë përcaktohet grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.
Emrat e prokurorëve do të bëhen publikë në seancën gjyqësore të radhës’, thuhet në një njoftim të Prokurorisë së Përgjithshme.