Çështja u trajtua më shpejtësi nga Prokuroria e Posaçme e cila ka marrë në pyetje për rastin, pak javë më parë, si zotin Goro ashtu dhe zotin Gaçi, të cilët shmangën komentet për gazetarët. Sot u mësua se ndërkohë, mbi këtë sipërfaqe trualli, është vënë sekuestro preventive. Madje sipas zonjës Xhaçka e cila reagoi në rrjetet sociale, ndaj disa komenteve të ish kryeministrit Berisha, kjo masë është marrë po ashtu disa javë më parë “për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994”, shkruajti ajo duke shtuar se nuk ka dyshime mbi qëllimin e Prokurorisë së Posaçme e se nuk ka pse ta komentojë.
Ndërtimi i një hoteli me 5 yje, nga zoti Gaçi, u bë objekt polemikash pasi kompania e tij mori statusin e investitorit strategjik, duke u tërhequr disa muaj më vonë, pasi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me një kompani të paraqitur si amerikane dhe me përvojë, por që në të vërtetë, ishte themeluar nga e fejuara amerikane e vëllait të zonjës Xhaçka, dhe pa ndonjë eksperiencë në fushën e turizmit.
Ky rast, u bë shkak edhe për vënien në diskutim të mandatit si deputete të zonjës Xhaçka. Ishte opozita ajo që pretendoi se bëhej fjalë për konflikti interesi, duke qenë se kompania e zotit Gaçi përmes statusit të investitorit strategjik, përfitonte shfrytëzimin e bregdetit. Ndonëse shumica nuk pranoi dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit e konsideroi të gabuar vendimin, dhe i ka kërkuar parlamentit që t’ja përcjellë asaj rastin, si i vetmi autoritet që mund të vlerësojë pavlefshmërine ose jo të mandatit të një deputeti. Por ndonëse Gjykata është shprehur që në muajin Janar, parlamenti nga ana e tij po e zvarrit procedurën dhe çështja është ende pezull./VOA