Tre ekspertë arkeologë do të vendosin, se cila do të jetë e ardhmja e projektit “Veliera”, punimet për ndërtimin e së cilës kanë filluar para një viti në Durrës, por përfaqësues të shoqërisë civile u ankuan për një shtyrje të re të gjyqit, të cilat i quajtën të pajustifikuara. Gjykata Administrative miratoi listën e tre ekspertëve të pavarur, të cilët do të verifikojnë dëmtimet e mundshme në fortifikimet e zbuluara para një viti, si dhe rreziqet që mund të sjellë për sheshin vepra publike, që po ndërtohet me një buxhet prej 6 milionë dollarë nga Bashkia e Durrësit. Në të njëjtën kohë gjykata pranoi kërkesën e Bashkisë së Durrësit për një shtyrje tjetër të afatit, për t’u lënë kohë ekspertëve të caktuar nga Prokuroria e Rrethit, në procesin paralel që po zhvillohet në Gjykatën e Shkallës së Parë. Kundër këtij vendimi ishin përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët i kujtuan gjyqtarit Ergys Gashi, se ata kishin depozituar kërkesën e pamarrë parasysh për hetimin teknik me anë të ekspertëve që nga 2 shtatori. Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile insistojnë se dy çështjet që po shqyrtohen paralelisht në dy gjykatat dhe që kanë vendosur përballë të njëjtat palë janë krejtësisht të ndryshme. “Njëra trajton në themel çështjen e legjitimitetit të projektit Veliera, ndërsa në Gjykatën e rrethit synohet të vendoset për dëmet e shkaktuara në zonën arkeologjike A, pikërisht aty ku ku u zbuluan muret fortifikuese mesjetare dhe elementë të ndryshëm arkeoologjikë”, tha Jorgo. Edhe në këtë rast në sallë mungonin përfaqësuesit e palëve të treta në proçes, nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve deri te agjencitë dhe drejtoritë rajonale të mjedisit dhe kulturës. Punimet në në lulishten para godinave të Drejtorisë së Portit Detar të Durrësit për zbatimin e projektit të shumëdiskutuar “Vela”, që më pas u njoh me emrin “Veliera”, nisën 12 muaj më parë. Në projekt, bashkë me shëtitoren pedonale, bashkia synonte edhe zgjidhjen e problematikën e qarkullimit të automjeteve në pjesën më të ngarkuar gjatë sezonit turistik. Shoqëria civile, shumë e ndjeshme që në momentin e parë, e konsideroi zbulimin gjatë punimeve të mureve fortifikuese mesjetare, si një mundësi për ta bllokuar vazhdimin e punimeve dhe me kallëzimin penal të 2 shkurtit 2017 e paditi Bashkinë e Durrësit për “Ndërtim të paligjshëm”. Një muaj më vonë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi “sekuestrimin preventiv,…duke mos lejuar vazhdimin e punimeve për pjesën e projektit që shtrihet në zonën A” të rriskut arkeologjik në Durrës. Megjithë ankimimin e Bashkisë së Durrësit, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë gjeti mbështetjen e Gjykatës së Apelit, i cili e la në fuqi atë. Ndërkohë prej gati një viti dy procese paralele zhvillohen në Gjykatën e Durrësit. Një në Gjykatën e Shkallës së Parë ku po shqyrtohet padia për dëme të shkaktuara mbi muret mesjetare dhe zonën arkeologjike, dhe një në Gjykatën Administrative, ku shoqëria civile shpreson të zhbëjë projektin.