Nga Erl Kodra
Shqipëria ka probleme serioze që lidhen direkt me ekzistencën e saj. Domethënë, ajo nuk ka vetëm probleme menaxhimi të keq ekonomik, probleme korrupsioni dhe zbatimit të ligjit. Këto lloj problemesh i ka çdo shoqëri. Të jeni të sigurtë se korrupsion ka edhe në Gjermani, se në Itali dhe Greqi as që vihet në pikëpyetje. Por hallet e Shqipërisë janë aq të thella dhe serioze, sa ne rrezikojmë në të ardhmen e afërt një kolaps total si shoqëri. Kjo do të thotë se në rrezikojmë të shkojmë drejt një humnere të pa imagjinueshme, që nuk është parë në të gjithë Historinë tonë si shtet sovran dhe i pavarur.
Le t’i marrim me rradhë arsyet pse arrihet në këtë përfundim.
1. Shqipëria po plaket dhe po shpopullohet. Konstatimi vjen nga Banka Botërore, ku shprehet se trendi i plakjes së popullsisë po krijohet nga normat e ulëta të fertilitetit të shoqëruara me emigracion të lartë. Shkalla e fertilitetit rajonal ra nga 3.9 në 1.6 fëmijë për grua gjatë 1965 deri në kohët e sotme. Emigracioni parashikohet të vazhdojë dhe të reduktojë popullsinë.
Rënia në raport me pritshmëritë ka qenë më fatale për grupmoshën 0-15 vjeç. Në të kundërt, të moshuarit po rriten me shpejtësi. Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 18.8% të totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011.
Emigracioni masiv që mendohet të jetë diku mes 200 deri 300 mijë shtetas shqiptar, veçanarisht gjatë tre viteve të fundit ka tronditur thellë stabilitetin socialo- ekonomik të shoqërisë shqiptare. Kjo është një spirale e frikshme që gjeneron pasiguri të thellë, ulje të konsumit, ulje të prodhimit, që nga ana tjetër kjo gjë në vetvete thellon frikën për të ardhmen e familjeve të reja, të cilat nuk e planifikojnë jetën në këtë vend. Për pasojë, familjet e reja lindin më pak, investojnë më pak, konsumojnë më pak, fundja pse duhet të sjellësh në jetë një qenie njerëzore, nëse nuk ke asnjë siguri për të ardhmen?
2. Varfëria e thellë e më shumë se 500 mijë shqiptarëve është faktori i tjetër që po shkatërron të ardhmen tonë. Në të vertetë, ulja e varfërisë pothuaj për të gjitha qeveritë shqiptare ka qenë thjeshtë një slogan elektoral pa thelb dhe substancë. Në një vend me vetëm 2.8 milion banorë sipas Censusit të vitit 2011, me një numër kaq të madh popullsie që jeton në varfëri ekstreme, çdo diskutim për mirëqenie dhe të ardhme, integrime dhe reforma është mirëfilli një tallje e paskrupullt. Familje të tëra të paushqyera, fëmijë anemik që kanë lindur të tillë, me mungesa të thella në vitamina dhe proteina, vazhdojnë të mbijetojnë kryesisht nëpër periferitë e qyteteve dhe në fshatrat e vendit. Të mbash frymën gjallë me vetëm 1 dollarë në ditë është më shumë se mjerim. Në thelb ky është gjenocid. Duhet ta përsëris edhe njëherë. GJENOCID.
3. Kriminalizimi i shoqërisë këto vitet e fundit është faktori tjetër që e ka ulur në gjunjë shpresën e shqiptarëve. Kultivimi dhe trafikimi masiv i drogës nën mbikqyrjen dhe menaxhimin direkt të Policisë së Shtetit dhe Ministrit të Brendshëm ka kriminalizuar një numër tepër të madh të popullsisë më vitale të shoqërisë tonë. Është gati e pabesueshme të kuptosh përmasat e katastrofës kombëtare që ka ndodhur gjatë viteve 2015 – 2016 – 2017 me kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri. Sipas disa të dhënave të besueshme nga ekspert të fushës, 50.000 deri në 70.000 shtetas shqiptarë janë marrë me biznesin e “legalizuar” nga Qeveria e Edi Ramës gjatë këtyre viteve. Të gjithë të rinjë, të gjithë nën ethet e “Arit Jeshil”. Një pjesë e mirë e tyre, në lulen e rinisë dergjen burgjeve të vendeve të Bashkimit Evropian. Një ushtri e tërë me “kriminel” të bërë nga halli.
4. Ekonomia kombëtare është kthyer totalisht në funksion të një lloj Mafie që nuk është parë në asnjë vend të botës. Kryeministri Edi Rama, “ligjërisht” dhe hapur, pa iu dridhur dora as qerpiku, paratë e Buxhetit të Shtetit, thjesht ua shpërndanë nëpër llogaritë e bizneseve një grupi individësh. Shkurt dhe shqip, shumica e këtyre parave përfundojnë në llogari sekrete jashtë Shqipërisë. Fakte dhe dokumenta sekrete, me përmbajtje të zezë ku implikohen ministra dhe biznesmen të lidhur direkt me Edi Ramën provojnë se gropat në sektorët kyç të ekonomisë kombëtare kanë për ideator dhe menaxher Kryeministrin Kumbarë, Edi Rama. Këto të dhëna tashmë janë prova e patjetërsueshme se Edi Rama punon kundër interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe është pengu real i Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.
Këto janë arsyet themelore, për mua ekzistenciale, pse shqiptarët janë ngritur në protesta, në mbrojtje të ardhmes për fëmijët e tyre. Fundja, ky është Atdheu ynë, dhe në s’kemi pse kërkojmë një Atdhe tjetër, sa kohë që për ata gurë e dhê kemi po aq të drejta dhe detyrime, sa çka Kryeministri Edi Rama.