Çështjet ligjore ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump, hyjnë në terren të panjohur

Në maj, ish-presidenti Donald Trump u shpall fajtor për 34 akuza lidhur me falsifikimin e të dhënave të biznesit për të mos lejuar bërjen publike të informacioneve që mund të dëmtonin shanset e tij në zgjedhjet e vitit 2016. Shpallja e dënimit u shty deri pas zgjedhjeve, por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Tina Trinh, tani që ai është president i zgjedhur, ajo që ndodh më pas është më pak e qartë.

 

A do të dënohet Presidenti i zgjedhur Donald Trump për krimet e tij? Është një pyetje që mbetet pa përgjigje ndërsa gjykatësi në Nju Jork, Juan Merchan, konsideron rrethanat e jashtëzakonshme kur një ish-president amerikan, i shpallur fajtor për vepra penale, është gjithashtu edhe presidenti i ardhshëm.

Në maj, zoti Trump u shpall fajtor për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur pagesat ndaj ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, për të parandaluar bërjen publike të një skandali seksual përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Dhënia e dënimit për të është shtyrë disa herë dhe fitorja e tij në zgjedhje në fillim të këtij muaji krijon paqartësi të mëtejshme mbi procedurat ligjore.

“Thelbi është të zbulohet se ç’do të ndodhë me dënimin për zotin Trump: A do të jepet përpara se ai të marrë detyrën, pasi të marrë detyrën, apo nëse çështja e tij do të mbyllet tërësisht”, thotë Prof. Anna Cominsky e Universitetit Juridik të Nju Jorkut.

Ekipi mbrojtës i zotit Trump argumenton se një vendim historik i Gjykatës së Lartë në korrik i jep atij imunitet presidencial dhe se çështja duhet të pushohet tërësisht.

Por Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, po argumenton se juria arriti në një vendim fajësie përpara vendimit të Gjykatës së Lartë dhe se zoti Trump nuk ishte president në atë kohë. Në një letër drejtuar gjykatësit, ai shkruan se prokurorët do të kundërshtojnë përpjekjet për të pushuar çështjen, por se janë të hapur për shtyrjen e dënimit deri pas mandatit të zotit Trump.

“Nëse Juan Merchan e pranon sugjerimin e prokurorëve si një mundësi, atëherë ai do të angazhohej në atë që mund të quhet një shtyrje të arsyeshme e procedurës në dritën e rrethanave të jashtëzakonshme pasi i pandehuri u zgjodh president dhe çështja do të shtyhet deri në vitin 2029, pasi Donald Trump të largohet nga presidenca”, thotë Prof. Claire Finkelstein e Universitetit të Pensilvanisë.

Çështja e dhënies së parave në këmbim të heshtjes nuk është e vetmja me të cilën përballet presidenti i zgjedhur. Sipas njoftimeve, dy çështje federale të ngritura nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith, njëra për marrjen e dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago dhe tjetra për ndërhyrje në zgjedhje, janë drejt mbylljes në përputhje me një praktikë të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilës presidentët në detyrë nuk mund të akuzohen për vepra penale Megjithatë, një çështje për ndërhyrje në zgjedhje në shtetin e Xhorxhias, nuk bie nën juridiksionin federal.

“Teknikisht, shteti i Xhorxhias është i lirë të vazhdojë pa pengesa nga politika e Departamentit të Drejtësisë. Por praktikisht a do të munden ata të vazhdojnë me çështjen dhe të kenë shpresa tek bashkëpunimi i Donald Trump-it, që në fakt do të thoshte bashkëpunim i Shtëpisë së Bardhë për të vazhduar me gjyqin, ndërsa i pandehuri është president i Shteteve të Bashkuara?”, ngre pyetjen Prof. Finkelstein.

Rrethana të pashembullta kanë krijuar një terren të panjohur ligjor..VOA/

Exit mobile version