Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, raportoi dje përpara Komisionit Hetimor për hetimin e marrëveshjes së qeverisë shqiptare me CEZ-in. Leskaj u shpreh se rreth një vit më parë, ka qenë KLSH institucioni që ka paditur në Prokurori aferën, sipas tij, të dëmit që i ishte shkaktuar buxhetit të shtetit në shifrën 479 milionë euro. “Unë e kam bërë denoncimin para një viti. KLSH në këtë auditim normal që ka zhvilluar, nuk ka gjetur asnjë gjurmë dokumentesh që të tregonte se çfarë kishin palët mes njëra-tjetrës. Duhet të ishte kolegjial dhe transparent në çdo hallkë të tij. Janë 15 faqe letër nga auditi që kanë konfirmuar shtyrje afatesh memorandume bashkëpunimi. Duke i vlerësuar pyetjet e deputetëve dhe duke shprehur respektin tim për ju do i përgjigjem pyetjeve. Nuk do keni komente që të dalë jashtë kostumit zyrtar”, tha Leskaj. Ai tha se rreth 63 milionë lekë u janë paguar ekspertëve. “Raportet e ekspertëve nuk u morën në konsideratë nga rekomandimet, ne si institucion morëm vetëm komente politike. Deklaratat e mia janë jashtë çdo konteksti politik. “Mungon dokumentacioni për ERE-n në këtë marrëveshje. Dokumentacioni duhet të ishte në dosje. Nëse na kërkohet të auditojmë ERE-n, do ta bëjmë”, tha Leskaj. Sipas Leskajt, Këshilli i Ministrave ka pasur dy variante për zgjidhjen e marrëveshjes me CEZ, atë me ndjekjen e çështjes në arbitrazh dhe varianti i dytë ai për zgjidhjen e çështjes me negociata. “Në krahasim të të dy varianteve të KM, KLSH nuk mund të shprehet me siguri të plotë, se ne nuk auditojmë politika. Kjo është përgjegjësi e Këshillit të Ministrave. KLSH nuk mund të shprehet me siguri të plotë mbi suksesin e variantin e parë me atë të dytë, për zgjidhjen e marrëveshjes me CEZ a.sh. Bëhet e ditur se pala paditëse ka kërkuar 1 miliard euro dëmshpërblim. Për të evituar çdo lloj keqkuptimi, të dyja variantet si ai përmes proceseve gjyqësore në arbitrazh, dhe ai nëpërmjet negociatave, janë variante të ligjshme”, tha Leskaj. Ai pohoi se para një viti kishte denoncuar në Prokurori aferën, ndërsa tha se duhet të ishte thirrur në Kuvend kohë më parë në lidhje me këtë denoncim të bërë 1 vit më parë. Teksa u ndal tek auditimi që i është bërë CEZ, ai bën me dije se auditi nuk ka qenë për politikat, por për zbatimin e procedurave. Ndër të tjera Leskaj tha se procesi duhet të ishte i mirëdokumentar, pasi ishin vetëm 15 faqe letre. “Nuk jam unë dëshmitari, por denoncuesi i aferës korruptive. Dua të theksoj se, në përgjigjet e pyetjes jemi përmbajtur të jemi konçiz. Është e mira që edhe qytetarët shqiptarë, se KLSH dhe unë në këtë auditim nuk kanë ndikuar politikat e qeverisë, por politikat e auditimit. Ndaj është për të ardhur keq, madje edhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të më dëgjonte mua për këtë denoncim, pasi unë e kam bërë denoncimin para një viti. KLSH në këtë auditim normal që ka zhvilluar, nuk ka gjetur asnjë gjurmë dokumentesh që të tregonte se çfarë kishin palët mes njëra-tjetrës. Duhet të ishte kolegjial dhe transparent në çdo hallkë të tij. Janë 15 faqe letër nga auditi që kanë konfirmuar shtyrje afatesh memorandume bashkëpunimi. Duke i vlerësuar pyetjet e deputetëve dhe duke shprehur respektin tim për ju do i përgjigjem pyetjeve. Nuk do keni komente që të dalë jashtë kostumit zyrtar”, tha Leskaj.
Shkeljet abuzive të Gjiknurit për aferën me CEZ
Kontrolli i Lartë i Shtetit i kushtoi një rëndësi të veçantë abuzimeve korruptive për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit me kompaninë CEZ. Në raportin e Kontrollit të Lartë i Shtetit thuhet se, Ministria e Energjisë dhe grupi i punës që negocioi dhe më pas arriti marrëveshjen për zgjidhje me mirëkuptim të konfliktit me kompaninë CEZ, për mungesë transparence.
“Nga auditimi rezultoi se, negociatat janë zhvilluar në kushtet e mungesës së dokumentacionit të nevojshëm, përfshirë procesverbalet e mbledhjeve të grupit të punës, mbi bazën e të cilit të mund të evidentohej dhe gjykohej në lidhje me punën e bërë nga ana e grupit të negocimit”, thotë KLSH në Buletinin Vjetor të Kontrolleve për vitin 2015. Në marrëveshjen e arritur pas negociatave dypalëshe, shteti shqiptar hoqi dorë nga çdo pretendim ndaj CEZ dhe mori përsipër t’i paguante kompanisë çeke 95 milionë euro si dëmshpërblim edhe pse kompania ishte nën akuzë për abuzime dhe mosrespektim të kontratës së privatizimit. Konflikti mes Shqipërisë dhe CEZ kulmoi në janar të vitit 2013, kur Enti Rregullator i hoqi licencën kompanisë çeke për shkak të ndërprerjes së energjisë në ujësjellësat. Pas heqjes së licencës, CEZ e paditi Shqipërinë në arbitrazh. Qeveria e atëhershme kontraktoi një studio të njohur avokatore për të përgatitur mbrojtjen e Shqipërisë në arbitrazh, por pas rrotacionit, me ardhjen në pushtet të qeverisë së majtë konflikti mori një tjetër drejtim. Menjëherë sapo erdhi në pushtet, qeveria e majtë ngriti një grup të posaçëm pune për të negociuar marrëveshjen me CEZ. Në krye të grupit u vendos ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, por në përbërje të tij kishte përfaqësues të Kryeministrisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Avokaturës së Shtetit. Sipas KLSH, asnjë nga mbledhjet e grupit nuk është e dokumentuar dhe mungesa e këtij dokumentacioni e bën të pamundur vlerësimin se si ky grup, ka mbrojtur interesat e shtetit shqiptar. “Në mungesë të dokumentacionit është e pamundur të vlerësohen argumentat dhe kundër argumentat e dhëna për pranimin apo refuzimin e pretendimeve të CEZ a.s nga ky grup si dhe qëndrimin karshi pretendimeve të mëparshme të shtetit shqiptar, analizën e provave, dokumentacionit dhe ekspertizës së dhënë nga ekspertët e huaj të kontraktuar”, thotë KLSH. Pas analizës së informacioneve dytësore, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në përfundimin se me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje Mirëkuptimi, shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 479 milionë euro. Ky dëm, sipas KLSH, është pasojë direkte e veprimtarisë dhe vendimmarrjes së vetë Grupit të Punës. “Është ky grup, i cili i ka relatuar Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë miratimin e kësaj marrëveshjeje, duke u dakordësuar për pagesën e huave në shumën 95 milionë eurosh (hua të pa verifikuara), pagesë që nga ana tjetër shërbeu që shteti të marrë përsipër detyrimet e një keqmenaxhimi disavjeçar prej 384 milionë euro të një shoqërie që u drejtua drejt falimentimit me një qëllim të verifikuar”, përfundon KLSH.