Nga Sali BERISHA
“Hajdut Gjiknuri, guruja i korrupsionit të tenderit 70 milionë euro dhe guruja i madam Gjiknurit! Reagim i fuqishëm i autoriteteve të Francës ndaj hajdutërisë së qeverisë shqiptare.
Miq, një hetim i guximshëm i gazetarit investigativ zbulon lidhje klamoroze në aferen korruptive prej 70 milionë euro të parkut solar të Vlorës të Hajdut Gjiknurit dhe të të njëjtit zyrtar të BE, që së bashku me Ramën dhe Gjiknurin firmosën me ÇEZ kontratën me te cilën ju grabitën shqiptarëve 3.2 miliardë euro. Lexoni shkrimin dhe shikoni dokumentat e gazetarit investigativ publikuar në Hashtag.al”, shkruan Berisha në reagimin e tij.
LOJA 70 MLN EURO – Çfarë dinë shërbimet franceze për lidhjen Gjiknuri-Kopac?
Disa telefonata të bëra nga “Champs Elysee” drejt autoriteteve qeveritare shqiptare, sugjerojnë se qeveria franceze dhe shërbimet e sigurisë të këtij vendi, po kërkojnë zhbërjen e një tenderi të dyshimtë, për të cilin ata bëjnë direkt përgjegjës ish-ministrin Damian Gjiknuri dhe një zyrtar të komunitetit të energjisë në BE, të quajtur Janez Kopac.
Le ta shpjegojmë historinë nga fillimi.
Në vitin 2018, qeveria shqiptare zhvilloi një tender ndërkombëtar për ndërtimin e parkut fotovoltaik (energji diellore) të Akërnisë, në Vlorë.
Në tender morën pjesë 6 kompani ndërkombëtare, mes tyre dhe një grup biznesi francez.
Pas përfundimit të garës, ministria e Energjisë e cila asokohe drejtohej nga Gjiknuri, shpalli fituese ofertën e kompanisë energjitike indiane “India Power Corporation” e cila kishte hyrë në këtë garë nëpërmjet një joint-venture me dy kompani ndihmëse me origjinë të paqartë. (lexo këtu)
Grupi francez që hyri në këtë garë, kishte marrë në mënyrë informale garancitë nga Gjiknuri se në këtë garë nuk do të kishte fitues të paracaktuar dhe se procedura do të filtronte ofertën më të mirë teknike dhe ekonomike.
Por francezëve u rezultoi ndryshe. U rezultoi se gara ishte e trukuar.
Janë dy të dhëna që orientuan trukimin:
a) Kompania Midami ltd, e regjistruar në Hong Kong, në joint-venture me kompaninë fituese indiane, rezulton si entitet biznesi i kamufluar, me pronarë të panjohur, e që dyshohet se është futur në lojë si siguresë për ujdinë e fshehtë për trukimin e garës. Kompania “Midami ltd”është krijuar në Hong Kong në vitin 2015 dhe është zyrtarisht përfaqësuese e shitjeve në Azi, e një koorporate ruse të lëndëve petrokimike në pronësi të biznesmenit rus Yakov Goldovsky.
Ky i fundit njihet për lidhje të dorës së parë me zyrtarë të rëndësishëm të institucioneve të energjitikës në Bashkimin Evropian.
Kompania Midami ltd, njihet si përfaqësuese e autorizuar shitjesh për produktet e Goldovskyt në Azi, por nuk është verifikuar se kush janë aksionarët dhe poseduesit e saj, nëse janë në ortakëri me Goldovskyn, apo janë shqiptarë, apo janë të tjerë të panjohur, apo janë të ndërthurur mes tyre.
b) CEZ-Kopac-indianët
Janez Kopac është drejtues i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Bashkimin Evropian.
Ai është një mbështetës i paepur i Gjiknurit, i vetmi zyrtar i huaj që shprehu pikëllim të thellë ditën kur Gjiknuri u shkarkua si ministër i Energjisë me firmë të Edi Ramës.
Lidhja Kopac-Gjiknuri nisi të konsolidohej në vitet 2014-2015, në kohën kur Gjiknuri po bënte tratativa me kompaninë CEZ, për dëmshpërblimin e kësaj të fundit me mirëkuptim.
Janez Kopac, erdhi në Tiranë dhe loboi fuqishëm tratativat dhe bëri thirrje në mënyrë të përsëritur se problemi me CEZ nuk duhej të shkonte në arbitrazh por palët duhej të gjenin një zgjidhje në tavolinë. (lexo këtu dhe këtu)
Më pas Kontrolli i Lartë i Shtetit e gjeti marrëveshjen 600-milionëshe me CEZ si të dëmshme për interesin e shtetit shqiptar.
Janez Kopac, ushtroi një ndikim të fortë që të arrihej ujdia me CEZ, ai posedonte lidhje direkte me pronarët e fuqishëm të kompanisë CEZ dhe loboi në interesin e tyre, njëherësh u miqësua dita ditës dhe me Gjiknurin në këtë periudhë.
Por Kopac ka qenë aktiv dhe në mbështetjen e projektit 70 milionë euro për parkun foto-voltaik të Vlorës. Nëpërmjet disa deklaratave ai ka mbështetur realizimin e këtij tenderi dhe e konsideroi sukses zhvillimin e tij, pasi u shpall fituese kompania indiane “India Power Corporation”.
Rezulton se kompania indiane “India Power Corporation” ka dy aktivitete kryesore në Evropë.
E para është aktiviteti i punës që siguroi në Shqipëri, për ndërtimin e parkut fotovoltaik.
E dyta është synimi që ka kjo kompani për të hyrë në tregun bullgar të energjisë.
Por si do hyjë në këtë treg?
Raportimet nga media bullgare informojnë se kompania indiane është në tratativa me kompaninë CEZ në Bullgari me qëllim që t’i blejë asaj aktivitetin e biznesit. (lexo këtu)
Duket se indianët operojnë vetëm në ato tregje ku kanë ndikim miqtë e Janez Kopac, në Bullgari me miqtë e tij të CEZ dhe në Tiranë, me mikun e tij Gjiknuri.
Një burim i mirëinformuar i tha Hashtag.al, se janë pikërisht këto lidhje të cilat janë gjurmuar dhe investiguar në mënyrë më të detajuar nga autoritetet franceze, që kanë sjellë reagimin e tyre.
Francezët kanë kërkuar zhbërjen e tenderit 70 milionë euro për parkun fotovoltaik të Vlorës, duke e konsideruar të trukuar dhe të dyshuar si korruptiv, ndërsa Gjiknurin e dyshojnë si një ministër të zhdërvjelltë që ka arritur të lidhë interesat e veta me ato të Kopac duke i lënë “peshqesh” kryeministrit Rama një faturë jo të vogël politike në raport me francezët. /Hashtag.al