Çfarë do ta detyronte Rusinë të ulej në tryezën e paqes me Ukrainën?

Nga Gabriel Elefteriu

Ndërsa situata e Ukrainës po bëhet gjithnjë e më e pasigurt, ka ardhur koha për t’u përballur me më të rrezikshmin nga iluzionet e shumta që ushqen komuniteti i strategëve perëndimorë në lidhje me këtë luftë:konceptin se paqja është një dhuratë, të cilën Ukraina dhe Perëndimi duhet ta “ofrojnë”, ndërsa Rusia duhet ta “pranojë”.

Ka pasur një periudhë, ndoshta nga mesi i vitit 2022 deri në fundit e 2023-shit, kur ky iluzion u duk si një propozim i arsyeshëm. Ukraina kishte bërë të pamundurën dhe i mbijetoi sulmit fillestar rus. Më pas u hodh me shpejtësi në kundërsulm – e ndihmuar nga dërgesat e mëdha me armë, veçanërisht sistemin raketor amerikan HIMARS – duke i sprapsur rusët në Kharkiv dhe Kherson.

Prestigji i ukrainasve trima dhe i vetë presidentit Zelensky ishin në kulm. Gati e gjithë bota perëndimore ishte e mobilizuar në mbështetje të tyre. Sanksionet e vendosura menjëherë ndaj Rusisë pas 24 shkurtit 2022, po forcoheshin më tej duke krijuar sistemin më të fortë të sanksioneve të parë ndonjëherë.

Ukraina ishte në lëvizje dhe e ruajti iniciativën ushtarake. Një “kundërsulm” i madh u përgatit dhe nisi në verën e vitit 2023 kundër linjës Surovikin. Raportimet mediatike dhe analizat e shërbimeve të inteligjencës së mbrojtjes në Perëndim, i kishte siguruar të gjithë se ushtria ruse ishte një bandë pijanecësh dhe se asaj po i mbaronin raketat.

Së shpejti, do t’i mbaronin edhe tanket e epokës sovjetike. Mund të rekrutonte ushtarë të tjerë, por kishte pak oficerë për t’i trajnuar siç duhet. Më e rëndësishmja:ekonomia ruse ishte gati të hynte në kolaps, dhe të gjitha ato sanksione do ta bënin të pamundur prodhimin e kohës së luftës.

Rusia dukej se ishte e gjunjëzuar në çdo sektor dhe fundi i Putinit ishte i afërt. Prigozhin dhe trupat e tij të Grupit Wagner ishin në konflikt të hapur me Shoigu dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Kur ata nisën marshimin drejt Moskës në qershor 2023, të njëjtët analistë na siguruan se Putini nuk mund të mbijetonte në krye të Rusisë edhe për shumë kohë.

Se elitat dhe shoqëria ruse, do të ktheheshin kundër tij për shkak të “kostove të larta” të luftës. Dhe për atë kohë, këto pritshmëri dhe analiza nuk ishin tërësisht absurde. Në atë periudhë, para nesh kishte ende një botë alternative, në të cilën Ukraina mund të kishte fituar avantazhin dhe ta detyronte Rusinë të ulej në tryezën e negociatave.

Ajo do të ishte një botë e ndihmave të qëndrueshme dhe në rritje të perëndimorëve në para dhe armë. Por edhe e një qeverie ukrainase më funksionale, dhe në gjendje të përmirësonte rekrutimin dhe trajnimin e forcave. Dhe më e rëndësishmja, ishte një e ardhme ku rusëve po mbaronin rezervat e vjetra, dhe po pësonin kaq shumë viktima saqë nuk mund t’i zëvendësonin dot.

Në fakt, ajo botë nuk u kurrë realitet. Supozimet dhe pritshmëritë politike që lidhen me të, janë ende të gjalla. Por ideja e shumë-përhapur se Putin bëri një “gabim” të tmerrshëm (nga këndvështrimi rus) duke e pushtuar Ukrainën, se lufta është një katastrofë për Rusinë, saqë ajo po kërkon dëshpërimisht një rrugëdalje, nuk përputhet me faktet në terren.

Aktualisht, tendencat dhe situatat janë krejtësisht e kundërta. Tani është e qartë se kundërsulmi i Kurskut ka qenë një gafë ushtarake serioze, ashtu si mbrojtja e kushtueshme e qytetit Bakhmut. Ai dështoi në tërheqjen e njësisë të shumta ruse nga Donbasi, duke mos e ngadalësuar dot përparimin e tyre atje. Ndërsa deri më tani ka konsumuar burime të çmuara të ushtrisë ukrainase.

Ushtria ruse po përparon në shumë akse në të gjithë Donbassin. Po ashtu, ajo e ka shtuar prodhimin e saj në mbrojtje, pasi ka kaluar me shumë sukses në një ekonomi lufte që në fakt po krijon rritje ekonomike. Putin ka siguruar shumë ndihma ushtarake nga Irani dhe Koreja e Veriut.

Në terren, rusët kanë kapërcyer shumë nga mangësitë e tyre fillestare, kanë mësuar nga gabimet dhe i janë përshtatur mirë situatave. Edhe disa nga mbështetësit më besnikë të Ukrainës, e pranojnë shkallën serioze të problemit, pra kombinimin e dështimeve të Ukrainës me nivelin e pamjaftueshëm të ndihmës nga ana e Perëndimit.

Në këto kushte, është realisht e habitshme sesi analistët perëndimore flasin dhe debatojnë mbi çështjen e “negociatave të mundshme të paqes” me Rusinë në të njëjtat terma me ato të viteve 2022-2023, kur Ukraina ishte relativisht në gjendjen e saj më të fortë. Pra duket sikur asgjë nuk ka ndodhur që nga ajo kohë.

Presidenti Zelensky i përmbahet ende “formulës së tij të paqes” prej 10 pikash me kërkesa maksimaliste (përfshirë gjyqet ndërkombëtare ndaj kriminelëve rusë të luftës, dhe rivendosjen e kufijve të vitit 1991), dhe tani po promovon një “plan të ri të fitores” (përfshirë anëtarësimin e vendit të tij në NATO) që është njëlloj i shkëputur nga realiteti.

Në fakt, ka ardhur koha që të gjithë udhëheqësit përgjegjës dhe politikë-bërësit të përballen me pyetjet e vështira, dhe të nisin të japin disa përgjigje të bazuara tek realiteti dhe jo tek fantazitë. Për shembull, si ta pengojmë Rusinë që të vazhdojë të përparojë dhe të shkatërrojë Ukrainën, sipas tendencës aktuale?

Teksa vendi është transformuar në një bazë të armatosur, me një ekonomi të varur nga prodhimi ushtarak, me një ushtri në zgjerim të plotësuar nga kontigjente të huaja – qofshin ato edhe nga Koreja e Veriut – Rusia mund ta vazhdojë për vite me radhë këtë luftë rrënuese.

Nëse Rusia do të ndalet përmes forcës ushtarake, nga do të vijnë ushtarët, armatimet dhe fondet e nevojshme? Makineria ushtarake ruse është më e madhe dhe më e aftë tani sesa në fillim të luftës. Apo zgjidhja mund të jetë përshkallëzimi i konfliktit nga ana e Perëndimit, në formën e trupave të NATO-s që zbarkojnë në Ukrainë, apo të paktën duke e lejuar Kievin të përdorë armët më të mira të aleancës për të sulmuar vetë Rusinë?

Përveç rrezikut të një Holokausti Bërthamor dhe krizës politike midis vendeve perëndimore, problemi është se Rusia mund të kundërpërgjigjet në mënyrat e veta, nga sulmet në hapësirë ​​deri te “apokalipsi” nëpër qytetet evropiane. Me ndihmën e Kinës dhe Iranit, Rusia është bërë shumë efektive në frenimin e Perëndimit në terma realë, dhe jo imagjinarë.

E pse do të bien dakord rusët për negociata, kur ata janë duke fituar? Çfarë mund t’i ofrojë Ukraina? Deklarata më e fundit publike e Putinit mbi kushtet e tij për paqen në qershor të këtij viti, nuk lë asnjë hapësirë ​​për negociata, të paktën për momentin.

Qëndrimi i tij ishte një kërkesë për kapitullim, në të cilën shkëputja e plotë e 4 rajoneve nga Ukraina – nga Kharkiv në Kherson – do të ishte parakushti për një armëpushim. Më pas do të vinin të ashtuquajturat “negociata”, ku në listë janë “de-militarizimi dhe de-nazifikimi” i Ukrainës.

Ideja se ndoshta mund t’i rikthehemi “Marrëveshjes së Stambollit” të marsit 2022, është krejtësisht jorealiste në praktikë, për shkak të mungesës së ndonjë perspektive të qartë të një ringjalljeje të madhe të ushtrisë ukrainase. Në këto kushte, ai s’ka me kë të flasë.

Dhe kjo është një qasje krejtësisht racionale nga ana e Putinit:Rusia ka investuar shumë në këtë aventurë, lufta është bërë shumë e madhe, dhe sundimtari i Kremlinit nuk mund kënaqet me çdo lloj kompromisi, përpara se të detyrohet nga ushtria apo kriza ekonomike që të tërhiqet, dhe asnjëra prej këtyre të fundit nuk duket të jetë e afërt.

Por nëse Rusia nuk mund të ndalet as me forcë, as me negociata, atëherë cili është fundi i lojës? A çon trajektorja e tanishme në shembjen e frontit dhe rrjedhimisht të shtetit ukrainas, teksa Rusia do të pushtojë pjesën më të madhe të këtij vendi, sado e tmerrshme që mund të jetë një perspektivë e tillë?

Kjo gjë mund të ndodhë brenda 2-5 viteve të ardhshme, pavarësisht se kush do të fitojë zgjedhjet në SHBA. Ndërkohë, Evropa e ka shpërdoruar këtë kohë shumë të rëndësishme që nga viti 2022 – e blerë me gjakun e shumë ukrainasve – duke mos arritur një riarmatim në shkallë të plotë.

Loja e hedhjes së fajit ka nisur tashmë, me gishtat drejtuar nga aleatët perëndimorë (sidomos Gjermanisë) apo nga Trump. Kjo luftë ka përpara vetëm 2 mundësi:të ndalet ose jo përparimi i makinerisë ushtarake ruse. Aktualisht jemi në skenarin e dytë. Vështirë se është dikush i gatshëm të ndjekë logjikën e situatës aktuale – pra faktet reale të luftës – deri në përfundimin e tij shqetësues.

Mosmbështetja e Ukrainës me atë që i nevojitet – për shembull me municione, mbrojtje ajrore dhe pajisje për 14 brigadat e reja, e kërkuara publikisht nga Zelensky – nuk do ta çojë vetëm në përfundimin e luftës më herët, duke e detyruar Kievin që të “negociojë”, siç argumentojnë kritikët e Ukrainës dhe miqtë e Rusisë.

Përkundrazi, do të siguronte që rusët t’i shkojnë deri në fund kësaj fushate ushtarake. Në atë pikë, do të dëshironim të kishim bërë shumë më tepër për të mbështetur “digën” e Ukrainës kundër përmbytjes së fuqisë ushtarake ruse në Evropë. Por atëherë do të jetë shumë vonë./Përshtatur nga “Brussels Signal”

*Shënim:Gabriel Elefteriu, zëvendësdrejtor në Këshillin për Gjeostrategjitë me qendër në Londër.

Exit mobile version