Çfarë do të bëjë Tillerson me Kinën?

Bill Hayton

Rex Tillerson, ish-kreu i Exxonit, nuk ka arritur në majë të karrierës së tij, duke u sjellë mirë me Kinën. Kur Pekini u përpoq të detyronte kompaninë e tij të braktiste nxjerrjen e gazit në ujërat e Vietnamit në vitin 2008, ExxonMobil i tregoi gishtin e mesit. Kompani të tjera të mëdha si BP, Chevron, ConocoPhillips janë gjunjëzuar përballë presionit të Kinës. ExxonMobil vazhdon aktivitetin në Vietnam, duke nxjerrë naftë me licencë vietnameze në ujërat që Kina i pretendon si të vetat. A do të bëjë Tillerson të njëjtën gjë në emër të Shteteve të Bashkuara?
Ditën e mërkurë, personi që do të jetë Sekretari amerikan i Shtetit u shfaq i gatshëm t’ia tregojë Kinës edhe një herë gishtin e mesit. Ai i bëri thirrje administratës së Trumpit që të refuzonte aksesin e Kinës në shtatë ishujt artificialë që ka ndërtuar në pjesën jugore të Detit të Kinës së Jugut. Në përgjigje të pyetjes nëse kishte ndërmend të mbështeste një qëndrim më agresiv për çështjen e Detit të Kinës së Jugut, ai i tha në seancën e konfirmimit të Senatit se: “Ne do t’i dërgojmë Kinës një sinjal të qartë se, së pari, ndërtimi i ishujve do të ndërpritet menjëherë, së dyti, aksesi në këto ishuj nuk do të lejohet më”.
Komuniteti i politikës aziatike mbeti me gojë hapur. Implikimet janë të dukshme. E vetmja mënyrë që Shtetet e Bashkuara mund ta ndalojnë Kinën të ketë akses në bazat e saj në ishujt ekzistues është duke dërguar atje anije luftarake dhe duke kërcënuar me përdorimin e forcës. A është Tillerson i gatshëm të marrë përsipër rrezikun që të hyjë në konflikt të hapur ndërmjet dy superfuqive?
Shumica e vëzhguesve thonë se mund të jetë nxituar me fjalët e tij. Deklarata në fakt erdhi pas pesë orësh dëshmie përballë Komitetit të Marrëdhëineve të Jashtme. Një minutë më pas, Tillerson tha se tregtia me vlerë 5 trilionë dollarë kalonte përmes Detit të Kinës së Jugut çdo ditë – në fakt duhet të thonte 5 trilionë dollarë në vit. Të gjithë gabojnë. Por, po sikur deklarata të ishte e qëllimshme?
Fotografitë satelitore të publikuara nga Iniciativa Aziatike e Transparencës Detare për Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Strategjike dimë se Kina ka nisur prej kohësh një aktivitet masiv të ndërtimit të ishujve artificialë në arqipelagun Spratly – një zonë e pretenduar e gjitha ose pjesërisht nga Kina, Vietnami, Filipinet, Malajzia dhe Brunei, por ky aktivitet ka ndaluar. Bazat janë duke u përfunduar, por pjesa e ndërtimit të terrenit tokësor ka përfunduar.
Megjithatë, ka shumë dyshime se qëllimi përfundimtar i Kinës është të ndërtojë një tjetër bazë masive në Scarborough Shoal, zona Verilindore e Ishujve Spratly. Barriera korale ka qenë nën kontrollin e ishujve Filipine deri sa Shtetet e Bashkuara i mbyllën bazat e tyre në vend në fillim të viteve 1990. Që në muajin prill të vitit 2012, kontrolli është marrë në dorë nga kinezët.
Senatori John McCain është i bindur se, Kina ka ndërmend të pushtojë dhe të pretendojë kontrollin e plotë të zonës Scarborough Shoal, si pozicion i saj i tretë ushtarak në trekëndëshin e influencës që ka ndërtuar në Detin e Kinës së Jugut. Së bashku me bazat e tjera ekzistuese të Kinës në ishujt Spratly dhe Paracel, një trekëndësh i tillë do t’i ofronte Kinës një kontroll strategjik ujor në të gjithë rajonin.
Raportimet e shumta dhe thashethemet që qarkullojnë në Uashington sugjerojnë se në fillim të vitit 2016, Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të qartë Kinës se janë të gatshëm të pengojnë fizikisht çdo përpjekje tjetër për të ndërtuar në zonë. Janë dërguar anije dhe avionë ushtarakë në Detin e Kinës së Jugut si dhe në bazat amerikane të Filipineve për të smbrapsur rrezikun. Me pak fjalë, Tillerson ishte vetëm duke thënë se ka ndërmend ta vazhdojë strategjinë amerikane në rajon, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të ndërtimit të ishujve në zonën Scarborough Shoal si dhe ndalimin e ndërtimit të mjeteve për të pasur akses në to.
Ndoshta, ai ka dashur të deklarojë edhe se Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë aksesin edhe në shtatë ishujt ekzistues artificialë. James Kraska, Profesor i Ligjit Ndërkombëtar të Kolegjit të Luftës Detare të Shteteve të Bashkuara, ka dëshmuar përballë Komitetit të Shërbimeve të Armatosura dhe ka deklaruar se një vendim i tillë nga Shtetet e Bashkuara do të ishte tërësisht i ligjshëm.
Në transkriptimin e dialogut të tij thuhet se, Shtetet e Bashkuara mund ta sfidojnë të drejtën e Kinës për të hyrë në ishujt artificialë si një kundërmasë e ligjshme të legjislacionit ndërkombëtar për ta detyruar Pekinin të përmbushë detyrimet e saj që burojnë nga Konventa e Detit si dhe ligji ndërkombëtar doganor. Kjo, sipas Kraska, ishte edhe baza e Politikës së Oqeanit të ndjekur nga Presidenti Ronald Reagan në vitin 1983.
Me fjalë të tjera, Uashingtoni mund ta detyrojë vërtetë Kinën që të mos hyjë në bazat e saj ishullore me kusht që Pekini të bjerë dakord të mos shkelë vendimin e dhënë nga Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit në qershor të vitit 2016. Kina do të duhet praktikisht të pranojë se nuk ka asnjë të drejtë për të kontrolluar lundrimin, peshkimin apo burimet minerale përtej zonave që lejohen nga Konventa e Detit të Kombeve të Bashkuara (UNCLOS).
Kina gjithashtu do të duhet të mësohej edhe me idenë, për shembull, se Filipinet mund të nxjerrin gaz në zonën e njohur si Reed Bank, rreth 60 milje detare larg bazës masive kineze në Barrierën Mischief; të frenojë flotat detare të peshkimit kinez, duke shkaktuar konflikte me Ishujt Natuna të Indonezisë; dhe, mbi të gjitha, të heqë dorë përfundimisht nga përpjekjet për t’i ndaluar tranzitet, manovrat dhe mbledhjen e inteligjencës nga anijet e marinës amerikane në Detin e Kinës së Jugut.
Strategjia e bllokadës do të përshtatej më së miri edhe me sinjalizime të tjera që kanë ardhur nga administrata e Trumpit rreth strategjisë me Kinën në të ardhmen. Në muajin nëntor, dy këshilltarë të Trumpit, Alexander Gray dhe Peter Navarro, skicuan një strategji të “paqes përmes forcës” në politikën e jashtme. James Ëoolsey, i cili e përshkroi veten si një këshilltar i lartë i Donald Trumpit, sugjeroi se deri tani është arritur një lloj marrëveshjeje sipas së cilës Shtetet e Bashkuara pranojnë strukturën politike dhe sociale të Kinës dhe është zotuar se nuk do ta trazojë atë në këmbim të zotimit të Kinës se nuk do të sfidojë status kuonë në Azi. Logjikisht, respektimi i status kuosë në Azi do të thotë se nuk duhet të zaptohen barrierat koralore dhe nuk do të dërgohen forca ushtarake në bazat ekzistuese.
Për një periudhë të gjatë kohe, republikanët si John McCain dhe Dan Sullivan e kanë nxitur fuqimisht Uashingtonin që ta ndërpresë iniciativën e Kinës me Detin e Kinës së Jugut, jo vetëm të presë të kundërpërgjigjet ndaj veprimeve kineze. Deklarata e Tillersonit mund të sinjalizojë edhe ndjekjen e një strategjie të tillë në të ardhmen. Në vend që të presin provokimet e Kinës, Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë të frenojnë avancimet e vazhdueshme të Kinës dhe t’i bëjnë presion Pekinit, duke e kërcënuar me zbatimin e rregullave të UNCLOS e të gjithë forcën e ligjit ndërkombëtar në Detin e Kinës së Jugut.
Kina nuk do ta shikojë në këtë mënyrë – në rast se Uashingtoni nuk e shpjegon me kujdes maksimal atë që po ndodh – ndoshta as pjesa tjetër e botës. Ka shumë rreziqe për të marrë në konsideratë. Kina mund të mendojë se Shtetet e Bashkuara po luajnë bllofin dhe të provokojë përballje të tjera. Mund të fundosen anije, mund të humbin jetë dhe kriza mund të përhapet edhe në fushat e tregtisë dhe atë të politikës ndërkombëtare. Një vëzhgues i zhvillimeve të Detit të Kinës së Jugut, profesor Ku of Hofstra i Universitetit të Drejtësisë, thekson se, edhe ose është plotësisht e ligjshme, kjo strategji mund të provokojë fillimin e luftës.
Një tjetër rrezik është që Shtetet e Bashkuara mund të humbasin mbështetjen e partnerëve dhe miqve të tyre në Azinë Juglindore dhe më tej. Askush prej tyre nuk kërkon konflikt, ata duan që Shtetet e Bashkuara dhe Kina të shkojnë sa më mirë, në mënyrë që të zhvillohet paqja në të gjithë rajonin. Edhe pse shumica e vendeve përreth kërkojnë një prezencë më të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për t’i bërë ballë avancimeve kineze, ata nuk duan kurrsesi të jenë të detyruar të zgjedhin njërën anë të konfliktit. Shtetet e Bashkuara mund të rrezikojnë të duken hipokritë: pasi kanë promovuar prej kohësh lirinë e lundrimit në rajon, tani e kufizojnë atë qëllimisht për shkak të interesave më të mëdha.
Së fundi, ekziston gjithmonë rreziku që, me burimet detare të përhapura në të gjithë botën dhe me qeveritë rajonale të gatshme për të ofruar akses në porte dhe baza logjistike për arsye politike, Shtetet e Bashkuara mund ta kenë shumë të vështirë ta zbatojnë në realitet këtë politikë kundër pushtetit të plotë të Ushtrisë Detare Çlirimtare Popullore (PLAN). Në rast se arrihet në një dështim për të zbatuar bllokadën, pasi ajo të deklarohet, diçka e tillë do të ishte katastrofike për reputacionin e Shteteve të Bashkuara si superfuqi.
Komandanti i Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara ka sugjeruar kohët e fundit se PLAN-i mund ta kenë relativisht të lehtë ta luftojnë bllokadën. Megjithatë, analistë të tjerë, si Lyle Goldstein i Institutit të Studimeve Detare të Kinës, ka paralajmëruar prej kohësh për rritjen e jashtëzakonshme të kapaciteteve anti-raketore detare. Nëse të dyja palët e një përballjeje të mundshme janë të bindura se mund të fitojnë, ka shumë gjasa që konflikti të shtohet deri në nivele jashtëzakonisht të rrezikshme.
Deri tani ku përgjigja zyrtare e Kinës ndaj deklaratës së Rex Tillersonit ka qenë relativisht e butë. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme sinjalizoi një farë “mirëkuptimi” për fjalët e Tillersonit, pasi ky i fundit nënvijëzoi mosmarrëveshjet dyplashë, por edhe interesat e shumta të ndërthurura dhe konsensusin që ekziston ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Pekini duket se po ndjek strategjinë “të shohim, të bëjmë” për sa i përket deklaratave dhe komenteve të administratës së Trumpit, por detyra e paralajmërimit iu caktua gazetës nacionaliste “Global Times” ku shkruhej: “Nëse Uashingtoni nuk ka ndërmend të hapë një luftë të nivelit të lartë në Detin e Kinës së Jugut, çdo vendim tjetër për të frenuar aksesin e Kinës tek ishujt e saj do të jetë tërësisht i kotë”.
Në vitin 2008, zyrtarët kinezë e kërcënuan ExxonMobil me pasoja të rënda dhe të rrezikshme në rast se do të ndiqte projektet në Vietnam. Megjithatë, kompania e drejtuar nga Rex Tillerson i qëndroi vendimit të saj me bindje dhe nuk u përkul përballë presionit kinez. Tillersoni mbajti një qëndrim të palëkundur, e identifikoi bllofin e Kinës dhe doli fitimtar. A do ta bëjë përsëri?

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakVendimi lehtëson barrën ekonomike
Artikulli tjetërNga po e nis ndryshimin Presidenti Trump?