Çfarë do të ndodhë me postin e Rejës si trajner i Shqipërisë

Shqipëri-Francë shënoi përfundimin e kontratës së Edoardo Reja në stolin e kombëtares kuqezi. “Kontrata ime mbaroi sot, tani do të ulem të bisedoj me presidentin”. Pak fjalë, shumë kuptim! Trajneri kuqezi ka mbetur mjaft i zhgënjyer nga 180 minutat e fundit (ndaj Andorrës dhe Francës) sidomos duke ditur se fitorja e thellë në Moldavi riktheu harmoninë, entuziazmin dhe i dha sinjale se mund të kishte rritje.

Por, menjëherë një kthim mbrapa ishte këmbana e parë e alarmit. Presidenti i FSHF, Armand Duka, mbrëmjen pas barazimit 2-2 me Andorrën ka qenë i revoltuar dhe i nxehur, aq sa mund edhe ta shkarkonte italianin, edhe pse ka përdorur logjikën e ftohtë dhe arsyen, për të mos u bërë një Zamparini i radhës (ish-presidenti i Palermos që shkarkonte trajnerët sipas humorit). Kështu, shansi Francë ishte më shumë për prestigj dhe për të parë reagim, shrkuan Telesport.

Futbollistët u justifikuan se ndaj Andorrës nuk dhanë më të mirën sepse u frenuan psikologjikisht nga ndeshja me Francën në përurimin e “Air Albania Stadium”. Por, kjo nuk ndodhi. Ndaj Francës, zhvilluam ndeshjen me më shumë pasime gabime që kur Reja ka marrë drejtimin. Diçka të cilën e pohoi edhe vetë trajneri në konferencën për shtyp. Duka dhe Reja ende nuk kanë biseduar mes tyre, por do ta bëjnë shumë shpejt. Presidenti i FSHF ka ndër mend që t’i bëjë një kontratë të re italianit, por këtë herë me kosto më të ulët, për t’i dhënë në dorë plotësimin e revolucionit që ka nisur.

Vetë trajneri, sakaq, pasi të njihet me kontratën e re, do të reflektojë. Do të duhet koha e nevojshme, pasi ndeshja e parë do të jetë në mars 2020. Ndoshta, deri në fund të vitit, palët do të takohen, mbase në Itali, mbase në Shqipëri (pak rëndësi ka) për të shtrënguar duart dhe për t’u përshëndetur si miq, apo për të vazhduar raportin bashkarisht, me të zezën në të bardhë, pra te marrëveshja e re.

rej

Exit mobile version