Ish kryeministri Berisha ka reaguar dje deklaratave të Ramës në SHBA. Pas takimit me zv.Presidentin e SHBA, Joe Biden, Rama në një prononcim mediatik tha se midis Donald Trumpit dhe Lulzim Bashës, zgjidhte Bashën. Në një koment në facebook, Berisha thekson se dosja që Basha ka dorëzuar në Washington, në vizitën e tij të pak javëve më parë duket se ka shkuar edhe në Shtëpinë e Bardhë.
“Pas takimit shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë me zv.presidentin e SHBA, mikun e madh të kombit shqiptar, Joe Biden, takim të cilin unë e përshëndes, Edi Rama u tha shqiptarëve dy gjëra:
– Presidenti mbështeti shumë idenë e Ramës për futjen në shkolla të mësimeve mbi religjionet.
– Dhe se në betejën e tij kundër Donald Trumpit, ai, midis më të keqes të kësaj bote Trump dhe të keqes tjetër po kaq të madhe për Ramën, Lul Bashës, do të zgjidhte Lul Bashën.
Miq, duket se dosja që ka dorëzuar Basha para vizitës së Ramës në Washington, i ka dalë Ramës edhe në Shtëpinë e Bardhë, ndaj dhe ai, pas takimit mendonte se hija e Bashës ishte aty ngjitur me të në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Prandaj vetishëm, pasi paraqiti Trump dhe Bashën si ligësitë e kësaj toke, tha se ai do të votonte Bashën, që nuk po i ndahej as në oborrin e Shtëpisë së Bardhë” u shpreh Berisha në një reagim të tij.