Çfarë duhet të bëhet me arsenalin bërthamor?

Joseph Cirincione

Shumëkush ndoshta i ka harruar armët bërthamore. Por ato sërish janë duke e kërcënuar sigurinë botërore. Sikurse ka raportuar kohët e fundit “The New York Times”, fuqitë e mëdha bërthamore janë duke rindërtuar dhe përmirësuar arsenalet e tyre bërthamore. Bota është në prag të një gare të re armësh bërthamore, për të cilën ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Bill Perri, paralajmëron se “do të jetë të paktën po aq e shtrenjtë sa edhe gara e armatimit që pamë gjatë Luftës së Ftohtë”.
Pse kështu? A është bërë bota më e rrezikshme? Nëse po, a do të mbajnë armët bërthamore më të sigurtë SHBA-në dhe botën? Edhe nëse të gjitha këtyre pyetjeve u është dhënë përgjigje gjatë Luftës së Ftohtë, është e rëndësishme t’i shqyrtojmë ato sërish, në kushtet kur Pentagoni përgatitet të shpenzojë mbi 1 trilion dollarë për ndërtimin e një gjenerate të re armësh bërthamore.
A është me vend shqetësimi i shprehur në fushatën presidencale nga republikani Donald Tramp, mbi rrezikun e armëve bërthamore në duart e disa shteteve? Jashtë SHBA-së ekziston një botë e rrezikshme, e cila është duke u përkeqësuar, ndërsa gjithnjë e më shumë vende po zotërojnë armë bërthamore. Donald Trump ka të drejtë kur thotë se është në thelb një çështje kohe para se vende si Japonia, të kërkojnë të zotërojnë arsenalet e tyre, teksa besimi tek garancia bërthamore amerikane po venitet.
Asnjë komb nuk ka filluar ndonjë program bërthamor në këtë shekull dhe Koreja e Veriut është kombi i vetëm që ka testuar një bombë bërthamore. Kur Xhon F. Kenedi paralajmëroi mbi kërcënimin e armëve bërthamore në duart e vendeve “të mëdha dhe të vogla, të qëndrueshme dhe të paqëndrueshme”, ai i referohej vlerësimeve të rriskut, që numëronte 23 vende me programe armatimesh. Sot ka vetëm 9 të tilla…
Ky fakt është disi ngushëllues. Ai mbetet i vërtetë, edhe pse se bota është një vend i rrezikshëm. Të paktën, armët bërthamore të Amerikës e bëjnë botën më të sigurt, duke frenuar konfliktet e mundshme përmes kërcënimit të hakmarrjes masive.
A e ka dëshmuar historia se kjo është e vërtetë? Shtetet bërthamore janë sulmuar gjatë gjithë kohës. Armët bërthamore të Mbretërisë së Bashkuar nuk e ndalën Argjentinën nga sulmi kundër ishujve nën zotërimin britanik Falkland në vitin 1982. Armët bërthamore të Izraelit, nuk penguan shtetet arabe ta sulmonin atë në vitin 1973. Ato nuk dekurajuan as Vietnamin e Veriut nga lufta me Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq India dhe Pakistani që sikurse dihet janë shtete bërthamore, ende rrezikohen nga shpërthimi i një lufte mes tyre.
Është e vërtetë që potenciali bërthamor mund të ketë reduktuar rrezikun e një lufte globale mes Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara, por parandalimi thuajse dështoi në mënyrë katastrofike disa herë, edhe gjatë krizës së raketave kubane. Në botën e vërtetë, ata që kanë patur gishtat e tyre mbi butonët e lëshimit të këtyre armëve, fituan një qasje të ndryshme mbi përfitimet nga siguria e armëve bërthamore.
Kolin Pauell kishte 28.000 armë bërthamore nën komandën e tij si kryetar i shefave të përbashkët të shtabit. “Gjëja e vetme për të cilën jam bindur pas gjithë atyre viteve të ekspozimit ndaj përdorimit të armëve bërthamore, është se ato ishin të padobishme”, është shprehur ai. Presidenti Ronald Regan e dinte se “të gjithë do të jenë humbës, nëse fillon një luftë bërthamore”. Përdorimi i një bombe bërthamore kundër një armiku jobërthamor, mund të vrasë qindra e mijëra njerëz të pafajshëm, gra dhe fëmijë, trondisë strukturat globale të sigurisë dhe financës dhe e çuar botën në prag të katastrofës.
Nuk ka asnjë mënyrë që traktatet apo marrëveshjet diplomatike, si pakti i fundit me Iranin, të mund të kufizojnë këtë lloj rreziku. Problemi është se djemtë e mirë do të veprojnë në përputhje me kufizimet, ndërsa të këqinjtë do të mashtrojnë.
Sa efektive kanë qenë traktatet dhe marrëveshjet e tjera, në kufizimin e përhapjes së armëve bërthamore? Traktati i Mospërhapjes Bërthamore është më efektivi në histori. I shoqëruar me garancitë e sigurisë pozitive, ai siguron kuadrin diplomatik, politik dhe ligjor që ka ndihmuar në bindjen e dhjetëra kombeve për t’i dhënë fund programeve të tyre bërthamore.
Falë këtij traktati dhe marrëveshjeve të tjera të lidhura me të, e gjithë hemisfera jugore është pa armë bërthamore, duke përfshirë edhe kontinentet e Amerikës Jugore dhe Afrikës. Shtetet që kanë mashtruar si Irani, po paguajnë aktualisht një kosto të rëndë nëpërmjet sanksioneve, ose si Koreja e Veriut, janë të izoluara. Vetëm Izraeli, Pakistani dhe India kanë mbetur jashtë këtij pakti global.
Por kjo nuk do të thotë se s’kemi nevojë për armët bërthamore si garantueset e fundit të sigurisë sonë, por sigurisht ato janë vetëm për përdorim në raste urgjente, por emergjenca do të ndodhë.
Në një fjalim në Pragë në vitin 2009, Obama u shpreh “në mënyrë të qartë mbi angazhimin e Amerikës për të garantuar paqen dhe sigurinë e një bote pa armë bërthamore”. Por ai e shoqëroi atë me premtimin për të ruajtur arsenalin bërthamor të Amerikës “të sigurtë dhe efektiv”. Në fakt, Obama ka rritur shpenzimet për armët bërthamore në krahasim me administratën e Bushit. Dhe kjo ka krijuar një problem të madh.
Teksa axhenda e Obamës mbi kontrollin e armëve ka ngecur, shpenzimet e tij mbi kontratat e armëve u rritën. Ai do të largohet nga posti me disa arritje të rëndësishme në fushën e mospërhapjes dhe më e rëndësishmja marrëveshja me Iranin. Por do të lërë pas planet për të shpenzuar më shumë se 1 trilion dollarë në armë të reja bërthamore.
Gjatë 30 viteve të ardhshme, Pentagoni do të zëvendësojë çdo aeroplan, raketë dhe nëndetëse të pajisura me mbushje bërthamore të Luftës së Ftohtë, me armë të një versioni krejt të ri, me më tepër aftësi dhe madje edhe misione të reja. Kjo është një recetë për një katastrofë bërthamore. Çfarëdo përfitimesh mbi sigurinë që mund të kenë patur armë të tilla gjatë Luftës së Ftohtë, ato janë aktualisht rreziku më i madh i sigurisë në botë. Vetëm armët bërthamore kanë fuqinë për të shkatërruar Amerikën.
Kjo është arsyeja pse Regani u shpreh në vitin 1985: “Ne kërkojmë eliminimin një ditë të gjithë armëve bërthamore nga faqja e Tokës”. Nëse Amerika dëshiron të vazhdojë të reduktojë arsenalin global dhe ndalë krijimin e vendeve të reja bërthamore, ajo nuk mund të ndërtojë një arsenal krejt të ri bërthamor që do të zgjasë deri në fund të këtij shekulli. Është njëlloj si të përpiqeni të bindni fëmijët tuaj të mos pijnë duhan, kur vetë konsumoni 2 paketa në ditë. Mirë, por për aq kohë sa ekzistojnë armët bërthamore, Amerika do të duhet të mbajë disa prej tyre.
Kjo është e vërtetë, por  sa armë i nevojiten SHBA-së? Përdorimi i një arme bërthamore në një qytet do të shkaktonte një nivel shkatërrimi, që nuk është parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Përdorimi i 10 të tillave në 10 qytete, do të jetë një katastrofë përtej çdo gjëje që është parë deri më tani në historinë njerëzore. Përdorimi i 100 armëve bërthamore mund t’i japë fund qytetërimit, ashtu siç ne e njohim sot.
SHBA-ja zotëron aktualisht 7.000 armë bërthamore. Po kështu edhe Rusia. Të dyja së bashku ato kanë pothuajse 95 për qind të të gjitha armëve bërthamore në botë. Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kina kanë nga rreth 200 armë secila. India, Pakistani dhe Izraeli kanë rreth 100 armë bërthamore. Ndërkaq, Koreja e Veriut zotëron materiale të mjaftueshme për një duzinë apo më shumë armësh të tilla. E gjitha, një sasi e çmendur e shkatërrimit, që mbahet në duart e gabueshme të njeriut.
Ka së paku një lajm të mirë: arsenalet bërthamore globale, janë ulur në krahasim me kulmin e tyre të Luftës së Ftohtë. Në vitin 1986, në mbarë botën ka patur thuajse 65.000 armë bërthamore; aktualisht ka vetëm 15.000. Kjo sasi është sërish e mjaftueshme për ta shkatërruar botën shumë herë, por prirja gjatë 30 viteve të fundit është në mënyrë të pagabueshme pozitive. Askush nuk po flet më për çarmatim të njëanshëm, por të përbashkët, reduktime të verifikueshme të këtyre arsenaleve të mëdha, çka do ta bëjë botën më të sigurtë.
Deri kur të anulojmë programet e reja të rrezikshme, vendosim të zhdukim të gjithë dinozaurët bërthamorë që ende kërcënojnë tokën dhe patur realisht një numër tepër të reduktuar të tyre, ne s’do të jemi të sigurtë. Për sa kohë që ekzistojnë armët bërthamore – sidomos në sasi të mëdha në shumë shtete – ekziston rreziku i aksidentit, llogaritjes së gabuar, çmendurisë dhe mundësisë që një grup terrorist të mund të rrëmbejë një bombë ose materiale bërthamore për të ndërtuar armën. Ne mund të ecim të sigurtë, hap pas hapi, drejt sasive shumë më të ulëta të këtyre armëve. Dhe mund ta mbajmë gjithmonë në gatishmëri disa prej tyre, në rast se ia behin alienët.

Exit mobile version