Nëse ti je një emigrant, një student apo një diplomat që pranverën e ardhshme nuk do të jesh në Shqipëri, ti mund të votosh për herë të parë për parlamentin, pa qenë nevoja të vish në Shqipëri.
Për t’u bërë e mundur kjo, çdo qytetar jashtë vendit do të duhet të regjistrohet pranë KQZ_së, si i tillë dhe të plotësojnë online formularin e të dhënave të kërkuara.
KQZ do të përcaktojë brenda muajit tetor të gjitha llojet e dokumenteve që do të pranohen si vërtetim i jetesës jashtë vendit, nga vërtetimet e studimeve, vërtetimet e punës, raportet e trajtimit shëndetësor jashtë vendit, apo kontratat e banimit.
Ky proces nuk duhet lënë për në moment të fundit, sepse rregjistrimi i zgjedhësve nga jashtë do të mbyllet dy muaj përpara datës së zgjedhjeve.
Më pas, KQZ do të cregjistrojë votuesin nga lista e zgjedhësve në Shqipëri, dhe do t’ia dërgojë fletën e votimit në adresën që ai ka deklaruar, aty ku jeton në emigrim.
Qytetari duhet ta plotësojë fletën në fshehtësi, ta mbyllë në zarf dhe ta postojë me adresë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Kostoja e postës për ta sjellë votën në Shqipëri, i takon qytetarit, pasi shteti paguan vetëm faturën e dërgimit të fletës së votimit jashtë Shqipërisë, por jo kthimin e saj mbas.
Vota e emigrantëve do të numërohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe ai do të llogaritet sikur qytetari të kishte votuar në qarkun ku ai ka banuar në Shqipëri.