Çdo vit EIU (Economist Intelligence Unit), rendit një grup të madh qytetesh globale, për nga cilësia e jetesës së tyre.
Renditja e këtij viti ka parë mjaft ndryshime. Por, maja e indeksit mbetet e dominuar nga kontinenti europian, që kombinon më së miri stabilitetin me një cilësi të lartë të kulturës dhe mjedisit, arsimit, infrastrukturës dhe kujdesit shëndetësor, të gjithë këta elementë, që autorët e indeksit synojnë t’i masin objektivisht.
Vjena, Kopenhagen dhe Zyrihu marrin medaljen e arit, argjendit dhe bronzit në indeksin global, si vitin e kaluar.
Këto vende janë të pasura, demokratike, të bukura, të kulturuara, të gjelbra dhe të shëtitshme. Qytetarët e tyre janë përkatësisht të shëndetshëm, të arsimuar dhe të lumtur. Vende të tilla kanë gjithashtu politikë, që mund të quhet ‘e mërzitshme’, por që indeksi i EUI e njeh si “të qëndrueshme” – një gjë e mirë për një jetë të qetë.
Kjo mund të ilustrohet në kontrast me lëvizjet poshtë renditjes së disa qyteteve europiane. Kur ato ndahen me shumë pak pikë, ndryshimet e vogla në rezultate, përkthehen në lëvizje të mëdha në renditje. Pra, qytetet gjermane (të cilat panë protesta të ekstremit të djathtë), Dublini (trazira të mëdha në nëntor) dhe Barcelona (krimi i rrugës) të gjitha pësuan rënie të vogla, në matësit e stabilitetit, që përkthehen në rënie më të mëdha në renditje. Përmirësimet e ardhshme mund t’i bëjnë ato të rriten përsëri po aq shpejt.
Duke lëvizur në drejtimin tjetër, një numër qytetesh të Europës Lindore kanë qenë ndër ‘alpinistët’, jo vetëm të Europës, por edhe në botë. Kjo është kryesisht për shkak të përmirësimeve në shërbimet sociale dhe infrastrukturën, nga të cilat kanë përfituar veçanërisht Beogradi, Bukureshti, Budapesti dhe Sofja.
Përmirësimet janë në gjëra, të tilla si investimet në transport, raporti mjek-pacient dhe regjistrimet në shkolla. Edhe pse relativisht të ulëta në renditjen europiane, ato janë konkurruese me qytetet kryesore amerikane. Budapesti, për shembull, ndodhet midis Pittsburgh dhe Seattle në tabelën globale.
Suksesi relativ nuk është gjithçka. Nëse vendet e tjera u afrohen niveleve europiane të cilësisë së jetës, kjo mund të kërcënojë vendet e qyteteve europiane lart në tabelë. Por, kjo do të ishte gjë e mirë për botën. / Economist