Çfarë fsheh fitorja e Vuçiç

Cristina Maza

Ditën e dielë, më 24 prill, Serbia mbajti zgjedhjet parlamentare që shumë prej vëzhguesve ndërkombëtarë i quajtën si një lloj referendumi ndaj anëtarësisë së ardhshme të vendit në Bashkimin Europian. Partia Progresive e Serbisë e drejtuar nga kryeministri Aleksandar Vuçiç, e cila mbështet anëtarësinë në Bashkimin Europian, arriti të korrte një fitore mjaft të mirë me 48,6% të votave. Rezultati i zgjedhjeve do ta lejojë kështu Vuçiçin dhe partinë e tij të ruajnë kontrollin e Parlamentit të Serbisë për katër vitet e ardhshme.

Vuçiç thotë se i kërkoi zgjedhjet dy vite më parë për të përforcuar mandatin e tij pro-europian në një kohë kur vendi po kërcënohet nga ultra-nacionalizmi dhe ndjenja pro-ruse. Ai gjithashtu ka premtuar se do të implementojë shumë reforma ekonomike që do të kënaqin Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke e vënë kështu Serbinë në rrugën e sigurt drejt të ardhmes europiane.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve bëri që shumë e shumë media të huaja të nxitonin ta interpretonin fitoren e Vuçiç si një fitore të Bashkimit Europian. Zyrtarët e Bashkimit Europian, shumica e të cilëve e konsiderojnë kryeministrin e Serbisë si një lider i qendrueshëm, një partner potencial pro-europian me të cilin mund të bëjnë biznes, nuk vonuan aspak për të përgëzuar publikisht fitoren e tij.

Megjithatë, pavarësisht gjithë euforisë mediatike, rezultati i zgjedhjeve në Serbi fsheh një tjetër të vërtetë. Fitorja e Vuçiç nuk është aspak një tregues i pranimit të gjërë popullor të vlerave perëndimore apo i mbështetjes së anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Realiteti është që ndjenja pro-europiane në Serbi tashmë ka arritur në nivelet më të ulëta të viteve të fundit. Çfarë simbolizon dhe vërteton në fakt fitorja e Vuçiç dhe e stilit të tij të egër të lidershipit, se ka arritur me sukses të nënshtrojë dhe të dobësojë ndjeshëm opozitën e regjimit të tij.

“Ajo që Vuçiç ka arritur të bëjë me efikasitet të madh është të neutralizojë të gjithë burimet opozitare. Në Serbi nuk ka parti të besueshme opozite dhe kontrolli i kryeministrit mbi mediat dhe shërbimin e informacionit është pothuajse absolut”, thotë Eric Gordy, sociolog dhe ekspert i çështjeve të Ballkanit në Universitetin e Londrës.

Në një letër të adresuar për zëvendës/presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, “Human Rights Watch” bënte thirrje që të kthehej vëmendja ndërkombëtare tek kufizimi i lirisë së fjalës në Serbi. Në këtë letër përmendej qartë se, operatorët mediatikë në Serbi punonin në “mjedise tepër armiqësore” dhe theksohej ndërhyrja e dhunshme politike në raportimin e lajmit. OSCE lëshoi një tjetër paralajmërim të ngjashëm në raportin parazgjedhor të lëshuar gjatë muajit prill. Kritikët akuzojnë Vuçiçin se ka shfrytëzuar fushatën antikorrupsion të profilit të lartë për të vënë nën shënjestër dhe për të asgjësuar opozitën politike.

“Vuçiç ka punuar shumë për të forcuar pushtetin e tij pothuajse absolut gjatë viteve të fundit, duke marrë kontrollin e mediave dhe institucioneve shtetërore”, thotë Branislav Radeljiç, Profesor i Politikës Ndërkombëtare në Universitetin Lindor të Londrës. Në Serbi, njerëzit ankohen vazhdimisht për persekutimin e aktivistëve opozitarë të qeverisë dhe për presionin e jashtëzakonshëm me të cilin përballen çdo ditë gazetarët që kritikojnë regjimin e Vuçiç, vazhdon ai.

Duke patur parasysh sjelljen e tij antidemokratike, ka shumë pak gjasa që Vuçiç të mbështesë me të vërtetë anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian dhe nëse e bën, nuk do të jetë për respekt të sinqertë ndaj vlerave europiane dhe rregullit të ligjit. Ai në të vërtetë duhet të shihet si një oportunist, të cilit nuk i intereson asgjë më shumë se ruajtja e pushtetit të tij absolut në të gjitha sferat e shoqërisë serbe.

Edhe pse është përpjekur të joshë dhe të mbledhë pas vetes sa më shumë aleatë në Bruksel, Vuçiç i ka premtuar vendit edhe lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka lavdëruar shpesh kriminelët e luftës serbe. Të gjitha këto, i ka bërë teksa e lavdëronte veten si një politikan të moderuar dhe tolerat. Duhet theksuar fuqimisht edhe fakti se Aleksandar Vuçiç ka qenë ministër i Informacionit për ish-diktatorin e egër të Serbisë, Slobodan Miloseviç dhe ka qenë përgjegjës për zhvillimin e makinerisë propagandistike gjatë kohës së luftës.

“Të interpretosh fitoren elektorale të kryeministrit Vuçiç si një fitore të Bashkimit Europian është një interpretim tepër i gabuar”, thotë Goran Miletiç, drejtues i programit për Ballkanin Perëndimor tek “Civil Rights Defenders”. “Vuçiç ka qenë një politikan për më shumë se 20 vjet”, shton ai. “Ai e di mirë si të manipulojë popullin serb, të cilët njihen si konservatorë, patriarkalë dhe jo shumë të shkolluar. Vuçiç gjithashtu është mëse i ndërgjegjshëm për pushtetin e jashtëzakonshëm që mund të të ofrojë kontrolli absolut mbi industrinë mediatike të një vendi si Serbia”.

Kundërshtarët e Vuçiç thonë se kjo ngjitje e profilit të kryeministrit, sëbashku me indiferencën që Bashkkimi Europian ka demonstruar kundrejt metodave të përdorura prej tij, ka arritur që në fakt ta dobësojë ndjeshëm mbështetjen popullore të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian. Edhe pse zyrtarët europianë mendojnë se vendi është duke ecur drejt rrugës së anëtarësimit, bindja popullore duket se është duke ecur në drejtimin e kundërt.

“Shumë njerëz të elitës intelektuale, të cilët e kanë mbështetur fuqimisht anëtarësimin e Serbinë në institucionet europiane gjatë viteve të fundit, tani ndihen thellësisht të zhgënjyer prej mungesës së reagimit të Bashkimit Europian ndaj shkeljes së principeve demokratike të Vuçiçit”, shpjegon Radeljiç. “Kjo ka nxjerrë në pah një lloj hipokrizie nga ana e BE-së përballë principeve thelbësore dhe vlerave si rregulli i ligjit dhe të drejtat e njeriut që duhet të mbështeste ky bashkim”.

Gordy thotë se, Europa e ka mbështetur kryeministrin Vuçiç për shkak të shfaqjes së vullnetit të tij për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, e cila deklaroi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. “Duket se kushti i Vuçiçit për të patur relata të mira me Bashkimin Europian ka qenë të hiqet bashkëpunues për çështjen e Kosovës dhe se zyrtarët europianë do të bënin një sy qorr në këtë rast për gjithçka që ai bënte brenda vendit”, thotë Gordy. “Kjo perspektivë ka qenë një zhgënjim i madh për njerëzit që e shihnin Bashkimin Europian si një projekt për një jetë më të mirë, të cilët e konsideronin identitetin europian si garanci të demokracisë dhe prisnin që anëtarësimi në Bashkimin Europian të garantonte të drejtat e njeriut dhe rregullin e ligjit që u ka munguar në jetën e tyre”.

Bojana Stojkoviç, një aktiviste 30-vjeçare që punon me të rinjtë dhe ekonomistë nga Serbia Jugore, thotë se të rinjtë serbë janë bërë me kalimin e kohës gjithmonë e më shumë apatikë për çështjet politike dhe shumica e tyre kanë vendosur të shkëpusin marrëdhëniet me jetën politike që kur Vuçiç u ngjit në pushtet. “Njerëzit me të cilët punoj vazhdojnë ta mbështesin projektin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi shumica e tyre janë të rinj dhe e vlerësojnë domethënien e vlerave europiane. Megjithatë, kam arsye për të menduar se jemi vetëm një pjesë e vogël e shoqërisë serbe që ende shpresojnë”, thekson ajo.

Edhe sondazhet në fakt tregojnë një reduktim të ndjeshëm të besimit popullor ndaj institucioneve europiane. Sipas sondazhit të kryer kohët e fundit, vetëm 48 për qind e serbëve janë favor të anëtarësimit të vendit në Bashkimit Europian, në krahasim me 51 për qind në vitin 2014 dhe 65 për qind në vitin 2009. Kjo rënie e kredibilitetit duket se është shkaktuar pjesërisht nga bindja se Europa nuk është më një institucion që mund të garantojë stabilitetin politik dhe ekonomik që i mungon popullit serb.

“Kriza ekonomike në Europë e ka dobësuar ndjeshëm joshjen ekonomike që i tërhiqte njerëzit drejt anëtarësimit. Për sa i përket aspektit politik, kredibiliteti i Bashkimit Europian si një garantues i demokracisë është reduktuar shumë kohët e fundit për shkak të tolerancës së shfaqur kundrejt autoritarizmit në vende si Hungaria, Polonia dhe Kroacia”, thotë Gordy.

“Me pak fjalë, Bashkimi Europian nuk ka punuar shumë kohët e fundit që të mbrojë veten”. Rikthimi i partive politike të së djathtës ekstreme në Parlament është një tjetër tregues se në politikën serbe ekziston, dhe po rritet gjithmonë e më shumë, një ndjenjë anti-europiane, ndryshe nga imazhi i shfaqur nëpër media pas fitores së Vuçiç në zgjedhjet parlamentare.

Në fund të muajit mars, Tribunali Ndërkombëtar Kriminal për ish-Jugosllavinë (ICTY) e deklaroi të pafajshëm Vojislav Sheshelin, një politikan ultra-nacionalist i cili akuzohej se ishte përfshirë në krime lufte të tmerrshme gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990. Gjykata argumentoi se, edhe pse Shesheli ka qenë një përkrahës vokal i spastrimit etnik dhe mbështetës i krijimit të “Serbisë së Madhe”, ai nuk ka qenë drejtpërdrejt përgjegjës për krimet e luftës të kryera nga milicitë që ndodheshin nën kontrollin e tij. Ditën e dielë, Shesheli dhe Partia e tij Radikale Serbe arriti të fitojë plot 8 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, përqindje e mjaftueshme për ta bërë atë partinë e tretë më të madhe të vendit.

Pavarësisht preferencave politike të publikut, Vuçiç ka shumë gjasa që të vazhdojë të ndjekë trajektoren e tij politike drejt anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian, natyrisht vetëm dhe ekskluzivisht për interesa ekonomike. “Shumë politikanë të qeverisë serbe e dinë mirë se Rusia ka pak gjëra për t’i ofruar vendin në periudhën afatgjatë”, thotë James Ker-Lindsay, profesor dhe studiues i Shkollës Ekonomike të Londrës. “Vetëm investimet e kompanive të mëdha europiane mund të arrijnë të transformojnë ekonomikisht Serbinë dhe Rusia, sado aleate joshëse të jetë, nuk mund të konkurojë kurresi me këtë”.

Ende nuk dihet plotësisht se si do të vazhdojë Vuçiç të ndjekë objektivat e tij drejt Bashkimit Europian përmes implementimit të reformave të vështira ekonomike, duke luftuar njëkohësisht me ndjenjën anti-europine që po shtohet dita-ditës në vendin e tij. Ajo që dihet saktë, është se do të ketë edhe katër vite të tjera në dispozicion për ta bërë. Ka ardhur koha që Europa të ndërgjegjësohet dhe të kuptojë se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Europian nuk mund të kryhet me një lider oportunist si Aleksandar Vuçiç.

Exit mobile version