Krijimi i së shumëpërfolurës Byrosë Kombëtarë të Hetimit, asistencës së FBI-së për luftën kundër krimit të organizuar, duket se po del një intrigë e korridoreve bizantine të politikës shqiptare. Kryeministri Edi Rama, dhe altervocet e tij mediatike, kanë ngritur zërin se shumë shpejt organet e vettingut dhe byroja kombëtare e hetimit do të asistohen nga një numër i madh i agjentëve të FBI-së.
Ministria e Brendshme ka krijuar hapësirat e nevojshme të punës së këtyre “agjentëve” në një kohë që në ndihmë të këtyre hetuesve do të vijnë edhe strukturat e Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe baza e të Dhënave e TIMS. Gjithçka “në kuadër të transparencës me partnerët tanë amerikanë”.
Po sa e vërtetë është kjo ushëtimë lajmesh gjoja të vërteta, që po serviren si mbështetje e qeverisë amerikane për atë shqiptare në luftën kundër zyrtarëve të korruptuar. Flitet për 80 agjentë të FBI-së të vijnë në Shqipëri, a thua se çfarë rëndësie globale paska krimi i organizuar shqiptar, zyrtarët e korruptuar në cënimin e sigurisë globale.
Vetë lideri i opozitës Lulzim Basha, disa ditë më parë hodhi dyshimet se agjentët e FBI-së që do të vijnë në Shqipëri janë ish- agjentë të dalë në pension. Por çfarë e bënë këtë deklaratë të vërtetë dhe çfarë politikash ndjek SHBA për të sjellë agjentë të FBI-së në vendin tonë?
Fakti është i thjeshtë. Që Byroja Federale e Hetimeve (FBI) të operojë në një shtet të huaj për qëllime asistence, operacionaliteti, i nevojitet një autorizim dhe agjentët e ardhur në këtë shtet konsiderohen Atashe Ligjor (LEGAT). Në faqen e FBI-së, çështjet e krimit të organizuar dhe terrorizmit që lidhen me informacionin dhe aktivitetet e asistencës dhe operacionalitetin e FBI-së, mbulohen nga Legat Sofia e vendosur në Bullgari. Edhe kjo e dhënë gjendet në faqen ueb të FBI-së.
Por si ka mundësi që një mëysmje kaq e madhe e prej 80 agjentësh, të mos pasqyrohet fare në faqen e FBI-së apo qoftë edhe në komunikime me publikun të agjencive qeveritare amerikane? Bëhet fjalë për një dyndje “agjentësh” për të pastruar Shqipërinë në fund të fundit, një vend i vogël aleat me problematikë thelbësore në sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës. Madje numri më i madh që nuk ka përfshirë as zbarkimin në rastet kur objektivat e sulmeve terroriste kanë qenë shtetas amerikan, e jo më në një rast si Shqipëria.
Një gjë është e sigurt se të përfolurit si 80 agjentë të FBI-së, nuk janë agjentë apo nëpunës të administratës amerikane. Madje nuk ekziston asnjë marrëveshje e tillë ndërqeveritare midis dy vendeve që të mundësojë praninë e tyre në vendin tonë. E vetmja marrëveshje që ka nënshkruar ish-minsitri Tahiri, tashmë i akuzuar për narko trafik nga Prokuroria shqiptare, është “Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shkëmbimin e Informacionit mbi Verifikimin e Terrorizmit”, nënshkruar më 14.4.2016, hyrë në fuqi më 14.9.2016. Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është nxitja e shkëmbimit të informacionit për verifikimin e terrorizmit, me qëllimin e vetëm të rritjes së përpjekjeve efikase në luftën kundër terrorizmit. Dhe në këtë kuadër, Qeveria e SHBA-së ka mundësuar një sistem të komunikimit të të dhënave. Pra në asnjë rrjesht të tekstit të kësaj marrëveshje nuk ka asnjë angazhim të palëve për asistencë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit apo pranisë së FBI-së në vendin tonë.
Ndërkohë vetë Kryeministri Rama ka deklaruar se “Do të vijë një agjent prestigjioz i FBI. Mbërrin dhe një agjent tjetër për të mbështetur policinë kundër krimit të organizuar. Po diskutojmë me një kompani hetimesh që drejtohet nga ish-agjentë të FBI-së dhe do të vijnë këtu. Do sjellin eksperiencë që ne nuk e kemi, fuqi motivuese, por do sjellin dhe instrumentet e tyre operacionale për vetingun në Policinë e Shtetit. Nuk do ketë drejtues policie që nuk do të kalojë testin. Ka dhe një instrument për sinqeritetin, poligrafi. Të gjitha këto do të jenë këtu”.
Paga e një agjenti të FBI 200 mijë USD në vit, kush i paguan?
Ndërkohë nga mënyra se si operon qeveria e SHBA-së kosto e përfaërt e një agjenti shkon në minimalisht 200,000 USD në vit, në një kohë që për këtë kosto nuk ka asnjë angazhim kontraktual nga qeveria e SHBA-së apo madje as edhe ndonjë politikë udhëzuese për sjelljen e agjentëve.
Por sikur kjo shumë të shumëfishohet me 80 që është numri i përfolur i agjentëve, shkon në një shumë që tejkalon buxhetin e gjithë institucionit që angazhohet çdo ditë në luftën kundër krimit, në rreth 16 milionë USD. Nga ana tjetër vetë kryeministri pohon se do të kontraktojë një kompani me ish-agjentë të FBI-së, por në rastin se kjo kompani që do të sjellë ekspertizën më të mirë, nga kush do të paguhet?