Shkarkimi i Haki Mustafës fsheh një skandal që është denoncuar nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha që në 16 qershor të këtij viti. Kriza energjetike tashmë është evidente dhe burime nga OSHEE bëjnë me dije se kanë filluar blerjet e energjisë nga jashtë. Në krye të OSHEE është rikthyer Ardit Çela, njeriu që ka firmosur çdo tender abuziv përgjatë katër viteve të qëndrimit të tij në krye të këtij institucioni. Tashmë është rikthyer sërish aty për të realizuar një megavjedhje tjetër!
Skandali
Burime nga KESH shprehen se bëhet fjalë për përdorimin e një kredie të marrë nga Banka Botërore për blerjen e energjisë nga KESH. Në fakt, autoriteti që përgjigjet për blerjen e energjisë në kohën kur nivelet e hidrocentralave në vend janë në kuaota të ulta është OSHEE. Por këtë herë këtë procedurë do ta kryejë institucioni që përgjigjet për prodhimin dhe jo për importin. Bëhet fjalë për rrteh 150 milionë euro të Bankës Botërore që janë dhënë kredi për këtë qëllim. Pra, KESH do ja blejë operatorëve ndërkombëtarë, dhe më pas do ja shesë OSHEE me çmim më të lartë se ai i prodhimit, ndërkohë që kjo procedurë duhet të ndiqej drejtpërdrejt nga OSHEE dhe s’kishte pse ngrihej çmimi rrugës. Me një fjalë, çmimit të importit do i shtohet dhe fitimi i KESH që merr për prodhimin dhe më tej do i kalohet OSHEE. Se çfarë makinacionesh të tjera do të luhen në kurriz të taksave të shqiptarëve kjo nuk dihet, por duket se kjo ka qenë arsyeja se përse në këtë operacion 150 milionë eurosh nuk u duhej nëpër këmbë Haki Mustafa dhe u riemërua Ardit Çela. Se sa do vidhet nga këto transaksione qindra milionëshe ende nuk ka një faturë, por me gjasë kjo sdo të zbulohet kurrë, pasi si OSHEE ashtu dhe KESH nuk janë institucione që shquhen për dashamirësi ndaj transparencës. Ndërkohë, nuk dihet ende se përse kredia e Bankës Botërore i është dhënë KESH dhe jo OSHEE. Kesh nuk është institucioni që përgjigjet për blerjen e energjisë dhe kjo kërkon një transparencë më vete.
Situata
Ndërkohë situata energjetike në vend është vërtet kritike. Menjëherë pas zgjedhjeve ka filluar kufizimi me energji elektrike në të gjitha zonat e vendit, dhe po justifikohet me preteksin e remonteve. Në fakt problemi është më i thellë, pasi gjatë fushatës elektorale, qeveria preferoi të shkarkonte të gjitha kaskadat, me qëllim që energjia mos mungonte dhe kjo mos i kthehej në kosto elektorale. Por raportimet nga të gjitha zonat e vendit tregojnë për mungesa të zgjatura energjie, dhe në vendet turistike ku sezoni ka filluar. Për shembull, në të gjithë bregun nga Borshi deri në Sarandë energjia elektrike mungon me orë të tëra, në Tiranë energjia ndërpritet pa asnjë paralajmërim. Janë vetëm shenjat e para dhe nuk përjashtohet mundësia që kësaj vere të përjetojmë një krizë energjetike të zgjatur.
KESH kërkesë për rritjen e çmimit të energjisë!
Aktualisht KESH një kilovator energji e shet 1.45 lekë ndaj Operatorit të Shpërndarjes (OSHEE), kur e prodhon vetë, ndërsa nuk jepet një pasqyrë e saj sa shkon çmimi kur e blen nga importi dhe ja shet OSHEE. Në fakt vitin e kaluar KESH ka kërkuar një rritje të çmimit të shitjes së energjisë ndaj OSHEE me të paktën 2.8 lekë për kilovat, gjë e cila fillimisht nuk është pranuar. Ndoshta për të plotësuar humbjet e KESH bëhen dhe manovrat me shitjen e energjisë, por gjithsesi shumat që lëvizin janë të mëdha. Kërkesa e KESH për të rritur çmimin e shitjes tek OSHEE, ka shtuar zërat për një rritje tjetër të energjisë elektrike, e cila aktualisht është 9.5 lekë për kilovat orë. Një dhuratë tjetër kjo nga qeveria Rama që hoqi fashën e energjisë për të varfërit.
Berisha: Në krye të skandalit qëndron njeriu i besuar i Ramës
Ish-Kryeministri Sali Berisha do e paralajmëronte blerjen e energjisë elektrike me anë të një statusi në Facebook, më datë 16 qershor. Sipas një mesazhi dërguar ish-kryeministrit, në krye të këtij skandali është vetë Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi. Ja postimi i plotë i Berishës. Uji fle, hajni nuk fle! Sekretari i Përgjithshëm i mafies së Kryeministrisë, famozi Agaçi përgatit vendimin për vjedhjen e madhe të radhës në blerjen e energjisë! Zyrtari dixhital denoncon: Agaçin e Kryeministrisë, i cili në kundërshtim flagrant me ligjet, ka përgatitur vendimin për blerjen e energjisë, jo nga OSHEE siç përcakton ligji, por meqenëse Ardian Çela nuk është më në drejtim të OSHEE, vendimi përzgjedh KESH për të blerë energjinë, pasi me drejtorinë e këtij të fundit, ndahen pa vështirësi dhjetëra milionë euro në dem të qytetarëve shqiptarë. I bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të godasë me forcën më të madhe të ligjit këtë mega korrupsion të Sekretarit të Përgjithshëm të mafies shtetërore, Agaçi dhe narko-drejtorit të përgjithshëm të KESH. Lexoni më poshtë mesazhin e zyrtarit dixhital! “Doktor këtë verë do të jemi pa drita, sepse hidrocentrali i Fierzës është zbrazur pa filluar behari akoma. Po fillon të duket Kukësi i vjetër. Me një akt banditesk dhe antiligjor, nën orkestrimin e mega hajdutit Agaçi dhe drejtorit të KESH kanë përgatitur farsën e radhës. Kërkojnë t’i japin të drejtë drejtorit të KESH të vjedhë me tender për llogari të mega-hajdutit, duke blerë energji me pretekst se është përkeqësuar niveli i kaskadës së Fierzës. Ndërkohë që detyrimin për të blerë energji nga importi për të përballuar humbjet dhe për të siguruar me furnizim të pandërprerë i ka OSHEE. Kjo manovër do të ketë humbje të madhe të dyfishtë nga njëra anë KESH pavarësisht çmimit të blerjes, është i detyruar t’i shesë OSHEE me çmim tavan 3 lekë/KËh (psh e blen me 20 lekë/KËh dhe e shet me 3 lekë/KËh) dhe nga ana tjetër OSHEE detyrohet të blejë sërisht nga importi për të përballuar humbjet”.
KLSH: OSHEE i ka borxh KESH 370 milionë euro
Edi Rama ka deklaruar jo pak herë pas varjes së njerëzve për faturat e energjisë elektrike, se OSHEE ka dalë me fitim. Por Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një anë të errët e tyre. OSHEE mund të ketë dalë me fitim siç thotë kryeministri, por ajo i ka KESH–it plot 370 milionë euro borxhe. Dhe ky borxh është i përllogaritur deri më datën 20 shtator 2016. Nga një inspektim i Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se OSHEE dhe OST janë larg realizimit të objektivave për të krijuar një sistem të qëndrueshëm energjetik me aftësi likuiduese. KLSH thotë se OSHEE i detyrohet KESH-it 50.9 miliardë lekë ose 370 milionë euro. Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për blerjen e energjisë elektrike është 50.9 mld lekë (370 mln euro). Detyrimi OSHEE ndaj KESH për huatë afatgjata është 11.3 mld lekë. Detyrimi i OSHEE ndaj OST për transmetim energjie, shërbime dhe kredi është 8.2 mld lekë. Në total, detyrimi total i KESH, OSHEE dhe OST, deri më datën 20 shtator 2016, është 80.6 miliardë lekë. Qeveria Rama ka kohë që kërkon t’u tregojë shqiptarëve se reforma e saj në energjetikë ishte e suksesshme. Dhe në krye të sukseseve rendit OSHEE, një ndërmarrje që është akuzuar vazhdimisht nga opozita për vjedhje dhe abuzime me tenderat. Për të reformuar sistemin energjetik, pak muaj pasi erdhi në pushtet, qeveria Rama mori 150 milionë euro borxh nga Banka Botërore.
18 milionë euro për blerje energjie në një muaj
Situata e vështirë hidrike e ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes të hapë me shpejtësi procedurat për të nisur importet e energjisë. OSHEE-ja ka çelur ankandin për të blerë mbi 285 mijë megavat energji nga importi, për të përballuar furnizimin e vendit me energji për periudhën 28 qershor-31 korrik.
Rezerva hidrike në kaskadën e Drinit ka rënë në nivele minimale. Sipas të dhënave zyrtare nga Korporata Elektroenergjetike, aktualisht niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 15 metra më i ulët sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Paralelisht, prurjet mesatare të ujit për periudhën janar-qershor kanë qenë 40 për qind më të ulëta sesa mesatarja dhjetëvjeçare.
Me sasinë e shpallur për të blerë, OSHEE-ja synon të plotësojë 53 për qind të konsumit, ndërkohë që pjesa tjetër prej 47 për qind do të përballohet nga prodhimi vendas.
Importet e detyrueshme të energjisë janë një goditje jo e vogël për bilancin e Operatorit të Shpërndarjes dhe të të gjithë sistemit energjetik këtë vit. Llogaritë paraprake tregojnë se, me çmimet aktuale të energjisë në bursë, OSHEE-ja do të duhet të shpenzojë rreth 18 milionë euro vetëm për importet e muajit korrik.
Megjithatë, importet nuk cenojnë vetëm anën financiare të kompanisë, por edhe treguesit e sistemit energjetik. Burime nga OSHEE-ja thonë se, për shkak të importeve, kompania do të detyrohet të shkurtojë investimet. Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta në treguesit e sistemit, pasi vështirëson uljen e humbjeve, të cilat këtë vit sipas gjasave nuk do të reduktohen sipas planit.