Çfarë fshihet pas vrasjes së ish efektivit të policisë!

Zbulohen detaje të reja nga ekzekutimi mafioz i ish-policit 26-vjeçar, Santiago Malko, në rrugën “Xhanfize Keko”, në Tiranë. bwhet e ditur se policia ka përjashtuar nga pistat e hetimit konfliktin e ish-policit me vëllezërit Gentian e Edmond Lashi, në vitin 2016, pasi anëtarët e të dy familjeve i kishin dhënë besën njëri-tjetrit se do ta mbyllnin këtë ngjarje.

Për këtë arsye, pistat kryesore të hetimit janë përqendruar në fushën e biznesit të lojërave të fatit të viktimës, si dhe në faktin se ai ka qenë një ndër protagonistët e ngjarjes së 4 tetorit të vitit të kaluar në zonën e ish-Bllokut, ku u vra një person.

Santiago Malko ishte përjashtuar nga Policia e Shtetit në vitin 2014, për shkak të një problemi me lojërat e fatit. Ai kishte një biznes me lojëra fati, me të cilin kishte thyer ligjin. Deri në momentin e përjashtimit nga policia, ai ishte një person pa probleme me drejtësinë.

Por, pas përjashtimit, i riu ka nisur problemet me ligjin, me konfliktin në lokal me vëllezërit Lashi, ku pati tentativë edhe për përdorimin e armëve. Por ky konflikt ishte mbyllur me mirëkuptimin e të dyja familjeve, ndaj dhe është përjashtuar të jetë një ndër arsyet e vrasjes së 26-vjeçarit.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 minuta, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri drejt një automjeti në lëvizje tip “BMW X5”. Për pasojë humbi jetën 26-vjeçari Santiago Malko, i cili ishte i vetëm në mjet.

Malko, pak para atentatit kishte lënë makinën e tij tip “BMW X5” në një lavazho të zonës, dhe kur ka dalë në rrugën kryesore rruga i është prerë nga një automjeti tip “Mercedes” nga i cili është lëshuar një breshëri automatiku. Si pasojë, Malko ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur fillimisht me disa kosha plehrash. Më pas, mjeti tip “BMW” ka hyrë në territorin e një biznesi privat. Autorët janë larguar në drejtim të fshatit Ferraj, ku dhe kanë djegur mjetin e tyre, tip “Mercedes Benz”. Burime policore thanë se brenda makinës u gjet një armë tip kallashnikov, që dyshohet se është përdorur në atentat.

1 person në kërkim

Lidhur me krimin, 1 person u shpall në kërkim nga policia. Burime policore thanë se është identifikuar një prej personave që dyshohet se morën pjesë në atentat, me inicialet D.A., i cili është shpallur në kërkim.

E shkuara

Santiago Malko, është një emër i njohur për policinë e Tiranës. Malko përfundoi kursin për Patrullë të Përgjithshme dhe ka qenë pjesë e kësaj strukture në Policinë e Tiranës vetëm për 3 muaj, më pas është tërhequr vetë nga Policia.

Më 16 prill 2016, ai ka pasur një konflikt me vëllezërit Edmond e Gentian Lashi, 34 e 26 vjeç. Të dyja palët, kishin në pronësi lokale bastesh sportive në të njëjtën zonë, por sipas Policisë konflikti ka ndodhur në lokalin e Edmond Lashit. Ka qenë ish-polici Santiago Malko që ka shkuar në pikën e basteve të vëllezërve Lashi dhe është konfrontuar fizikisht me ta. Nga përleshja fizike, 23-vjeçari është plagosur lehtë, pasi është goditur me grusht në hundë. Ish-polici ka tentuar të përdorë armën, madje duke goditur njërin prej vëllezërve me qytën e saj. Më pas dy vëllezërit kanë ndërhyrë dhe ia kanë marrë armën, duke parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

Malko njihej edhe si mik i Elvis Martinajt, një nga protagonistët e vrasjes së bujshme në Bllok, madje ishte filmuar si i pranishëm në afërsi të skenës së krimit ku si pasojë u vra Fabian Gaxha, dhe ndërkohë u plagosën Eljon Hato dhe vetë Ervis Martinaj.

Exit mobile version