Nga Sali BERISHA
Miq, dje Edi Rama emëroi drejtues të Gjendjes së Jashtëzakonshme, Bledi Çuçin, njeriun që meritë të vetme ka se është bashkëjetuesi aktual i Delina Ficos, ish-gruas së dytë të Edvinit, influente gjer sot tek ky i fundit sa për të emëruar Bledin, ministër në qeverinë e ish-burrit të saj.
Në fakt, në kabinet Bledi nuk është thjesht vetëm ministër, por është minister intim apo i familjes ndaj dhe ai do të hyjë dhe në librin “Guines”, sepse në kundërshtim flagrant me të gjitha ligjet e vendit për Gjendjen e Jashtëzakonshme dhe për herë të parë në historinë e botës – një Ministër Bujqësie emërohet shef drejtues i komitetit të ngritur për menaxhimin e saj.
Vetkuptohet, emërimin e tij të jashtëzakonshëm, Rama e bëri në kundërshtim me ligjet për arsye personale të jashtëzakonshme dhe në një kohë kur gjithë Tirana, Durrësi dhe gjithë Shqipëria tregojnë me gisht Ramën dhe Gjushin, sigurisht jo për tërmetin, por për ndërtimet kallpe që mbajnë firmat e tyre në këto dy qytete.
Kështu që Bledi, ministri i familjes, u emërua në mënyrën më paradoksale dhe të kundërligjshme, Shef i Gjendjes së Jashtëzakonshme me detyrë konkretisht:
1 – Për të fshehur me çdo kusht, gjurmët e krimeve të Edvinit si Kryetar i bashkisë i Tiranës, qytet në të cilin janë dëmtuar me dhjetëra e dhjetëra pallate të ndërtuar jashtë të gjitha kondicioneve ligjore për të cilat ai ka përgjegjësi ligjore direkte.
Pyetja e gazetares Eni Vasili se e kujt është përgjegjësia për pallatet e kashtës që u rrënuan apo u dëmtuan rëndë në këtë katastrofë, Rama iu përgjigj se ai nuk ka ndërmend të merret e të gërmojë në vitet 70-të.
Mirëpo në të vërtetë përveç pallateve të viteve ‘70 që u rrënuan në Thumanë, janë dëmtuar rëndë edhe pallate të reja të viteve të qeverisjes së Ramës dhe Gjushit në Tiranë dhe Durrës, madje në këtë të fundit dhe pallate të ndërtuara edhe këto dy apo 5 vitet e fundit.
Pikërisht se Çuçi u ngarkua me këtë detyrë, ai dje orët e para të saj kreu krimin e rëndë, prishi në Durrës me IKMT pallatin që ishte nën hetim nga Prokuroria. Përveç kësaj, dje Gjushi betoni doli për herë të parë nga vrima ku ishte futur.
Çuçi i familjes, jo vetëm e prishi pallatin e krimit, por mbrëmë në televizion mashtroi pafytyrësisht shqiptarët, duke deklaruar me zë dhe figurë se ai prishjen e bëri në konsultim me ekspertët më të mirë europianë dhe vendim të Këshillit bashkiak, në një kohë që u faktua po në studio live se ai nuk kishte bërë asnjë konsultim me ekspertë të njohur europianë dhe nuk kishte asnjë vendim të Këshillit bashkiak, por duke shkelur çdo rregull dhe ligj kishte kryer krimin e shëmtuar, prishur me urdhër të Ramës për të zhdukur gjurmët e krimit, pallatin e Gjushit, pasi Rama dhe Gjushi janë tani si binjakët siamezë që lindin me një shtyllë kurrizore të përbashkët.
Një veprim të tillë asnjë zyrtar tjetër përveç ministrit të familjes, nuk mund të guxonte apo mendonte ta bënte.
Ndonjëri që mund të thotë se përgjegjësia në Durrës nuk është e Ramës, i them se përgjegjësia penale për shkeljen e rregullave dhe ligjeve të ndërtimit dhe urbanistike, është e njëjtë kudo që ndodh dhe në këtë fatkeqësi Zoti e lidhi vet në kohë në këto dy qytete, këtë përgjegjësi.
2 – Arsye e dytë madhore pse u emërua në kundërshtim më të gjitha ligjet, Bledi i familjes janë “kujdesi” familjar për fondet dhe ndihmat të cilat janë gjithnjë një shesh për të bërë përshesh nga hajdutët qeveritarë dhe në këtë drejtim Rama, përveç Olsit që e ka punësuar Gazi, nuk mund të kishte njeri mbi tokë më të përshtatshëm.
Kështu që ky emërim familjar ndjell mjerim edhe më të madh për të dëmtuarit, konkretisht jo vjedhjen e ndihmave të tyre, qeseve me xhupa, oriz, atlete apo makarona nga ndonjë police, por zhdukjen e miliona e dhjetëra miliona euro e dollarë në ishujt Kajmanë, vrimat e zeza të parave të grabitura nga kreu i Meduzës!
Dale, dale, nuk keni parë gjë akoma!