Çfarë ka Doktori më shumë se të tjerët

Nga Namir LAPARDHAJA

Autoritetin. Doktori (Sali Berisha) është një autoritet i padiskutueshëm.
Mjafton të shohësh se kush e viziton zyrën e tij private dhe, pavarësisht propagandës kundër tij, ai shërben si vend rrëfimi. Autoriteti fitohet ndër vite, me Eksperiencë dhe Seriozitet.
Vitet nën supet e krusura dhe vragat në fytyrë kanë shenjuar autoritetin e tij.
Doktori është sot politikani aktiv më me eksperiencë.
Tek ai i gjen të gjitha. Fitoret dhe humbjet. Ngjitjet dhe rëniet.
Ndonjëherë edhe rrokullimat.
Serioziteti i tij duket tek fjala.
Thonë se “JO-ja” e tij është jo, po ashtu e njëjta gjë vlen edhe për “PO-në”. Çuditshëm ndodh me Doktorin se ndaj tij ke të njëjtin respekt kur të thotë jo, imagjino se kur të thotë po.
Doktori nuk është “rritur” me hormone. Rrugëtimi nga malet e Viçidolit për në “Pallatin e ëndrrave” në kryeqytet nuk ka qenë i lehtë, përkundrazi ka qenë tejmase i vështirë.
Por ai ia ka dalë.

I vetëm, me një xhaketë të vjetër dhe një valixhe të drunjtë dhe me hapat e tij prej malësori, jo vetëm që kapi kohën, por e tejkaloi atë.
Doktori di se çfarë është Vuajtja.
Dhe kush di se ç’është vuajtja, kam përshtypje se din gjithçka.
Doktori është Intelektual i kalibrit të lartë i mbrujtur me të gjithë llojet e baltës së natyrës njerëzore. Ai di se ç’është shoqëria e lartë aq mirë sa njeh edhe tabanin popullor. Ai flet gjuhën formale, aq mirë sa ç’zotëron atë informale me të gjithë variantet e saj.
Së fundmi, Doktorit i vlon gjaku në fytyrë. Ai nuk është homos-mecanicus. Ulje-ngritjet e zërit të tij, emocionaliteti i imazhit, mimika, toni dhe intonacioni janë armë të forta të tij. Fjala e Doktorit të godet, ajo ngjit, lë shenjë thellë dhe gjatë. Ai e mbështjell fjalën me magji. Është një lloj magjistari i fjalës.
Kaq për sot për Doktorin. Sigurisht që Doktori, përveç anës së ndritshme, ka edhe hijet e tij, por meqenëse Doktori i përket historisë tashmë, me këtë pjesë le të merren historianët në të ardhmen.

Exit mobile version