Çfarë ka ndodhur në Ballkan këto muaj që ka tërhequr vëmendjen e CIA-s amerikane, ndërsa shefi i kësaj agjencie Uilliam Bërns ishte së fundmi në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës dhe Beograd

Nga Sebastian Zonja

1. Me futjen e prorusëve në qeverinë malazeze, nisi një konflikt me Kroacinë. Mbeti pak jashtë vëmendjes së medieve qendrore, ndërkohë që tonet u ashpërsuan shumë. Prorusët dhe proserbët në Mal të zi janë unison sa i përket rihapjes së çështjeve të Luftës së Dytë Botërore me ustashët kroatë.

2. Serbia nuk e ka sansksionuar Rusinë për luftën pushtuese në Ukrainë, ndërkohë që ideatori i sulmit terrorist në Banjskë mbrohet nga Beogradi. Së fundmi, ish-shefi i shërbimit inteligjent serb Aleksandër Vulin ishte në Moskë.

3. Incidenti me presidenten Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit mund të shihet në prizmin e sigurisë si tentativë për të ndezur tensione etnike në Maqedoninë e veriut.

4. Bosnja është një vatër e nxehtë aktualisht. Ndërkohë që ka bashkëpunim mes Kroacisë dhe Serbisë për të izoluar faktorin boshnjak, myslimanët e Bosnjës kanë çelur një derë për influencën e Iranit në Sarajevë.

5. Po në Bosnjë, Milorad Dodik nuk ka mbështetjen e Beogradit sa ka atë të Moskës. Tentativat e tij për shpërbërjen e federatës boshnjake, duke sjellë fantazmat e luftës së tre dekadave më parë, kanë ngritur antenat e agjencisë amerikane të inteligjencës.

6. Diplomacia perëndimore ka dështuar për të afruar Ballkanin me Bashkimin Evropian, ndërkohë që ka lënë dyer të hapura për influenca ekonomiko-politike për Kinën, Rusinë dhe Iranin. Edhe pse nuk e pranon, dështimi duket haptazi.

7. Kisha Ortodokse Serbe është e lidhur ngushtë me Kishën Ruse dhe shërben si instrument propagande dhe destabiliteti. E njëjta qasje që u përdor me ndihmën e Greqisë për të shkëputur Kishën Ortodokse të Ukrainës nga tutela e Moskës, mund të përdoret për të shkëputur këto fije të politikës shoviniste që ndjek Rusia me anë të instrumentave fetarë dhe etnikë sllavë në Ballkan.

8. Po ashtu, një tjetër instrument i Rusisë për të shtuar influencën e saj në Ballkan është gazi dhe nafta. Faktorizimi i Kroacisë si pikë qëndrore për shpërndarjen energjetike në Ballkan sjell stabilizim të rajonit nga varësia ruse që aktualisht ndihet në Hungari dhe Serbi.

9. Situata është bërë më e ndërlikuar teksa pritet sulm iranian ndaj Izraelit dhe Ukraina ka hyrë në Kursk. Zbritja e shefit të CIA-s në terren tregon se situata nuk është e mirë.

10. Pas këtyre nëntë pikave, vlen të pyesim gjithë analistët e darkave në Prishtinë – Tiranë dhe Shkup nëse qënkesh me vërte Kosova ajo që tensionon gjithë Ballkanin apo është Serbia dhe fijet e Rusisë?

Artikulli paraprakFatura e PPP këtë vit 11% më shumë. Një ndër shkaqet, inceneratori i Tiranës
Artikulli tjetërAksident i rëndë në aksin Elbasan – Librazhd, përfundojnë në spital katër anëtarët e një familjeje