Çfarë la pas David Kameron

The Guardian

Vendimi i papritur i David Kameron për të lënë mandatin e deputetit, vetëm dy muaj pasi dha dorëheqjen si Kryeministër, plotëson një nga të tatëpjetat më të shpejta dhe sigurisht më spektakolare në politikën moderne britanike. Në një moment ai gjendej në majë, si fitues i zgjedhjeve parlamentare, përballë një opozite të përçarë. Tashmë, po largohet krejtësisht nga skena politike. Ka pasur ministra të kabineteve qeveritare të të gjitha palëve, që janë zhdukur nga skena politike pa shumë bujë. Por kjo nuk ka ndodhur shpesh me një Kryeministër.
Për më tepër, zoti Kameron e rrënoi karrierën tërësisht me duart e veta. Nga paraardhësit e tij të fundit në 10 Downing Street, Gordon Braun dhe Xhin Mejxhër u larguan pas humbjes së zgjedhjeve, pra diçka që s’mund ta shmangnin, ndërsa Margaret Theçër dhe Toni Bler u detyruan të largohen, pasi kishin qëndruar në detyrë për një kohë të gjatë.
Vetëm zoti Kameron u largua për shkak se hodhi vetë gjithçka në erë, në rastin e tij duke thirrur një referendum mbi qëndrimin apo jo të vendit në BE, ku atij i mungonte si mbështetja popullore ashtu edhe e partisë për të fituar. Ai do të mbahet gjithnjë mend si Kryeministri, karriera e të cilit u shkatërrua nga Evropa. Dhe ai e meritoi këtë. Tani i ka kthyer shpinën Uestminsterit në moshën 49-vjeçare.
E megjithatë zoti Cameron nuk largohet duke e lënë partinë e tij me asgjë për t’i qenë mirënjohës. Përkundrazi. Pak ditë më parë komisionet përkatëse kanë publikuar propozimet për rishikimin e kufijve administrativë zgjedhorë në Angli dhe Uells. Zona elektorale e zotit Kameron në Uitni, ku së shpejti do të duhet të mbahen zgjedhjet e pjesshme për të plotësuar vendin vakant, është një nga të paktat që nuk do të ndryshojë.
Ndërkohë qindra të tjera do t’i nënshtrohen ndryshimeve shumë radikale, si pjesë e reduktimit të numrit të vendeve të Uestminsterit nga 650 në 600 deputetë. Edhe pse zoti Kameron largohet nga politika si një njeri që dështoi, me këto ndryshime të kufijve ai mund t’i lërë Partisë Konservatore një trashëgimi të qëndrueshme zgjedhore, për të cilën konservatorët do ta falënderojnë për dekada të tëra.
Nuk janë vetëm ndërtesat në Uestminster që nuk u përshtaten më qëllimeve, sikurse e konfirmoi një tjetër raport javën e kaluar. Britania ka shumë më tepër parlamentarë nga sa ka realisht nevojë. Por problemi më i madh nuk është madhësia e Dhomës së Komuneve, por ajo e Dhomës së Lordëve, ku për shkak të një trupe prej më shumë se 800 anëtarësh (për emërimet e të cilëve zoti Kameron ka dhënë një kontribut të madh), Britania e Madhe ka më shumë se 1400 deputetë dhe lordë.
Transferimi i një pjese të pushtetit tek parlamentet lokale në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut, e ka ulur ndërkaq rëndësinë e Uestminsterit jashtë Anglisë. Kërkesa për një reformë të duhur e të ekuilibruar, që të përfshijë një reduktim në madhësinë e përgjithshme të Parlamentit Uestminster, është diçka e vështirë për t’u kundërshtuar.
Megjithatë në mënyrë tipike, zoti Kameron vuri në lëvizje një reduktim gradual të numrit të deputetëve për arsye taktike afatshkurtra. Reformat e tij nuk qenë të balancuara dhe gjithpërfshirëse. Përkundrazi, ai iu përgjigj armiqësisë publike ndaj politikës pas skandalit të shpenzimeve, së bashku me frustrimet angleze mbi çështjen West Lothian, me shkurtimin e numrit të anëtarëve në Dhomën e Komuneve, në një mënyrë që nuk i përgjigjet efektive asnjë problemi, ndërsa krijon njëherazi një paragjykim në favor të konservatorëve dhe Anglisë.
Në disa aspekte ky është një rast për të pasur më shumë dhe jo më pak deputetë. Një popullsi në rritje, do të thotë se që nga viti 1950, numri i votuesve në një zonë elektorale është rritur mesatarisht me një të katërtën. Gjatë së njëjtës periudhë ngarkesa për një deputet është bërë shumë më e rëndë.
Shkurtimi i numrit të deputetëve, mund t’i sigurojë medias tituj tërheqës për një ditë. Por ajo zvogëlon shërbimin që deputetët mund t’u ofrojnë zgjedhësve të tyre në vitet që do të vijnë. Është e vështirë të shihet se në ç’mënyrë e rrit kjo besimin apo respektin ndaj demokracisë përfaqësuese. Shqetësimi kryesor me propozimet e publikuara nuk është ndryshimi i kufijve.
Një sistem elektoral, që siguron një lidhje të paçmuar ndërmjet votuesve dhe deputetëve, duhet të riformatohet në mënyrë të pavarur dhe të drejtë, ndërsa kohë pas kohe të ndryshojë për t’u përmirësuar. Ky ushtrim ka qenë i pavarur. Por kufijtë e rinj janë të bazuar mbi një kuotë elektorale, e cila rrjedh nga një sistem zgjedhor i regjistrimit individual, që lë 8 milionë votues potencialë me të drejtë vote jashtë listave.
Ajo përjashtoi regjistrimin për referendumin e BE-së të 2 milionë votues të rinj, në favor të listës së vitit 2015. Ajo diskriminon studentët dhe ata në qytetet e thella të Anglisë. Kjo është diçka e padrejtë, sidomos për laburistët. Është me vend që zoti Kameron ka rrëmbyer titujt e mediave duke u larguar pikërisht në momentin kur sistemi zgjedhor është duke u ndryshuar në favor të konservatorëve.
Ai inicioi ndryshimet e kufijve të zonave zgjedhore. Ai vendosi rregullat. Prioriteti i tij ishte interesi i partisë. Ai premtoi drejtësi, por nuk bëri asnjë përpjekje për të ofruar atë ose për të patur publikun me vete. Ndaj lë një rrëmujë të madhe pas shpine. Një udhëheqës i mirë do të largohej me reputacionin e paprekur. Megjithatë, kur u vu në provë, zoti Kameron dështoi.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version