Hamit TAKA
Të shkruash për njerëz të mëdhenj nuk është e lehtë, për arsye se ata kanë shumë gjëra për të thënë, të cilat s’mund t’i sistemosh në sinkron e në substancë, për të dhënë personalitetin e tij si një të tërë, të hedhësh dritëhijet e portretit të plotë të tij. Në këtë kuptim më e lehtë është të mos marrësh përsipër të pamundurën, përpjekjen që të japësh begraundin e tij letrar, shkencor apo politik, por të pranosh e të deklarosh se përcjell te lexuesi mbresat e tua personale për subjektin e shkrimit. Të jem i sinqertë me veten dhe me lexuesin, personalisht unë mbaj mend më shumë gjëra pikante të shkrimtarit të mirënjohur, Dritëro Agolli, në periudhën pas ‘90-ës se para saj. Para ‘90-ës kam lexuar të gjitha romanet, tregimet, poemat e vëllimet me poezi, por nuk kam patur rastin e moshën të lexoja asgjë nga gazetaria e tij. Nga proza sigurisht më ka mbetur në mend kryeromani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, si dhe romanet e tregimet, që janë ekranizuar. Nga krijimtaria poetike më kanë mbetur poemat me të cilat ka fituar çmime kombëtare, pavarësisht nga brendësia ideologjike, të cilës nuk i shmangej dot askush dhe mjaft poezi lirike për vendlindjen. Nuk do të harroja dhe përkthimin e vëllimit me poezi të Pol Elyar, “Duart e lira”.
Ama pas vitit ‘90-të kam shumë momente pikante dhe kontribuese për demokracinë, të cilat nuk më fshihen nga mendja asnjëherë, që personalisht mund ta quaj një “pishtar i demokracisë” në kampin e majtë, të cilin, fillimisht, bënë përpjekje ta shuanin dhe kur nuk ia arritën, e shpallën patriark të tyren. Si i thotë populli “dorën, që s’e thyen dot, e puth”.
Ishte Dritëroi që në Kogresin e 10-të të Partisë së Punës i bëri autopsinë rëntgenografike periudhës së regjimit komunist, duke e përqendruar kamerën e tij tek diktatori Hoxha, që ishte ideatori gjakpërlyer i atij regjimi despotik, që e izoloi Shqipërinë nga bota, varfëroi në ekstrem popullin dhe vrau e la pa varre kundërshtarët e tij.
Thashë më lart se nuk kam njohur publicistikën e tij para ‘90-ës, por e pashlyeshme ka qenë publicistika e tij analitike në shtypin e shkruar pas vitit ‘90. Do të përmendja titujt e analizave “Enver Hoxha burgosi lekun”, ku thoshte hapur se regjimi e kishte lidhur shqiptarin pas borderosë, të cilin ia priste me urdhër, kur të donte dhe i priste bukën e gojës për fëmijët, forma më e avancuar e skllavërisë së popullit të vet. Po aq mbresa më ka lënë shkrimi te gazeta “Zëri i rinisë” me titull “Oburra, doli dhe një armik klasor”, ku përshkruante bujën dhe entuziazmin që shkaktonte arrestimi i një qytetari për bindje apo veprimtari politike kundra regjimit, duke stigmatizuar dhe ata qytetarët që gëzoheshin nga rrallimi i njerëzve inteligjentë dhe kurajozë etj., etj.
Dritëroi ishte një intelektual i ekuilibruar, ai dinte të çmonte edhe te kundërshtarët vlerat e qenësishme dhe të dobishme për individin e shoqërinë. Në një shkrim në gazetën “Koha Jonë”, ai evidentonte ndonjë të metë në repertorin politik të ish-Presidentit e ish-Kryeministrit Berisha, por nuk ngurronte të vinte në dukje epërsinë e tij ndaj liderëve të tjerë politikë. Për shembull, ai thoshte, fjalë për fjalë, se ishte presidenti më energjik i Ballkanit dhe në fund shpërthente me ato të tijat se, po ta kishte në krye Partia Socialiste, nuk e lëshonte pushtetin për 75 vjet. Po ashtu si nuk ngurronte e nuk frikohej t’ua nxirrte në evidencë drejtuesve të partisë tij në qeverisje të meta të mëdha e paqartësi skandaloze në drejtim, siç ishte rasti i parimit të meritokracisë, që e trumbetonte me të madhe për propagandë, arma e përzgjedhur e PS-së, e trashëguar nga partia mëmë, ish-kryeministri Nano. I ndjeri Dritëro, me atë sarkazmën e mprehtë të tij, e etiketoi “shkërdhatokraci”, epitet që mori dhenë dhe tronditi qeverinë Nano 1.
Këto janë shërbime reale për demokracinë tonë të brishtë, të cilat PD ia ka njohur, si pjesë e kontributeve madhore në tërë veprimtarinë e mirënjohur intelektuale e shoqërore Dritëroit. Këtë e kanë shprehur e treguar me vepra edhe dy liderët kryesorë të Partisë Demokratike, Sali Berisha e Lulzim Basha. Në Kongresin e parë të PD, zoti Sali Berisha përmend romanin e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” si kontribut në zgjimin e ndërgjegjësimin e qytetarisë dhe si reagim i guximshëm intelektual ndaj huqeve të diktaturës. Po ashtu, zoti Lulzim Basha e ka vlerësuar Dritëroin edhe sa ishte kryetar i Bashkisë së kryeqytetit (të gjithëve na kujtohet buqeta me lule për ditëlindjen e tij), sikundër edhe tani, me rastin e ndarjes së tij nga jeta.
Jo vetëm jeta e Dritëroit ishte e çmuar, por edhe vdekja e tij, e cila bashkoi shqiptarët, sigurisht shumicën, pa dallim bindjesh politike, ku populli shqiptar tregon herë pas here qytetarinë e tij në raste të tilla.
Por nuk mund të mos i bjerë në sy vesi i prijësave shqiptarë dhe lolove të tyre, për të përfituar edhe nga vdekja personaliteteve të shquara të kombit dhe për të krijuar situata humoristike në funeralet e tyre. Të gjithë folësit në ceremoninë e përcjelljes së Dritëroit përfituan për të promovuar meritat e arritjet e tyre, sikur të ishte ceremoni e dekorimit të tyre. Ndodhi, që e evidentuan edhe njerëzit e thjeshtë anonimë në emisionin e shumëpëlqyer nga publiku, “Është ora për t’u zgjuar”, ku njëri prej tyre, duke karikaturizuar mjaft folës delirantë në ceremoninë funerale, me shprehjen e njohur të estradë së Fierit “Doni më për Belulin”…
Ishte e pritshme edhe që vdekja konvencionale e shkrimtarit, nga një minorancë e vogël u përcoll edhe me anatemime, për të cilat nuk ishte moment. Ajo pakicë ka arsyet e veta, dikush personale, dikush ashtu i mendon. Ata u morën më shumë me anën politike të tij, sëmundja na ka zaptuar e nuk na shqitet ne shqiptarëve. Sidoqoftë triada hegeliane është në fuqi për çdo personalitet të spikatur në jetën e një shoqërie apo një epoke. “Në fillim është mitizimi, pastaj vjen anatemimi dhe në fund vjen gjykimi i ftohtë racional”, kur mbetet dhe duket ajo që është substrati i vlerave reale të individit në shtrirjen kohore të qytetërimeve.
Jo pa qëllim e lashë për në fund diçka për krijimtarinë poetike të shkrimtarit. Dritëroi ishte dhe do të jetë poeti kombëtar lirik, i mbështetur në tabanin kombëtar e popullor, siç i pëlqente të deklaronte dhe vetë shpesh. Por, poezitë e shkruara pas ‘90-ës, janë perlat më të mira të tij, që do të thotë se edhe atij i kishte munguar liria e shprehjes.
Poetët e vegjël janë si meteorët, ndrisin pak e shuhen, të mëdhenjtë janë sy yjet, ndrisin përgjithmonë.