Aleatët fituan në Luftën e Dytë Botërore falë parave, teknologjisë dhe aftësive prodhuese, si dhe vendosmërisë, lidershipit dhe sakrificës. Pa garantuar mjaftueshëm para, retorika e Britanisë por edhe e vendeve të tjera të Evropës për mbrojtjen, do të jetë boshe…
Sot po jetojmë në një epokë të re kërcënimesh. Kështu shkruan Sekretari i Mbrojtjes John Healey në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të sapopublikuar. Ky është një dokument i besueshëm, që pasqyron punën e ekipit serioz të mbledhur enkas për të punuar për të.
Megjithatë, ai është kritikuar për shkak të premtimeve të shumta, që nuk shoqërohen me shpjegimin se nga do të vijnë paratë. Kryeministri britanik Keir Starmer, është zotuar të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 2.5 për qind të PBB-së deri në prillin e vitit 2027, me ambicien për të arritur nivelin 3 për qind deri në legjislaturën e ardhshme, që si rregull përkon me fundin e vitit 2028.
Ky është një hap i parë pozitiv. Por rëndësi ka jo vetëm hartimi i një plani, por edhe financimi i plotë i angazhimeve dhe prioritizimi i investimeve që parashikohen. Në lidhje më çështjet e mbrojtjes, ne zakonisht angazhohemi me nxitim dhe i faturojmë angazhimet sipas dëshirës.
Por mjedisi strategjik ka ndryshuar me shpejtësi. Ne jetojmë sot në një botë ku konkurrenca midis fuqive të mëdha është një realitet. Qeverive në mbarë Evropën, iu desh kohë që të ndërgjegjësoheshin në lidhje me nivelin e kërcënimit.
Ministri i jashtëm i Polonisë, Radek Sikorski, ishte një mbështetës i hershëm i shpenzimeve më të larta për mbrojtjen. Në një fjalim të shkëlqyer, mbajtur verën e vitit të kaluar në Fondacionin Ditchley, ai i kujtoi audiencës së tij: “Jemi në pragun e luftës së ardhshme. Pyetja nuk është nëse do të sulmohemi, por nëse do të jemi gati!”.
Polakët janë përgatitur, sepse kanë qenë edhe më parë në një pozitë të tillë. Historia nuk përsëritet, por shpeshherë rimon. Bota jonë e paqëndrueshme, duket e ngjashme me atë të viteve 1930: nacionalizma konkurruese, dhe një kërcënim i vërtetë për luftë. Gjithsesi, ka edhe dallime. Në vitin 1935, edhe mesin e papunësisë masive dhe vështirësive ekonomike, Britania shpenzonte më shumë nga PBB-ja e saj për mbrojtje, se sa niveli 2.3 për qind që shpenzojmë sot. Dhe kjo në një vit kur 2.5 milionë britanikë figuronin papunë, dhe kur prodhimi industrial nuk ishte kthyer ende në nivelet e para vitit 1929.
Tani dallimi është se janë rritur edhe kërkesat e tjera për buxhetin publik: Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS), pensionet dhe një shtet i madh social. Një qeveri më e madhe, është më e kushtueshme. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por nivelet e borxhit të Britanisë në vitet 1930, ishin shumë më të larta nga sa janë sot.
Prandaj, ne duhet të investojmë tani tek aftësitë e reja, siç bëmë atëherë. Ashtu si fuqia ajrore që në atë kohë përfaqësonte teknologjinë ushtarake më të përparuar, aftësitë kibernetike dhe hapësinore përcaktojnë kufirin e mbrojtjes së sotme. Dhe e gjitha kjo na çon tek detyra që kemi përpara.
Duhet të kemi një debat të fuqishëm kombëtar rreth mbrojtjes dhe kërcënimeve aktuale por edhe të mundshme me të cilat përballemi. Pavarësisht lajmeve të fundit në mediat sociale, publiku nuk ka kuptuar ende sa duhet përmasat e kërcënimit që nga vjen sot nga vende si Rusia.
Mendoj se është detyrë e të gjithë politikanëve tanë në qeveri dhe opozitë që ta nxisin këtë debat. Në këtë rast, ka punë edhe për universitetet, ku me disa përjashtime të rralla, është zbehur mësimdhënia dhe të folurit për luftën dhe mbrojtjen. Ne duhet të shpenzojmë shumë më tepër për mbrojtjen.
Mbretëria e Bashkuar rrezikon të bjerë shumë poshtë në tabelën e shpenzimeve evropiane të mbrojtjes, ndërsa të tjerët po angazhohen të rrisin buxhetet e tyre. Ekziston një logjikë, sipas së cilës Britania duhet të ndjekë qasjen “NATO e Para”, dhe kësisoj të përqendrohet në sfidën afatshkurtër ndaj agresionit rus.
Por ekziston edhe një logjikë tek ruajtja e aftësisë ndaj një “armiku të panjohur”: nuk mund ta dish kurrë se nga mund të vijë kërcënimi i radhës. Sulmet kibernetike, nënkuptojnë se hakerat në Korenë e Veriut ose Kinë mund ta kërcënojnë sigurinë kombëtare të Britanisë së Madhe.
Ekziston ende një logjikë në qëndrimin e Britanisë pranë Shteteve të Bashkuara, aleatit tonë më të fortë, një mik bujar dhe aktualisht vendi më i fuqishëm në botë. Megjithatë, logjikë ka edhe në bashkëpunimin me vendet evropiane – duke e mbrojtur autonominë tonë strategjike – sepse ne kemi nevojë për prodhim dhe inovacion, ashtu si dhe për para.
Aleatët fituan në Luftën e Dytë Botërore falë parave, teknologjisë dhe aftësive prodhuese, si dhe vendosmërisë, udhëheqjes dhe sakrificës. Pa angazhuar mjaftueshëm para, retorika e Britanisë për mbrojtjen do të jetë boshe. Rishikimi këtë vit i strategjisë së mbrojtjes, është një kontribut i madh, por ajo që ka më shumë rëndësi janë paratë.
Këtë do ta shohim këtë javë, kur Ministrja e Financave të paraqesë në parlament rishikimin e shpenzimeve në këtë sektor./Përshtatur nga “Daily Telegraph”
*Shënim: Alexander Evans, lektor në Shkollën e Ekonomisë në Londër.