Çfarë paralajmëron kërkesa e PD për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë dhe Srebrenicë?

Nga Red VARAKU

Kërkesa e Partisë Demokratike të Shqipërisë për miratimin e një rezolute mbi gjenocidin serb në Srebrenicë dhe Kosovë, rezoluta e Kosovës për gjenocidin serb në Srebrenicë si dhe vendimi i Albin Kurtit për ta paditur Serbinë për gjenocid gjatë periudhës së luftës, janë zhvillimet më të rëndësishme politike të javëve të fundit për të ardhmen e faktorit shqiptar në Ballkan.

Kjo sepse ato përcaktojnë zyrtarisht qëndrimin shqiptar ndaj Serbisë dhe qëndrimin shqiptar për pajtim midis Kosovës dhe Serbisë, pajtim që qëndron në zemër të të ardhmes, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe është interes parësor në nivel global.

Sipas këtij qëndrimi që sot ka dhe vulën e parlamentit të Kosovës, fillimisht Serbia duhet të pranojë dhe kërkojë falje për krimet dhe më pas të paguajë reparacionet për dëmet e shkaktuara dhe vetëm pasi të pranojë këtë realitet dhe të paguajë për reparacionet e dëmeve të shkaktuara ka gjasa për një pajtim të mundshëm, por edhe kjo pa cënuar në asnjë rast sovranitetin e Kosovës.

Pra, pavarësisht se si do reagojë kjo mazhorancë në lidhje me kërkesën për këtë rezolutë, këto zhvillime shpallin orientimin e ri të shumicës së shqiptarëve, që kurrsesi nuk mund të kapërcehet apo injorohet.

Ato paralajmërojnë piketat e ardhshme mbi të cilat do të ndertohen raportet e reja në rajon, ku interesat madhore të faktorit shqiptar janë dhe do të mbeten të panegociueshme.

Në kushtet ku Beogradi kërkon të rikthejë hegjemoninë e tij në Ballkan përmes projektit të minischengen, këto zhvillime politike në hapësirën shqiptare janë përgjigja më e mirë e shqiptarëve për të ndalur ëndrrat serbomadhe të Pashiçëve të rinj dhe vasalëve të tyre ndër shqiptarë.

Exit mobile version