Çfarë planifikon Kievi me operacionin në territorin rus? Analiza e DW: Shenja të një strategjie të re, por edhe rreziqe! Deri ku mund të përparojnë trupat ukrainase

Për herë të parë që nga pushtimi rus, Ukraina përdori trupat e saj për të marrë territore ruse. Ekspertët perëndimorë shohin në operacionin e Kurskut shenja të një strategjie të re, por edhe rreziqe.

Ukraina këto ditë me gjasë ndërmori një “hap të parë” drejt ndryshimit të strategjisë ushtarake në mbrojtjen kundër pushtimit rus. Kështu shprehet Jen Spindel, profesoreshë në Universitetin amerikan të New Hampshire mbi zhvillimet e ditëve të fundit në rajonin e Kurskut në Rusinë perëndimore. “Ukraina nuk mund ta vazhdojë këtë luftë siç ka bërë gjatë dy viteve të fundit. Vendi thjesht nuk ka personel dhe armë të mjaftueshme për ta bërë këtë”, tha ekspertja e politikës së jashtme dhe të sigurisë në intervistë për DW.

Ky do të ishte ai ndryshim strategjie, për të cilin Spindel kishte folur që në maj së bashku me kolegët në revistën amerikane Foreign Affairs – “drejt një lufte rraskapitëse në vend të një lufte mes të barabartësh”. Lufta në Ukrainë duhet të bëhet më “asimetrike”. Kjo do të thotë që ushtria ukrainase të mos përballet drejtpërdrejt me ushtrinë ruse – e cila është superiore në shumë aspekte – në fushë të hapur, por të përdorë taktika që janë më të përshtatshme për përmasat e trupave dhe armatimin e ushtrisë ukrainase. Kjo është pikërisht ajo që duket se po ndodh në Kursk. “Ukraina tregoi se territori rus nuk është më i paprekshëm dhe se Ukraina po e sulmon atë për të larguar vëmendjen e forcave ruse nga bombardimi dhe shkatërrimi i Ukrainës”, tha Spindel.

Pse Ukraina sulmoi Kursk?

Një javë pas sulmit të ushtrisë ukrainase drejt territorit rus, Kievi nuk shprehet ende shumë hapur. Presidenti Volodymyr Zelenski deri më tani ka folur vetëm për “zhvendosjen e luftës në territorin e agresorit”. Një zyrtar i lartë ushtarak ukrainas i tha AFP gjatë fundjavës se “mijëra” ushtarë ukrainas ishin të përfshirë në këtë plan. Qëllimi është që të “shpërhapen” forcat ruse dhe të “destabilizohet” situata. Këtë të hënë, Oleksandr Syrsky, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, foli për herë të parë për “operacionin ofensiv në rajonin e Kurskut”. Ukraina kontrollon rreth 1000 kilometra katrorë të tokës ruse, tha gjenerali në një konferencë për gjendjen aktuale.

Presidenti rus Vladimir Putin gjithashtu i komentoi të hënën luftimet në Kursk: “Armiku po përpiqet të përmirësojë pozicionin e tij të ardhshëm negociues”, tha Putin. Por kjo strategji nuk do të ketë sukses. Sipas kreut të Kremlinit, qëllimi kryesor i Rusisë për momentin është zmbrapsja e forcave ukrainase.

Mediat ruse raportuan se forcat ukrainase hynë në rajonin e Kurskut më 6 gusht dhe përparuan shpejt të paktën 10 kilometra. Kurse disa media tani po raportojnë se ushtria ukrainase ka avancuar rreth 30 kilometra në territorin rus dhe se ka pushtuar fshatra të vegjël. Vija e përparme e frontit mbetet dinamike. Kurse Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se avancimi ukrainas është ndalur dhe se luftimet po zhvillohen në dy qarqe të vogla në kufi. Moska është veçanërisht e shqetësuar për termocentralin bërthamor Kursk, megjithëse sipas raportimeve ruse, luftimet janë ende të paktën 30 km larg termocentralit bërthamor. Ky është avancimi i parë i trupave zyrtare ukrainase në territorin rus në përmasa të tilla. Në vitin 2023 pati operacione të vogla në rajonin e Belgorodit nga formacione të opozitës ruse që luftonin në anën e Ukrainës.

Eksperti: “Mirë për moralin, pa rëndësi për luftën”

Marshimi ukrainas në Rusi është “rezultat i një planifikimi të kujdesshëm” nga pala ukrainase dhe një “dështim total i punës së zbulimit rus”, u shpreh për DW historiani ushtarak austriak, koloneli Markus Reisner. Ai i faturon Kievit “fitore të qartë në aspektin e informacionit”, sepse të gjithë tani shohin nga Kursku dhe jo nga Donbasi, ku ushtria ruse po përparon ngadalë pranë qyteteve si Chasiv Yar dhe Pokrovsk. Nëse Ukraina do të ishte në gjendje të mbante zonat në Kursk më gjatë, kjo do ta detyronte Rusinë të rigrupohej dhe do të reduktohej presionin në Donbas, thotë Reisner.

Kurse Gustav Gressel, ekspert i Berlinit në institutin e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), është më skeptik për situatën në Kursk: “E mirë për moralin, e parëndësishme për luftën”, deklaroi Gressel në një analizë për DW në ditët e para të avancimit. “Nuk ka asnjë shenjë se Rusia po shkëput forcat nga lindja për të ndaluar përparimin ukrainas.”  Ndërkohë ka disa raporte të pakonfirmuara se Rusia ka zhvendosur disa trupa nga verilindja e Ukrainës në Kursk. Por Gressel thotë: “Nga një shtrirje e frontit në territorin rus do të përfitone në radhë të parë Rusia, pasi do të strapaconte më tej forcat e armatosura ukrainase.”

Por Ukraina mund të ndjekë edhe qëllime të tjera me përparimin drejt Kurskut, thonë ekspertët për DW. Për shembull – siç u shpreh edhe Putini – të fitojë një pozicion më të mirë negociues me Rusinë. Ose për të ngritur moralin e trupave ukrainase, të cilat “në një luftë rraskapitëse për një vit e gjysmë vetëm kanë mbrojtur pozicionet e tyre”  tha për DW gazetari gjerman dhe eksperti i Ukrainës, Winfried Schneider-Deters. “Është e mundur që udhëheqja ukrainase dëshiron t’i demonstrojë Rusisë, por mbi të gjitha Perëndimit, se Ukraina nuk është në fund të fuqive së saj,” tha Schneider-Deters dhe “se me furnizime të mëtejshme me armë perëndimore ajo ende ka mundësi ta fitojë këtë luftë.”

Çfarë thonë SHBA dhe partnerët e tjerë?

Uashingtoni, Berlini dhe qeveri të tjera perëndimore ia kishin ndaluar prej kohësh Ukrainën të përdorte armët e saj për të sulmuar territorin rus. Drita jeshile erdhi vetëm në maj 2024 pas ofensivës ruse pranë Kharkivit. Megjithatë, leja mbeti e kufizuar në zonën e drejtpërdrejtë kufitare. Por raketat si ATACMS nga SHBA edhe më tej mund të përdoren vetëm në territorin e pushtuar ukrainas. Deri më tani, SHBA ka reaguar e përmbajtur ndaj avancimit të Ukrainës në Rusi. Eksperti, Jen Spindel është i mendimit, se duhet të ketë pasur shumë telefonata të nivelit të lartë midis Kievit dhe Uashingtonit për të ulur përshkallëzimet.

Deri ku mund të përparojnë trupat ukrainase?

Jen Spindel nuk është i mendimit, se operacioni në Kursk po synon të arrijë Moskën. Askush nuk ka interes për këtë. Nga ana tjetër, sa më shumë të përparojë ushtria ukrainase, aq më i madh është rreziku që trupat e saj të shkëputen nga furnizimet. Për të arritur qëllimet e saj, Ukraina nuk ka nevojë të përparojë “shumë larg” në brendësi të Rusisë, thotë eksperti: “Mjafton që ajo të përparojë në zonat që shërbejnë si një zonë marshimi trupash dhe ku Rusia ruan armët e saj. “Nëse Rusia nuk jep një “përgjigje masive” në ditët në vijim, Ukraina mund të përpiqet të sulmojë objektiva të mëtejshëm në Rusi, thotë Spindel. Mbetet gjithashtu për t’u parë nëse Moska do ta shtyjë një “sulm të afërt nga veriu i Ukrainës”.

Por Ukraina gjithashtu duhet të dijë të ruajë ekuilibrin dhe të jetë e vëmendshme ndaj partnerëve të saj perëndimorë, tha Spindel. Deri më tani, Ukraina ka avancuar “mjaftueshëm për një operacion të qartë në Rusi”, por “jo aq mjaftueshëm për të shkaktuar shqetësime për një operacion shumë më të madh”. Në përgjithësi, Spindel nuk pret ndonjë ndryshim të madh në luftë si rezultat i përparimit ukrainas. Ekspertja është e mendimit, se do të ketë operacione të mëtejshme të këtij lloj, ku Ukraina do të mbështetet në elementin e befasisë. Qëllimi: “të çekuilibrohet Rusia”./DW

Artikulli paraprakTreguesit demografikë për tremujorin e dytë 2024, INSTAT: Ja qarku me numrin më të lartë të lindjeve dhe vdekjeve
Artikulli tjetërKonsumoi fostoksinë, 35-vjeçari në gjendje të rëndë në spital