Kina refuzoi një plan të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për hetime të reja mbi origjinën e koronavirusit.
Ditë më parë, OBSH-ja propozoi një fazë të dytë të hetimeve që do të përfshinin auditim të laboratorëve dhe tregjeve në Vuhan – qytetin ku koronavirusi u shfaq për herë të parë.
“Ne nuk do të pranojmë një plan të tillë të hetimit të origjinës, pasi ai, në disa aspekte, sfidon shkencën”, u tha gazetarëve Zeng Yixin, zëvendësministër i Komisionit Kombëtar Shëndetësor të Kinës.
OBSH-ja ka përfunduar fazën e parë të hetimeve në Vuhan, në muajin shkurt.
Atëbotë është konstatuar se nuk ka shumë gjasa që koronavirusi të ketë dalë nga laboratori në Vuhan dhe se ai mund ta ketë origjinën nga lakuriqët.
Disa vende dhe shkencëtarë nuk kanë qenë të kënaqur dhe kanë kërkuar hetime të tjera.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka kërkuar nga agjencitë amerikane të inteligjencës në muajin maj, që brenda tre muajsh t’i raportojnë nëse koronavirusi e ka burimin te kafshët apo nga ndonjë aksident laboratorik.
Zeng kërkoi nga OBSH-ja që t’i zgjerojë përpjekjet e kërkimit të origjinës së koronavirusit përtej Kinës, në vende të tjera. OBSH-ja e ka shpallur pandemi koronavirusin në mars të vitit 2020. Deri më tash, koronavirusi ka prekur mbi 191.9 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 4.1 milionë kanë vdekur.