Pak ditë më parë Radio Televizioni Shqiptar shpalli një tender surprizë. Ky institucion kërkon të pajtojë një studio juridike për ta këshilluar mbi një kontratë delikate që është lidhur që në mars 2015 nga Ministria e Inovacionit e drejtuar nga Milena Harito. Kjo ministri ishte autorizuar me vendim të qeverisë si autoriteti që do të lidhte kontratën për ndërtimin e dy rrjeteve dixhitale të RTSH-së. Në mars 2015, Harito e lidhi kontratën me kompaninë “Rohde & Schwarz” për ndërtimin e rrjeteve dhe totali i kësaj kontrate shkonte në 21.5 milionë euro.
Por disa muaj më pas, drejtuesi i RTSH-së, Martin Leka ka kërkuar një shtesë kontrate, për të shtuar dhe një vlerë prej 8.8 milionë euro për mirëmbajtjen e 11 pikave transmetuese, që sipas drejtuesve të RTSH-së, nuk përfshiheshin në kontratën e nënshkruar nga Harito. Z. Leka kërkon që RTSH-ja të marrë 8.8 milionë euro kredi për të garantuar shtesën e kontratës për mirëmbajtjen.
“HashtagAL”, disponon një MEMO të Martin Lekës, e cila i është dërguar Haritos në dhjetor 2015, nga përmbajtja e kësaj MEMO-je kuptohet qartë se Harito e ka cilësuar të paligjshme këtë kërkesë të drejtorit të RTSH-së dhe është shprehur kundër kësaj procedure.
Ministrja Harito është autoriteti i autorizuar nga ligji për të vendosur mbi këtë kontratë dhe anekset e kontratës, ajo ka dalë kundër nismës së drejtorit Leka në shkresa, por… në realitet drejtori i TVSH-së, duket se e ka kapërcyer autoritetin e Haritos dhe po përdor një ekstraprocedurë. Pak ditë më parë, ai ka shpallur një tender dhe kërkon që të pajtojë një zyrë juridike (ndonëse institucioni i tij ka 5 juristë), ndërsa do e autorizojë këtë zyrë juridike për të vendosur nëse duhet apo jo ta kryejë shtesën e kontratës prej 8.8 milionë eurosh me kompaninë “Rohde & Schwarz”.
Kjo lëvizje e z. Leka është një ekstraprocedurë që ka tejkaluar autoritetin e Haritos, sepse është Harito e cila ka tagrin ekskluziv për të vendosur mbi këtë kontratë.
Por ndonëse Harito gjatë letërkëmbimit me RTSH-në ka kundërshtuar shtesën e kontratës, duket se përtej shkresave “një dorë e padukshme” ka dhënë dritën jeshile që ngërçi të zgjidhet me artificën e një zyre juridike që do të vendosë se si duhet zhvilluar kontrata për të cilën përgjegjëse është direkt Harito.
Thirrja e RTSH-së për kompaninë juridike është shpallur në prill 2016, ndërsa Harito duket se e ka pranuar në heshtje të gjithë këtë ekstraprocedurë. Gjithçka po konsumohet në heshtje, ndërsa ministrja “nuk po ndihet”, ndonëse është ajo autoriteti vendimmarrës që mban përgjegjësi për kontratën.
“HashtagAL”