Çfarë po ndodh me kritikën letrare?

Nga Agim Baçi

Çfarë ndodh me kritikën letrare, kritikën e kritikës dhe të kritikuarit? Për mua, të shkruaj artikuj rreth përshtypjeve të mia për romane apo libra me poezi e tregime, është gjithmonë kënaqësi, më shumë se sa profesion, edhe pse masteri dhe doktorimi im është në fushën e “kritikës letrare”. Ndoshta çështja e të paturit apo mungesës së kritikës, nevojës apo shpërfilljes së kritikës, duhej të ishte prej kohësh një debat i rëndësishëm mes katedrave të letërsisë, shoqatës së botuesve dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, pasi letërsia nuk është një zbavitje, kalim i këndshëm i kohës, por dhe një takim i rëndësishëm me gjuhën, që në rastin tonë është element shumë i rëndësishëm në mbijetesën kulturore, pasi nëse helmohet gjuha, na helmohen edhe mendimet, edhe komunikimi.
Shumë autorë, herë me të drejtë e herë jo, fajësojnë mungesën e kritikës për atë që po ndodh, me indiferentizmin ekstrem ndaj letërisë dhe letrarëve.
Në fakt, njoh shumë nga ata që ankohen për mungesë kritike, por që, njëkohësisht, janë të parët që mund të të sulen nëse i kritikon publikisht për fabulën apo për stilin. Siç ka edhe autorë që kërkojnë të vërtetën për krijimet e tyre letrare, duke pritur qetësisht heshtën e fjalëve kritike.
Unë për fat, të mirë a të keq nuk mund ta them, e kam njohur kritikën që është lëvruar në fund të viteve ’80, e më pas, edhe pas vitit 1990. Them kritikë, e jo studime shkencore, pasi në universitete është lëvruar në këto vite studimi shkencor i veprave të mjaft autorëve, por te lexuesi nuk ka patur ndonjë efekt, ose, ka patur efekt të papërfillshëm.
Më vjen keq të them se, nëse para vitit 1990 koncepti i kritikës u përdhunua nga ideologjia komuniste, që orientonte leximin sipas partishmërisë, pas vitit 1990 më shumë pati një striptizë të kritikës, nën ritmin e muzikës funebre të shkollës komuniste, që nuk u fut kurrë në hullinë e një debati të vlerave të vërteta estetike-ideore. Kritika e shfaqur në shtyp apo TV, më së shumti ishte prezantim libri se sa kritikë. Ose edhe më keq, ka patur qoka-kritika, që më shumë dëmtojnë autorin, i cili nis të besojë se Balzaku, Dostojevski, Tomas Mani, Kundera, Floberi, Kafka, Xhojsi, Çehovi, Buxati, e shumë të tjerë, mund të flenë të qetë se pasardhësi i tyre tashmë ka mbërritur pikërisht në Shqipëri.
Por kjo nuk do të thotë se kritika nuk duhet. Personalisht, besoj se një autori më shumë dëm i sjell heshtja për të, siç i sjell dëm edhe lëvdimi i gënjeshtërt.
Shkolla e sotme shqiptare ka pak shanse të përgatisë kritikë, por të paktën kemi nisur me një nivel më fin të lexuesve, që janë hapi i parë drejt kritikës. Unë kam biseduar gjithë këto vite me të rinj, studentë e nxënës, të cilët janë lexues me bindjet e tyre, që kanë aftësitë edhe të jenë në të ardhmen sugjerues të mirë të leximit, e më pas edhe kritik.
Dhe unë besoj se shkolla e sotme duhet të përgatisë më së pari lexues, nga të cilët më pas mund të dalin dhe kritikët që mund të ftojnë lexuesin të ndjehet pjesë e udhëtimit me atë çfarë na sjellin autorë të ndryshëm.
Universitetet, QKLL, Shoqata e Botuesve dhe vetë botuesit, duhet të jenë nxitësit për një debat sa më të hapur për letërsinë e sotme shqipe, e cila ka qenë në këto vite e dënuar dy herë- me lexues të kufizuar, për shkak se lexuesit shqip kaq janë, dhe me mungesë debati rreth vlerave të tyre.
Ndaj çdo “kritikë” për mungesën e kritikës duhet parë me dashamirësi, pasi letërsia ka nevojë të debatohet, sepse shumëkush që është i interesuar për letërsinë ka nevojë të dijë se për kë dhe përse flitet.

Exit mobile version