“Rama ka frikë nga zgjedhjet dhe ka nisur që të mos flerë më gjumë natën”, u shpreh sot kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
Sipas Kryemadhit, një mik i përbashkët i saj dhe i Ramës i kishte rrëfyer se këtë të fundit nuk e zë gjumi natën pasi është i shqetësuar.
“Kisha dëgjuar miqtë, që nuk është mirë, është nervoz, ka panik, ka frikë, nuk flet natën. Nuk e besoja, sepse mendoja që papërgjegjshmëria e tij është e madhe dhe se kupton, që po shkon drejt greminës. Por e pashë dje në Asamble dhe është shumë rëndë”, u shpreh ajo.
Ndërkohë që e pyetur nëse ka ambicie për të qenë kryeministre e ardhshme e vendit, Kryemadhi u shpreh e qartë se i qendron marrëveshjes me Lulzim Bashën, dhe se në rast fitoreje ai post i takon kreut të PD-së.
“Unë e kam bërë të qartë dhe i qendroj deklaratës sime që zoti Basha do jetë kryeministër, i qëndroj marrëveshjes së 23 prillit 2019, ne kemi nënshkruar një marrëveshje kjo gjë është e qartë dhe e thjeshtë. Kemi kohë deri më 25 prill, ku e gjithë opozita do ketë angazhim për të krijuar frymën për përmbysjen e regjimit kriminal”, u shpreh kryetarja e LSI.