Turqia lufton me të gjitha mjetet lëvizjen Gylen. Presidenti Erdogan kërkon nga bota e jashtme europiane mbështetje, përmes ekstradimeve dhe “verifikimit” të shkollave. Por Europa nuk i përgjigjet. Për ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu çështja është e qartë: “Gjermania duhet të ekstradojë gjyqtarë dhe prokurorë të këtij shteti paralel”. Me këtë ai ka parasysh lëvizjen Hizmet të predikuesit islamik Fetullah Gylen. Ndonëse Çavusoglu nuk përmend emra konkretë, dihet se për këtë bëhet fjalë, për dy ish-prokurorët turq Zekeria Oz dhe Xhelal Kara. Që të dy ata u arratisën në gusht 2015 nga Turqia, për t’i shpëtuar arrestimit. Përgjigjja e Berlinit ndaj ministrit të Jashtëm turk është e qartë: me ne jo. Deri tani asnjëherë nuk është konfirmuar, që të dy burrat ndodhen në Gjermani. Edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, një ekstradim në Turqi nuk do të arrihej.
Pengesa të larta
Kërkesa për ekstradim duhej të paraqitej përmes rrugëve diplomatike, pra duhej të arrinte në Ministrinë e Jashtme gjermane. Kërkesat përkatëse për dy prokurorët ndërkohë kanë mbërritur në Ministrinë e Jashtme. Tani hyn në lojë drejtësia, thënë më saktë Prokuroria përkatëse dhe gjykata përkatëse. Shtetasit e huaj sipas së drejtës gjermane për t’u ekstraduar duhet të jenë dënuar me burg. Kryetari i shoqatës së gjyqtarëve gjermanë ka bërë të qartë, se: “Të nevojshme janë akuza konkrete me prova, që shtetasit turq, që ndodhen në Gjermani, kanë qenë të implikuar në tentativën për puç në Turqi, në mënyrë që të merret në konsideratë ekstradimi”. Edhe Kancelarja Angela Merkel u pozicionua lidhur me çështjen e ekstradimit. Ajo iu referua në fakt konkretisht PKK-së, por deklarata e Merkelit vlen edhe për përkrahësit e Gylenit: “Ne duhet të ndjekim parimet e shtetit ligjor”. Kësisoj aktet penale politike qysh në krye të herës dështojnë si argument për ekstradimin. Shtetas, që krahas nënshtetësisë turke kanë edhe atë gjermane, sipas ligjit themelor, në përgjithësi nuk i kthejnë në Turqi.
Turqia kërkon verifikimin e shkollave gjermane
Të indoktrinuar? Ankaraja kërkon verifikimin e shkollave në Gjermani. Por kërkesat për ekstradim nuk mjaftojnë, qeveria turke do që Gjermania “të verifikojë dhe rivlerësojë” shkollat, institucionet dhe shoqatat të afërta me lëvizjen Gylen. Kryeministri ekologjist i Baden-Vyrtenbergut, Winfried Kretschmann tha lidhur me këtë për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, se ai vetëkuptohet që “nuk do ta bëjë këtë”, duke shtuar, se një gjë e tillë është absolutisht e panjohur për të. Lidhur me një shkollë në Shtutgart, që sipas mendimit të Turqisë “menaxhohet” nga Gyleni, Kretschamnn tha: “Kjo është një shkollë gjermane në të cilën jepet mësim sipas planit mësimor të landit të Baden-Vyrtenbergut dhe jo sipas planeve të zotit Gylen”. Politikani kristiandemokrat për politikën e brendshme Wolfgang Bosbach tha lidhur me këtë, se është e drejtë, që Turqisë t’i tregohen kufijtë. Edhe kërkesa për ekstradimin e puçistëve gjoja të arratisur në Gjermani, duhet të refuzohet. Drejtësia gjermane nuk është “dora e zgjatur e Erdoganit”.
“Aksione spastrimi” edhe në Ballkan
Në mbarë Europën janë në shënjestër të qeverisë turke shkolla e shoqata. “Aksionet e spastrimit”, siç i quan Presidenti Erdogan mijëra arrestimet pas puçit të dështuar, kanë në fokus tani institucionet arsimore në Europën Juglindore. Disa prej vendeve europianolindore u kanë arritur kërkesa me shkrim nga ambasadat dhe konsullatat turke, që të mbyllin “shkollat e Gylenit”. Fethullah Gylen, predikuesi turk në emigracion në SHBA dhe i shpallur si një “armik i betuar” i Erdoganit, është iniciator i një rrjeti mbarëbotëror shkollash private, që financohet nga donacione dhe tarifa. Në Ballkan ato konsiderohen si alternativë ndaj sistemit të vjetëruar shtetëror të arsimit. Shpesh ato vlerësohen me rendimente të larta të nxënësve të tyre. Si menaxhuesit e këtyre institucioneve ashtu edhe ministritë përkatëse të Arsimit në vendet e Europës Juglindore hedhin poshtë çdo akuzë, sipas të cilave në këto shkolla bëhet “punë misionare”. Shkolla u përmbahet strikt ligjeve të vendit përkatës dhe janë të orientuara sipas planeve mësimore shtetërore.
Përfaqësitë turke ushtrojnë presion
Qëndrimi i Ankarasë u ka ngjallur pasiguri dhe indinjatë tek shtetet e prekura. Në Rumani konsullata turke madje disa shkollave u ka kërkuar direkt që të mbyllen. Ministria rumune e Arsimit i hedh poshtë me vendosmëri të tilla kërkesa dhe siguron, se shkollat nuk do të mbyllen. Nga Bullgaria ka lajme të ngjashme. Prindërit dhe nxënësit janë vendosur nën presion masiv nga ambasada turke, që të kërkojnë shkolla të tjera, sepse shkollat turke janë në prag të mbylljes. Në Bosnje ambasadori turk u ka bërë thirrje prindërve dhe nxënësve që t’u kundërvihen shkollave, të cilat ai i cilësoi si “organizata terroriste”. Në Shkup shoqata e minoritetit turk kërkoi “spastrimin” e vendit nga “tradhtarët”. Kësaj i shtohet edhe kërkesa për “dënimin” e gazetarëve kritikë. Për shembull, komenti i gazetarit të njohur kosovar, Berat Buzhala lidhur me puçin në Turqi shkaktoi një reagim të ashpër të ambasadës turke në Prishtinë. Qeverisë kosovare iu kërkua që të veprojë kundër Buzhalës. Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj e quajti këtë kërkesë “të papranueshme” dhe “krejtësisht të ekzagjeruar”. Prokurorë, shkolla, gazetarë – përpjekjet e qeverisë turke për t’i përçuar edhe në botën e jashtme mosmarrëveshjet në politikën e vet të brendshme, po shtohen. Ndërsa politikanët europianë u kundërvihen ndërhyrjeve të Presidentit turk Erdogan, ky i fundit e ndjen veten të keqkuptuar. Perëndimi duhet ta lëvdojë Turqinë për mposhtjen e puçit, në vend që të jetë në anën e puçistëve, është reagimi i tij.
Deutche Welle