Çfarë po ndodh? Meta thërret në Presidencë Besnik Muçin

Presidenti Ilir Meta ka ftuar në takim Besnik Muçin, për situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese pas shkarkimit të tij nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Pas takimit me Muçin, i dekretuar nga Presidenti si anëtar i Kushtetueses, kreu i shtetit pritet të japë një qëndrim zyrtar për media nga Presidenca. Lidhur me çështjen, Meta foli dhe një ditë më parë, duke deklaruar: “Zero surprizë nga vetingu i partisë”. “

“S’jam i habitur se qe ditën e parë që ka hyrë në zyrë ka pasur presione për tu bërë pjesë e puçit që të pengonte zonjën Xhaferrllari në detyrën si antare e Kushtetueses”, tha kreu i shtetit në një prononcim për gazetarët.

Këtë të premte, Besnik Muçi i ka dërguar një letër Kushtetueses, ku kërkon vendim lidhur me vazhdimin ose jo të detyrës.

Në letër, Muçi shpjegon arsyet pse sipas tij vendimi i djeshëm i KPA për shkarkimin nga detyra nuk është i vlefshëm. “Procesi i rivlerësimit i nisur ex-officio në statusin dhe për funksionin e Prokurorit, nuk mund të vazhdonte dhe vendimi i Kolegjit të Apelimit nuk mund të ketë efekt ndaj funksionit dhe mandatit aktual të Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”, shprehet ai në letër.

Në fund, Muçi kërkon vendimin e Kushtetueses, për të vijuar ose jo detyrën si anëtar i kësaj gjykate.

“Pavarësisht sa më sipër, me qëllim për të ruajtur integritetin tim dhe të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, lidhur me çështjen administrative të ushtrimit të detyrës, jam në pritje të njoftimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për deklarimin ose jo të mbarimit të mandatit tim si Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në përmbushje të detyrimeve të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 në një afat sa më të shpejtë të mundur”, thuhet në letër.

besnikmuci1574333429

Exit mobile version