Sot bëhen 7 ditë kur bashkia e Vorës nuk ka kryetar, kjo pas vendimit të KQZ-së të premten e shkuar për ta shkarkuar Agim Kajmakun si të prekur nga dekriminalizimi.
Teksa Presidenti i Republikës, njëlloj me Shkodrën, pritet të mos dekretojë përsëritjen e zgjedhjeve, rruga e menduar për tu ndjekur nga socialistët ishte që këshilli bashkiak të komandonte përkohësisht si kryetar një nga nënkryetarët e bashkisë.
3 muajt e tij në detyrë, Kajmaku kishte punuar me dy nënkryetarë: Hekuran Brahimaj dhe Laureta Omeri.
Gazetarja e Abc News, Esiona Konomi thotë se, kjo e fundit ishte rekomanduar për atë detyrë nga e deleguara e PS-së në atë zonë, Belinda Balluku.
‘Së fundmi marrëdhëniet e Kajmakut me Ballukun nuk ishin të mira, dhe nënkryetarja e bashkisë, Laureta Omeri, ishte kthyer në një mollë sherri’, tha gazetarja.
Pikërisht Omeri ishte projektuar që të zgjidhej nga këshilli bashkiak si drejtuese e përkohshme e bashkisë Vorë.
Por, edhe i zhgënjyer nga fakti që partia nuk e mbrojti nga shkarkimi, por edhe për të mos i lënë kontrollin e bashkisë Ballukut, Agim Kajmaku ka bërë një lëvizje surprizë.
Të premten në mëngjes, përpara se KQZ ta shkarkonte, Kajmaku ka shkuar në zyrën e tij, dhe ka shkarkuar dy nënkryetarët e bashkisë: Brahimaj dhe Laureta Omeri.
Në vend të tyre, ka emëruar vetëm një nënkryetar bashkie, shefin e tij të kabinetit, Gent Picari.
Në këto kushte, Këshilli bashkiak është i detyruar ta caktojë Picarin, të besuarin e Kajmakut, në krye të bashkisë.
Në këtë mënyrë, Kajmaku sposton partinë nga kontrolli i bashkisë, dhe e merr atë vetë gjithë influencën në institucion, edhe duke mos qenë kryetar.
Dy nënkryetarët janë përpjekur t’i shpallin të paligjshme të dy urdhërat e shkarkimeve, por ende ndonjë institucion nuk i ka rrëzuar ato.