Çfarë po ndodh në gjyqin e Shullazit?!

Është zhvilluar edhe sot seanca e ardhës për Emiljano Shullazin, ku është paraqitur dëshmitari i mbrojtjes avokati Roland Samarxhi. Ai tha se vazhdon të jetë avokat i Ylvi Beqes dhe për këtë arsye refuzoi të dëshmojë.
Prokuroria lexoi deklarimet e dhëna gjatë hetimit nga dëshmitari Jani Zaka. Në deklarime Zaka ka rrëfyer takimin me Shullazin, ku ai i ka kërkuar të sqarohet për pronësinë e parkingut me F.Sinanajn. Avokatet ripërsërisin kërkesën për administrimin e hyrje-daljeve nga sistemi TIMS të Ylvi Beqes.
Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurit e bandës së tij po gjykohen për 9 akuza të rënda penale. Prokuroria për Krime të Rënda, pas hetimeve 12-mujore, dorëzoi në Gjykatë dosjen ndaj 5 të pandehurve, të cilët do të gjykohen për 9 akuza të rënda penale. Sipas dosjes së dy prokurorëve Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, të pandehurit përbëjnë rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Kjo për shkak se gjatë dy viteve të fundit, është provuar thonë prokurorët, se Emiljano Shullazi dhe banda e tij i kanë vendosur gjoba tre biznesmenëve të ndryshëm, duke i marrë shuma të mëdha parash kundrejt kanosjes dhe dhunës. Veç gjobës, ata kanë vendosur edhe eksplozivë në dy biznese të ndryshme në shenjë presioni që të gjobiturit të paguajnë bandën e Shullazit. Ky i fundit dhe të dyshuarit si pjesëtarë të bandës së tij, do të gjykohen edhe për kanosjen për shkak të detyrës ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni.

Sipas akuzës, zbardhja e krimeve të Shullazit kanë nisur pas bashkëpunimit me drejtësinë të biznesmenit Ylvi Beqja. Ky i fundit, thuhet në dosje, fillimisht ka kërkuar ndihmë nga Emiljano Shullazi për të marrë pronën e tij ish-hotel “Vollgën”. Më pas, pas regjistrimit të pronës, Beqja thotë se 39-vjeçari Shullazi e ka detyruar të firmosë kontratën e dhurimit të 30% të pronës që ndodhet në Durrës. Veç kësaj, Beqja i ka thënë prokurorëve se Shullazi dhe banda e tij në disa raste të ndryshme, nën kërcënimin e dhunës dhe kanosjes i kanë marrë atij në formën e gjobës rreth 550 mijë euro.
Emiljano Shullazi dhe banda e tij, do të gjykohen edhe për gjobëvënien ndaj biznesmenit Adriatik Kërçuku nga Lushnja në janar të vitit 2016. Për shkak të mos pagesës së gjobës, banda e Shullazit akuzohet se në mars i kanë vendosur eksploziv biznesit të tij.
Po me eksploziv është sulmuar edhe biznesi i Jani Zakës, tashmë i arratisur nga Shqipëria për shkak të kërcënimeve. Sipas akuzës, Shullazi dhe banda e tij, i kanë kërkuar Jani Zakës, parkingun, por për shkak të rezistencës, biznesit të tij i është vënë eksploziv në shkurt të 2016.
Sipas Prokurorisë, Emiljano Shullazi dhe banda e tij, do të gjykohen edhe për kanosjen për shkak të detyrës ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, të cilëve i është kërkuar të mos garojnë në zgjedhjet e universiteteve. Për kërcënimin ndaj dy profesorëve, Prokuroria ka pyetur edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, që me shumë gjasa do të paraqiten edhe si dëshmitarë në procesin gjyqësor që pritet të nisë.

Exit mobile version