Të shtunën, zyrtarët amerikanë dhe koreanoveriorë kanë në plan të zhvillojnë bisedimet e tyre të para bërthamore në nivelin e ekipeve të punës që nga muaji shkurt.
Nuk dihet se ku do të zhvillohen negociatat, apo cilat propozime do të diskutohen.
Por ja disa nga pyetjet kryesore për bisedimet, të cilat vijnë pas muajsh vonesë nga Koreja e Veriut:
A janë Shtetet e Bashkuara të hapura për një proces me faza?
Bisedimet u anuluan në shkurt kur Presidenti Donald Trump kundërshtoi ofertën e Koresë së Veriut për të çmontuar një kompleks bërthamor kryesor në këmbim të lehtësimeve të rëndësishme të sanksioneve.
Në vend të kësaj, Presidenti Trump tha se dëshiron një “marrëveshje të madhe”, në të cilën udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un të zotohet të heqë dorë nga të gjitha armët e tij bërthamore para se të marrë ndonjë lëshim të madh.
Shumë zyrtarë amerikanë thonë se Koreja e Veriut ka shfrytëzuar në të kaluarën një qasje më graduale – si pjesë e një cikli provokimesh, ulje shkallëzimesh dhe negociatash – për të marrë lëshime të vlefshme nga Shtetet e Bashkuara pa përmbushur angazhimet e saj të marrëveshjes.
Por nuk është e qartë si do të ecet në një proces kaq të komplikuar dhe të gjatë denuklearizimi nëse jo me faza, thotë Leif-Eric Easley, profesor i studimeve ndërkombëtare në Universitetin “Ewha Womans” në Seul.
Objektivi kryesor amerikan, thotë Easley, duhet të jetë sigurimi i një marrëveshje që përfshin një “udhërrëfyes të negociuar dhe mekanizma të verifikimit për përparimin nga faza në fazë.”
Për shembull, një marrëveshje “që sjell lehtësimin e sanksioneve në këmbim të ngrirjes së prodhimit të materialit bërthamor ka kuptim nëse lejon inspektorët ndërkombëtarë në terren dhe përfshin vendosjen e sanksioneve të menjëherëshme në rast se Koreja e Veriut kapet duke mashtruar”, thotë ai.
Por zyrtarët amerikanë nuk kanë dhënë tregues të qartë në publik nëse janë të interesuar për një marrëveshje me faza.
Çfarë kërkon Koreja e Veriut?
Koreja e Veriut ka thënë vazhdimisht se nuk do të heqë dorë në mënyrë të njëanshme nga armët e saj bërthamore pa lëshime të rëndësishme nga Shtetet e Bashkuara.
Në fillim të këtij viti, fokusi i Koresë së Veriut ishin negociatat për heqjen e pesë sanksioneve të Kombeve të Bashkuara që kanë dëmtuar ekonominë e vendit.
Por muajt e fundit, zyrtarët e Koresë së Veriut kanë lënë të kuptohet se marrja e garancive të sigurisë ishte gjithashtu një përparësi kryesore. Për shembull, Veriu mund të kërkojë përfundimin e manovrave ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Korenë e Jugut ose modifikime të mëdha në praninë ushtarake amerikane në rajon.
Rachel Minyoung Lee, një analiste në Seul me rrjetin NK News, thotë se negociatorët e Koresë së Veriut do të “përpiqen të zbulojnë se sa mund të fitojnë nga Shtetet e Bashkuara pa hequr dorë nga gjithçka”.
“Mendoj se bisedimet nuk do të shkojnë shumë larg nëse koreano-veriorët nuk mendojnë se ka një zhvendosje themelore në pozicionin e Shteteve të Bashkuara”, thotë ajo. Por zyrtarët amerikanë kanë thënë shumë pak për ato që janë të gatshëm të ofrojnë, ose në cilën pikë përgjatë procesit të denuklearizimit janë të gatshëm të bëjnë lëshime.
A i ka zbutur ndonjëra palë pozitat negociuese?
Jo qartësisht, megjithëse Presidenti Trump ka lënë të kuptohet se ai dëshiron të gjejë pika të përbashkëta.
Muajin e kaluar, Presidenti Trump shkarkoi Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë John Bolton, një kritik i ashpër i Koresë së Veriut. Ndërsa mbrojti këtë lëvizje, Trump përmendi qasjen arrogante të zotit Bolton ndaj Phenianit.
Trump shkaktoi gjithashtu habi kohët e fundit kur foli për nevojën e një “metode të re” të negociatave. Kjo pasqyron nga afër gjuhën që Pheniani ka përdorur në kërkesat që Shtetet e Bashkuara të marrin një qasje më pajtuese. Por askush nuk mund të thotë se çfarë “metode të re” ka në mendje Presidenti Trump.
Koreja e Veriut potencialisht ri-hyn në bisedime me më shumë epërsi, pas kryerjes së 11 raundeve të provave me raketa balistike me rreze të shkurtër që nga maji. Lëshimet kanë përfshirë prova të disa sistemeve të reja të armëve që përbëjnë një kërcënim vdekjeprurës për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në rajon.
A do të vazhdojë Koreja e Veriut të lëshojë raketa gjatë bisedimeve?
Deri tani, Koreja e Veriut nuk ka treguar shenja se do të ndalë provat. Të mërkurën, Koreja e Veriut testoi atë që duket se është një raketë balistike me rreze të mesme, e cila ishte krijuar për t’u hedhur nga një nëndetëse – duke demonstruar një komponent të ri dhe të paparashikueshëm në arsenalin e Phenianit.
Presidenti Trump minimizoi testimet e mëparshme duke vënë në dukje se shumë vende kryejnë prova të tilla. Koreja e Veriut mund të përfitojë nga mospërfillja e Presidentit Trump ndaj provave të saj, duke e parë atë si një shans për të dobësuar në mënyrë efektive rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ndalon aktivitetet me raketa balistike të Phenianit.
“Ata shohin një mundësi të artë për të normalizuar provat me raketa me rreze të shkurtër edhe kur negociatat të jenë duke vazhduar,” thotë Mintaro Oba, një ish-diplomat amerikan i specializuar për çështjet koreane.
Gjithmonë ka një shans që Presidenti Trump përfundimisht të humbasë durimin me provokimet e Kimit dhe t’i ndërpresë bisedimet. Por deri tani, presidenti ka vendosur vijën e kuqe tek raketat me rreze të gjata veprimi ose testet bërthamore.
Si do të ndikojë politika e brendshme amerikane në bisedime?
Presidenti Trump përballet me një presion në rritje në vend – si nga një hetim i hapur për shkarkimin e tij ashtu edhe nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Disa analistë kanë thënë se Presidenti Trump mund të ndiejë presion për të bërë një marrëveshje me Korenë e Veriut, në mënyrë që të devijojë vëmendjen nga problemet e tij të brendshme ose të sigurojë një fitore në politikën e jashtme përpara zgjedhjeve të vitit 2020.
Sidoqoftë, ka një arsye të fortë për të qenë skeptik ndaj këtij nocioni, thotë Bong Young-shik me Institutin e Universitetit Yonsei për Studime të Koresë së Veriut.
“Një arritje në politikën e jashtme” është shumë fluide për t’u përcaktuar. Presidenti Trump mund ta rrotullojë atë në çdo mënyrë që i pëlqen dhe prapë të pretendojë se ka arritur shumë”, thotë zoti Bong. Dhe siç thekson analisti, çështjet e politikës së jashtme rrallë janë faktorë vendimtar në zgjedhjet presidenciale.
Por Presidenti Trump ende ka të ngjarë të dëshirojë të forcojë një imazh pozitiv në politikën e jashtme përpara zgjedhjeve, thotë ish-diplomati Oba.
“Kështu ka qenë gjithmonë dhe Koreja e Veriut ka qenë gjithmonë shembulli për këtë. Dhe ndoshta tensioni i shtuar me hetimet për shkarkimin e tij e bën atë të ndjejë dëshirën për të treguar sukses me Korenë e Veriut”, thotë zoti Oba.
Ekziston gjithashtu shqetësimi i kohës së mjaftueshme për të siguruar ose zbatuar një marrëveshje bërthamore, pasi Trump ka të ngjarë që së shpejti t’i kushtojë më shumë kohë fushatës së tij për rizgjedhje.
Çfarë roli do të luajë Koreja e Jugut?
Qeveria progresiste e Koresë së Jugut dëshiron dëshpërimisht të përmirësojë lidhjet me Veriun. Por sanksionet amerikane dhe ato ndërkombëtare e kanë ndaluar Jugun të ecë përpara me projekte ekonomike dhe projekte të tjera që synojnë përmirësimin e marrëdhënieve mes dy koreve.
Ndërkohë, Koreja e Veriut ka fajësuar Jugun për bllokimin, duke kritikuar rifillimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake amerikano-koreane dhe blerjen e armëve të përparuara amerikane nga Seuli.
Koreja e Veriut gjithashtu ka hedhur poshtë rolin e Koresë së Jugut si një ndërhyrje në bisedimet bërthamore, duke kritikuar Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in si një “ndërmjetës të ndërlikuar”.
Megjithatë, Koreja e Jugut ka mirëpritur lajmet se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut do të rifillojnë bisedimet në nivelin e ekipeve të punës, duke thënë se bisedimet janë dëshmi se negociatat po përparojnë.
Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut tha javën e kaluar se ende shpreson që udhëheqësi Kim të vizitojë qytetin bregdetar të Busanit në Korenë e Jugut në nëntor për një takim të vendeve të Azisë Juglindore.
Kjo do të ishte vizita e parë ndonjëherë nga një drejtues i Koresë së Veriut në Jug, përtej zonës së çmilitarizuar që ndan të dy Koretë. Koreja e Veriut nuk e ka konfirmuar dhe as nuk ka komentuar për idenë e një vizite të tillë.