Çfarë pritet të sjellë për botën partneriteti i ri Iran-Rusi?

Nga Avesta Afshari Mehr

Irani dhe Rusia, e kanë forcuar shumë partneritetin e tyre në mesin e paqëndrueshmërisë gjeopolitike globale, gjë që sinjalizon një rëndësi në rritje të bashkëpunimit të tyre gjatë viteve në vijim.

Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Partneritetit Strategjik, që do të zyrtarizohet gjatë vizitës zyrtare të presidentit iranian Masoud Pezeshkian në Moskë më 17 janar, shënon një hap të rëndësishëm përpara në aleancën në zhvillim midis dy kombeve.

Teksa që të dyja vendet po synojnë të përballen me sfida të përbashkëta, ky partneritet do të ketë pasoja të gjera, veçanërisht për mbrojtjen, tregtinë dhe energjinë. Fushat kryesore të bashkëpunimit në qendër të kësaj marrëveshjeje historike, do të jenë transporti, energjia, mbrojtja dhe siguria rajonale.

Por marrëdhënia midis Teheranit dhe Moskës shtrihet përtej shkëmbimeve ekonomike, pasi ajo ka evoluar në një partneritet strategjik gjithëpërfshirës, i cili pasqyron interesat e tyre të përbashkëta në stabilitetin rajonal dhe është haptazi kundër ndikimit perëndimor.

Peizazhi ekonomik për Iranin dhe Rusinë, është formuar nga varësia e tyre e përbashkët nga eksportet e energjisë, dhe përvoja e tyre nën sanksionet ndërkombëtare të vendosura nga Perëndimi. Afrimi gjithnjë e më i madh midis dy vendeve, ka paraqitur një mundësi unike për t’i kapërcyer këto sfida dhe për të krijuar rrugë të reja për rritjen ekonomike në të dyja vendet.

Një nga shtyllat qendrore të këtij partneriteti është Korridori i Transportit Veri-Jug, një projekt infrastrukturor jetik që do të lehtësojë tregtinë midis Iranit, Rusisë dhe disa partnerëve të tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Ky investim strategjik në rrjetet e transportit, tregon qartazi synimin e Moskës dhe Teheranit për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare, dhe për të siguruar përfitime reciproke gjatë viteve të ardhshme, duke iu kundërvënë sanksioneve perëndimore.

Përveç transportit, energjia mbetet në thelbin e partneritetit të ngushtë Iran-Rusi. Në kushtet kur sanksionet e kufizojnë praninë e tyre në tregjet perëndimore, të dyja vendet po nxiten të kërkojnë mënyra alternative për të forcuar sektorët e tyre të energjisë.

Me rezervat e saj të mëdha të naftës dhe gazit natyror, Rusia e ka forcuar zhvillimin e industrisë energjetike të Iranit, duke mbështetur eksplorimin, shpimin dhe infrastrukturën. Si pjesë e marrëveshjes së re, disa kompani ruse pritet që të investojnë shumë në sektorin energjetik të Iranit, gjë që do të ndihmojë në modernizimin dhe zgjerimin e aftësive të tij.

Zyrtarët iranianë janë shprehur optimistë për perspektivat e këtyre investimeve, sidomos në kontekstin e rritjes së kërkesës për energji në Azi. Përtej naftës dhe gazit, të dyja vendet po bashkëpunojnë për të diversifikuar ekonominë e tyre duke siguruar tregje të reja në Azi.

Dhe veçanërisht në Indi, në mënyrë që të zvogëlojnë varësinë e tyre nga tregjet perëndimore duke nxitur një integrim më të madh brenda Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EAEU) të drejtuar nga Moska.

Vendndodhja strategjike e Iranit, e bën atë një rrugë tranziti për mallrat që lëvizin midis Evropës dhe Azisë Qendrore, dhe deri në Kinë dhe Indi. Një tjetër tipar përcaktues i aleancës Iran-Rusi, është bashkëpunimi i tyre ushtarak.

Rusia dhe Irani janë bërë furnizuesit më të rëndësishëm të njëri-tjetrit me armë, veçanërisht në teknologjitë e avancuara ushtarake siç janë edhe dronët. Furnizimi i Moskës me dronët iranianë, të cilët tani po prodhohen edhe brenda vendit, në Republikën Ruse të Tatarstanit, i ka forcuar ndjeshëm të dyja palët, si financiarisht ashtu edhe ushtarakisht.

Për pasojë, Irani e ka pozicionuar veten si një fuqi rajonale e aftë për t’u përballur me kërcënimet në Lindjen e Mesme, duke përfshirë ato që vijnë nga ndërhyrjet ushtarake perëndimore, dhe kjo po i dobëson përpjekjet e SHBA për të kufizuar aftësinë e Iranit për të fituar ndikim gjeopolitik në rajon.

Bashkëpunimi i mëtejshëm ushtarak dhe mbrojtës midis Iranit dhe Rusisë është shumë  shqetësues. Marrëveshja e fundit, sipas të cilës Irani do të furnizojë Rusinë me drone të avancuar Shahed-136 (të njohur në Rusi si “Geran-2”) dhe për të lehtësuar prodhimin e tyre, e ka pajisur Rusinë me një mjet të fuqishëm për të terrorizuar qytetet ukrainase.

Mbështetja e Moskës tek dronët me kosto të ulët dhe me një efikasitet të lartë, e kombinuar me sanksionet perëndimore që e vështirësojnë qasjen tek komponentë të cilësisë së lartë, ka të ngjarë ta nxisë Rusinë që të rrisë përdorimin e këtyre dronëve në të gjithë Ukrainën, ndoshta në zona të tjera të Evropës Lindore dhe potencialisht edhe më tej.

Ndërsa Ukraina pretendon se ka shkatërruar magazinat në Rusi që strehonin dronët Shahed, kjo nuk ka gjasa të ndalojë prodhimin e vazhdueshëm të dronëve të tillë nga Irani, dhe as të parandalojë zgjerimin e aleancës iraniano-ruse.

Por pavarësisht premtimit për një bashkëpunim më të thelluar, marrëdhënia Iran-Rusi nuk është e imunizuar nga sfidat. Dallimet e brendshme politike nga të dyja palët, vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga sanksionet dhe lufta, si dhe dallimet në axhendat gjeopolitike afatgjata, kanë krijuar pengesa për potencialin e plotë të këtij partneriteti.

Për shembull, sjellja balancuese e Rusisë me fuqitë perëndimore, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, ka shkaktuar historikisht tensione me Iranin, veçanërisht gjatë periudhave të afrimit të dukshëm midis Moskës dhe Uashingtonit.

Në të kaluarën, marrëdhëniet midis dy vendeve janë ftohur gjatë momenteve të ndryshimeve politike, siç ishte presidenca e Dmitry Medvedev, kur Rusia mbështeti sanksionet e Kombeve të Bashkuara kundër Iranit.
Përveç kësaj, refuzimi i Rusisë për t’i shitur Iranit sistemin e mbrojtjes raketore S-300, i tensionoi marrëdhëniet me Teheranin, deri në momentin që Putin u bind të firmoste më në fund marrëveshjen në vitin 2015.

Këto tensione historike, na ofrojnë shembuj të bollshëm se përse të dyja qeveritë po tregohen shumë të kujdesshme mbi përmasat e suksesit të një partneriteti të tillë për të dyja vendet. Për më tepër, si Rusia ashtu edhe Irani po përballen me sfida ekonomike, të cilat mund të pengojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të partneritetit të tyre.

Sanksionet ekonomike, kanë ndikuar ndjeshëm tek aftësia e Rusisë për të kapitalizuar plotësisht rezervat e saj energjetike. Ndërkaq, mbështetja e Iranit tek eksportet e energjisë, e ka lënë ekonominë e tij të pambrojtur ndaj luhatjeve të çmimeve globale të naftës.

Për më tepër, Teherani përballet me një hiperinflacion të qëndrueshëm, në një normë prej 35 për qind, e cila e dëmton seriozisht aftësinë e vendit për të zhvilluar fuqinë ekonomike. Këto sfida, kërkojnë që të dyja vendet të përzgjedhin dhe zbatojnë më shumë kujdes politikat e tyre ekonomike dhe diplomatike për të shmangur përkeqësimin e dobësive ekzistuese.

Partneriteti ushtarak midis Iranit dhe Rusisë, ka të ngjarë të forcohet në të ardhmen, duke pasur një theks të veçantë tek përpjekjet reciproke kundër terrorizmit, në sigurimin e stabilitetit rajonal dhe tek bashkëpunimi i mëtejshëm në tregtinë e armëve.

Kjo qasje, do të luajë një rol kyç në forcimin e sigurisë së të dyja vendeve, si dhe në aftësinë e tyre për të ushtruar ndikim gjeopolitik në Lindjen e Mesme por edhe më gjerë. Megjithatë, e ardhmja e marrëdhënieve është e ndjeshme ndaj tendencave më të gjera ndërkombëtare.

Dhe këtu përfshihet gara e fortë për ndikim global midis Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës. Çelësi i suksesit të aleancës Moskë-Teheran, do të qëndrojë përfundimisht në balancimin e prioriteteve të tyre të ndryshme dhe shpeshherë të kundërta, në tejkalimin e pengesave të brendshme dhe të jashtme, si dhe tek vëmendja e përqendruar tek objektivat strategjike afatgjata.

Artikulli paraprakNë kryer të listës së transferimeve, klubi i Serisë A kërkon me ngulm Edon Zhegrovën
Artikulli tjetërAmnistia e dytë Rama-Berisha: Si po gatuhet nxjerrja e të burgosurve nga SPAK