Çfarë thoshte Veliaj për çerdhen e rinovuar ku shpërtheu bombola e gazit sot

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një bombol gazi ka shpërthyer në një objekt që shërbente si magazinë për çerdhen 14 në Tiranë. Kjo është një nga çerdhet e rinovuar nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me donatorët privatë, të cilëve Veliaj u bënte thirrje të kontribuonin në përmirësimin e qytetit.
Kryebashkiaku i ka prezantuar me shumë pompozitet këto investime. Por, prania dhe shpërthimi i një bombole gazi ka treguar se jo të gjitha masat janë marrë për të siguruar mirëqenien dhe shëndetin e fëmijëve.
“Çerdhja e rinovuar është një motiv për të injoruar gam-gamin politik e për t’u fokusuar tek puna. Aseti nr.1 i qytetit janë njerëzit, ca më shumë të vegjëlit. – Adopto një Cerdhe, -Tirana për fëmijët“, shkruante Veliaj pas rinovimit të çerdhes.
“Jam shumë i lumtur që në Ditën e të Moshuarve, përurojmë këtë çerdhe sepse besoj se nuk ka dhuratë më të mirë për gjyshërit dhe gjyshet se sa kur shikojnë nipat e mbesat që trajtohen me dashuri, me kujdes dhe me respekt nga qyteti i tyreMë vjen mirë që kemi ndërtuar një qytet ku, edhe në ditët tona të vështira, edhe kur nuk i kemi mundësitë, edhe kur Bashkia ka borxhe financiare, kemi njerëz dashamirës që i kuptojnë dhe jetojnë me problemet e qytetit.” tha Veliaj në prezantimin e këtij rinovimi, dy vite më parë.
Fatmirësisht shpërthimi i bombolës së gazit nuk ka rezultuar në viktima apo të lënduar, por situata ka krijuar panik tek prindërit, sepse një ngjarje e tillë mund të përsëritet nëse nuk merren masat e nevojshme. Së pari, përdorimi i bombolave të gazit mbart gjithmonë rreziqe. Nga ana tjetër, autoritetet duhet të shpjegojnë përse ka patur rrjedhje gazi në bombolën në fjalë dhe cilët janë përgjegjësit që duhet të siguronin dhe garantonin funksionimin e kësaj bombole.
/Boldnews/

Artikulli paraprakShqipëria po zhbëhet!
Artikulli tjetërBilanc lufte! 25 të vrarë në 15 ditë