“Ç’fat tragjik…”! Nga burgimi, tek internimi dhe sëmundja, historia e trishtë e Musine Kokalarit. Amaneti i shkrimtares, çfarë thuhej në ditarin e saj

Para 108 vitesh lindi shkrimtarja Musine Kokalari, në Adana të Turqisë.

 

Musine Kokalari është shkrimtarja e parë shqiptare femër, studiuesja dhe aktivistja politike, themeluese e Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë në vitin 1943. Një intelektuale me ide demokratike që u burgos dhe vuajti poshtërimin e një gjyqi publik nën një regjim despotik komunist që e mbajti në burg, të internuar dhe në vëzhgim gjatë pjesës më të madhe të jetës së saj. Ajo u lind më 10 shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë, në gjirin e një familjeje gjirokastrite patriotike. Familja Kokalari u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari u vendos në Tiranë. Në vitin 1937, mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate.

Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxorën nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret me kancer dhe dy vjet më pas ndahet nga jeta. Dhjetë vjet pas largimit nga kjo jetë, në vitin 1993, iu dha pas vdekjes medalja “Martir i Demokracisë”.

OPOZITARIZMI

Musine Kokalari krijoi së bashku me Skënder Muçon, Partinë Socialdemokrate, në vitin 1943 dhe Enver Hoxha nuk mund të anashkalohej nga sistemi një partiak i Hoxhës. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria po vihej nën diktaturë, si kundërveprim i kësaj të fundit u themelua më 6 nëntor të vitit 1946, në Tiranë, grupimi i parë opozitar antikomunist “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, një aleancë e Partisë Socialdemokrate, kryesuar nga Musine Kokalari, me Frontin e Rezistencës, drejtuar nga Sami Qeribashi dhe me Grupin Monarkist, të drejtuar nga Qenam Dibra. Musineja u bashkua me disidentët e tjerë të opozitës, e cila sipas ideve të saj, do të ishte ilegale dhe do të luftonte me mjete demokratike për një Shqipëri ndryshe. Ajo nuk mund të pranonte diktaturë, ndaj dhe i shfaqi hapur bindjet politike, por në të njëjtën kohë dhe diktatura nuk mund ta pranonte Musinenë, ndaj e goditi për vdekje.

Në hetuesi dhe në gjyq, Musine Kokalari do të depononte: “Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ‘Zëri i Lirisë’, ku kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut. Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit”. Në vitin 1942, Musine Kokalari diplomohet me rezultate të shkëlqyera dhe vendos të rikthehet ne Shqipëri. Me një vizion tashmë të zgjeruar e të pasuruar, ajo vendoset në Tiranë, ku krahas punës vetjake letrare ndërmerr dhe nisma të rëndësishme në fushën e publicistikës. Përgjatë vitit 1942, emri i Musine Kokalarit përfshihet në Enciklopedinë Italiane si një shkrimtare e talentuar me potencial të lartë letrar. Si pjesë e nismës antifashiste në Shqipëri, ajo jep ndihmesën e saj në botimin e revistës “Gruaja Shqiptare” në qershor të 1943.

Në të njëjtin vit, krijohet “Partia Social Demokrate e Shqipërisë”, pjesë e së cilës ishte dhe Musineja, si themeluese e frymëzuese kryesore e këtij entiteti politik. Në vijimësi të këtij projekti politik, në 1 janar të vitit 1944 Musine Kokalari bashkë me Prof. Isuf Luzi publikojnë numrin e parë të gazetës “Zëri i Lirisë”. Veprimtaria e saj si mbrojtëse e idealeve demokratike dhe patriotike përqendrohet në librarinë “Venus” që zotërohej nga vëllezërit e saj. Kjo librari u kthye shpejt në një qendër ku mblidheshin dijetarë dhe dashamirës të ndryshëm të letërsisë dhe politikës që ndanin pikëpamjet progresiste të Musinesë. Përndjekja e vazhdueshme dhe mungesa e kushteve më minimale të jetesës ndikoi drejtpërdrejtë në aktivitetin letrar të Musinesë, i cili u ndërpre në mënyrë brutale. Vetëm në vitin 1972, Musine Kokalari arriti të përfundonte në fshehtësi një libër të saj të titulluar “Si lindi Partia Social Demokrate”, ku ajo shpjegon pikëpamjet e saj anti-komuniste dhe shpreh alternativën e saj progresiste e demokratike. Arriti ta ruante këtë vepër përmes një serie shkrimesh që ia dërgoi nipit të saj, Platon Kokalari nën tematikën “Të shpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale”.

ARRESTIMI

Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke qenë themeluese e Partisë SocialDemokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit. Pak përpara arrestit i dërgoi një letër Aleatëve, të cilët ende ishin në Tiranë. Në letrën e saj kërkonte zgjedhje të lira dhe lirinë e shprehjes.

Në gjykatë, Kokalari mbajti këtë qëndrim: “Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”. Pas këtyre fjalëve, ajo nuk mund t’i shpëtonte dënimit të sistemit të Enver Hoxhës, edhe pse ky i fundit e njihte mirë familjen intelektuale dhe patriotike të Kokalarëve nga Gjirokastra. Madje,Hoxha kishte lidhje gjaku me Musinenë, por ai nuk e kurseu as atë, pasi kishte pushkatuar pa gjyq dy vëllezërit e saj, në nëntor të vitit 1944.

LETRA

Musine Kokalari u dënua me 20 vjet burg. Ajo kaloi 15 vjet si në burgun e Burrelit. Në një seancë gjyqi, ndërsa dikush thirri se ajo duhet të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi, e pyeti se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”.

Musineja nuk pranoi avokat. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që jep qartë edhe në qëndrimin e saj prej politikaneje, demokrate, konseguente dhe e papërlyer. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe konfiskim të pasurisë. Sapo u lirua, u internua në Rrëshen dhe u detyrua të punonte si pastruese e rrugëve të qytetit. Në këtë moment ajo i shkroi një letër me 4 faqe Enver Hoxhës, në të cilën i kërkoi të mos internohej, sepse e kishte përfunduar dënimin e vet. Përmes kësaj letre të shkruar nga vetë Musineja, ajo lutet që të shqyrtohet internimi i saj, pasi siç shkruan, për veprimet e dikurshme ka paguar 15 vitet burg, por për të internimi tani duket i pakuptueshëm. Përveç kësaj, Kokalari i kërkon Hoxhës që t’i kthehen dorëshkrimet folklorike që kishte mbledhur.

Mes të tjerave në letër ajo ka shkruar: “Kur lexova fjalinë tuaj se pas dënimit të çdokujt nuk do të kishte më as ndjekje, as pengesa. Burgun e mora si një borxh që duhej larë. Vetë veprova, vetë e pagova. Por dënimi i dytë nuk është trajtim i drejtë. Prandaj, ju lutem, shqyrtojeni edhe një herë, sepse, nëse ka arsye tjetër, unë jam gati të përballem”. “Në qoftë se unë si e internuar, nuk kam të drejtë të merrem publikisht me lëvizjen e librave, besoj se nuk më ndalohet që orët e lira të jetës sime private të merrem me metariale folklorike. Përse vallë të mos m’i jepni? Përse të bëhet ky persekutim?”. Pas kësaj letre Enver Hoxha nuk denjoi t’i kthente përgjigje. Diktatori mësohet të jetë shprehur: Akoma gjallë qenka kjo? – Musine Kokalari vdiq në Rrëshen, në internim, 21 vjet pas dërgimit të kësaj letre dhe 2 vjet para se të vdiste diktatori Hoxha. Ajo vdiq e izoluar dhe e përndjekur, duke shënuar një rast nga më të rëndët të përndjekjes së intelektualëve dhe një femre gjatë regjimit komunist.

AMANETI

Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Pas punës, ajo shëtiste vetëm, por dhe shkonte në vendin e saj të preferuar, bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat. E dërmuar nga vuajtjet dhe e rraskapitur nga punët e rënda, Musineja u sëmur nga kanceri. “Ç´fat tragjik, shkruan ajo. Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”, shkruante ajo. E shtruar në spitalin onkologjik, ajo shkruan:

“Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s´kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç´do të ngjasë?”. “Këtu njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. “Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokrati zohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë”. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983. Më 1991 familjarët e saj e zhvarrosën, tani e ka varrin në Shish-Tufinë.

VEPRA

Vepra e saj e parë, “Siç më thotë nënua plakë” botuar në të përjavshmen politike e letrare “Bota e re”, më korrik të vitit 1940, ishte në fakt një hartim i bërë në klasat e larta të Institutit Femnor. Pasi u botua u përcoll nga një kritikë prej Lasgush Poradecit më 30 të atij muaji. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”. Në janar të vitit 1945, doli nga shtypi libri i tretë i Musine Kokalarit “…sa u tunt jeta”. Musine Kokalari ishte një nga 30 shkrimtarët e parë të burgosur që u regjistruan në vitin 1960 nga Komuniteti i Treshit (pararendës i Klubit PEN). Në 1993, Kokalari u shpall pas vdekjes “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha. Në vitin 2008 i jepet nga Presidenti në detyrë Bamir Topi tiulli i lartë “Nderi i Kombit”. Emrin e saj e mban një shkollë në Tiranë, Qendra Kulturore në Gjirokastër, një rrugë në Rrëshen, një rrugë në Prishtinë, një bibliotekë lagjeje në Tiranë./

Artikulli paraprakLufta në Ukrainë, Zelensky: Evropa nuk mund të garantojë sigurinë e Ukrainës pa Amerikën! Ja kur do takohem me Trump
Artikulli tjetërPas protestës së Berishës, vjen pazari me Ramën