Champions League Aziatike, shënon Berisha

Besart Berisha nuk ndalet as në Champions League-n Aziatike. Sulmuesi shqiptar ishte përcaktues në sfidën e parë të raundit të 1/8-ve mes Melbourne Victory dhe Jeonbuk Hyunday Motors, e cila përfundoi në barazim 1-1. Në këtë duel 30-vjeçari nga Prishtina realizoi golin e vetëm për skuadrën australiane, por finalizimi i Berishës nuk arriti t’i jepte fitoren Melbourne-it, pasi skuadra koreano jugore ia doli të barazonte shifrat. Ish-lojtarit të Hamburgut në Bundesligën gjermane iu deshën vetëm 5 minuta për të zhbllokuar shifrat.
Berisha bëri bomberin e vërtetë brenda zone, duke përfituar nga një top kthyer nga Broxham për mposhtur me kokë portierin e Jeonbuk. Ky ishte goli i 3-të për Besart Berishën në këtë edicion të Champions Leagues aziatike. Megjithatë nuk vonoi shumë dhe skuadra nga Korea e Jugut barazoi rezultatin falë një goli të realizuar nga braziliani Leonardo. Pavarësisht përpjekjeve të sulmuesit shqiptar dhe shokëve të tij të skuadrës, shifrat në stadiumin “AAMI Park” nuk ndryshuan më deri në fund, dhe për të përcaktuar ekipin që do të avancojë në çerekfinale duhet pritur ndeshja e kthimit që do të zhvillohet në Korenë e Jugut, pas një jave.

Exit mobile version