Humbja me Totenhemin dy javë më parë ka qenë vetëm një “incident rastësor” në rrugëtimin e Chelsea-t, pasi blutë e Antonio Kontes i janë kthyer përsëri shumë shpejt paraqitjeve dominuese në kampionatin anglez. Pas suksesit të një jave më parë ndaj Leisterit, dje ata mundën 2-0 Hall Siti në një duel pa shumë histori.
Ndeshja në fakt dhuroi disa emocione të paparashikuara kur Kahill dhe Mejzon u përplasën kokë më kokë, me futbollistin e Hall Siti që humbi ndjenjat dhe u desh të largohej nga fusha e lojës me barelë pas 10 minutash ndërprerje të ndeshjes. Si rrjedhojë, edhe në fundin e pjesës së parë kishte po kaq shtesë të takimit dhe në minutën e 7 të saj ishte Diego Kosta që realizoi golin e avantazhit për ekipin e tij.
Në pjesën e dytë, Chelsea menaxhoi mirë situatën, derisa gjeti edhe golin e dytë, me anë të Geri Kahill, i cili realizoi me kokë për të vulosur rezultatin përfundimtar 2-0. Si rrjedhojë, blutë mbajnë një diferencë prej 8 pikësh nga vendi i dytë, ku tani gjendet Arsenali, por për momentin, duket e vështirë që të humbasin këtë distancë të krijuar nga ndjekësit.
Arsenali ka arritur të fitojë një ndeshje të çmendur ditën e djeshme në stadiumin “Emirates” teksa ka mposhtur me rezultatin 2-1 Bërnlin.
Shkodran Mustafi kaloi Arsenalin në avantazh falë golit të shënuar në minutën e 59. 6 minuta më vonë Granit Xhaka i vështirësoi punët ekipit të tij teksa u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje të gabuar. Bërnli barazoi përkohësisht me anë të Grejit që u tregua i saktë nga pikë e bardhë e penalltisë në minutën e 3-të të shtesës, para se Sançez të shënonte 5 minuta më vonë, në minutën e 8 shtesë, po me 11-metërsh. Pas kësaj fitoreje, Arsenali ngjitet në vendin e 2-të me 47 pikë.