Thibaut Courtois duhet të marrë një vendim për të ardhmen e tij. Në tavolinën e portierit belg, presidenti Abramovch i ka dorëzuar ofertën për rinovimin e kontratës që skadon më 30 qershor të vitit 2019. Një lëvizje që nuk i ka pëlqyer aspak portierit, i cili nuk kërkon të nxitohet, i joshur edhe nga ofertat e klubeve më të pasura të kontinentit. Courtouis ka kërkuar kohë për të studiuar edhe lëvizjet e ndryshme në merkato.
Nuk ka asnjë dyshim që pas derës qëndron Reali i Madridit, por gjatë ditëve të fundit ka shfaqur interes edhe PSG e Man. United. Valsi i portierëve në merkaton e verës pritet të shkaktojë një efekt domino, pasi e ardhmja e Courtouis është e lidhur në mënyrë të paevitueshme edhe nga ajo e De Gea, Navas, Oblak e Donnarumma. Guardiola është i pari që ka lëvizur në këtë drejtim. Trajneri i Manchester City dëshironte një portier që t’i ofronte siguri dhe pagoi 50 milionë për të transferuar Ederson nga Benfica.
Por në kërkim të një portieri është edhe Manchester United në rast të largimit të De Geas. Spanjolli ndiqet gjithashtu edhe nga Reali i Madridit që ka në listë edhe Donnarumman e Courtouis. Një situatë delikate, por që mesa duket po mbahet peng nga “Los Blancos” që nuk kanë marrë ende vendimin përfundimtar për të ardhmen e portës së tyre. Zidane kërkon një gardian që të ofrojë siguri dhe Courtouis është padyshim një prej emrave më të pëlqyer prej tij. Chelsea duhet të presë për të mësuar vendimin që do të marrë shtatlarti belg, i cili synon të bëjë hapin e madh të karrierës.