Chelsea dhe Liverpool vijojnë betejën për Aubameyang

Chelsea dhe Liverpool vijojnë betejën për të afruar Pierre-Emerick Aubameyang nga Borussia Dortmund. Dy klubet janë gati të paguajnë rreth 75 milionë euro. “Reds” janë favoritë, prej marrëdhënies së sulmuesit me ish-trajnerin Jurgen Klopp. Nëse pista Aubameyang dështon, Chelsea mund të afrojë Chicharito Hernandez nga Bayer Leverkusen.
Me transferimin te Manchester City për 56 milionë euro, Kyle Walker është bërë mbrojtjësi më i shtrenjtë në histori. Pas prezantimit, ish-lojtari i Tottenham u shpreh i lumtur që do të luajë për “citizens” dhe po pret me padurim të nisë punën me Pep Guardiolën.
Jose Murinjo synon të afrojë Raphael Varane te Mancheser United, si pjesë e marrëveshjes për shitjen e David de Gea te Reali i Madridit. “Los Blancos” nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga portieri, ndërsa “Djajtë e Kuq” po mendojnë të përforcojnë mbrojtjen.
Arsenali është klubi më i fundit që hyn në garën për mesfushorin e Chelsea, Nemanja Matic. Me afrimin e Bakayoko nga Monaco, blutë do ta shesin serbin, për të cilin interesohen edhe Manchester United dhe Juventusi.
Tottenham është vënë në ndjekje të ish-sulmuesit të Liverpool, Suso, që sezonin e kaluar shkëlqeu në 33 ndeshje të luajtura në Serinë A me Milanin. Mauricio Pochettino e pëlqen lojtarin që edicionin e kaluar realizoi 7 gola dhe dha 9 asist.

Exit mobile version