Beteja mes Chelsea dhe Real Madrid për transferimin e yjeve të skuadrës londineze duket se do të mbyllet në “barazim”. Sipas “Sky Sport”, palët kanë rënë dakord për transferimin e portierit belg Thibaut Courtois nga “blutë” e Londrës te kampionët e Europës për vlerën e 35 milionë eurove. Portieri 26-vjeçar ishte prej kohësh në qendër të vëmendjes së skuadrës madrilene, që tashmë ka përveç marrëveshjes me lojtarin edhe atë të klubit londinez, që do ta lërë të lirë Courtois.
Por nuk do të ndodhë e njëjta gjë për një tjetër belg, mesfushorin Eden Hazard, i cili konsiderohet i pashitshëm për Chelsea, ose londinezët do ta lënë të lirë të largohet vetëm për një shifër mbi 200 milionë euro. Ardhja e trajnerit italian Maurizio Sarri te Chelsea duket se ka ndryshuar kushtet, duke mos e lënë të lirë lojtarin, që sipas tij është i domosdoshëm për sezonin e ardhshëm. Nuk dihet nëse Real Madrid do të vazhdojë të këmbëngulë për Hazard, që konsidetohet si zëvendësuesi i Cristiano Ronaldo.