Është koha për të marrë një psherëtimë lehtësimi për Giorgio Chiellini, por te Juventusi u shkaktua alarmi i radhës nga Alex Sandro. Anësori brazilian, në fakt, e ka lënë grumbullimin e skuadrës së tij kombëtare, pasi ka një problem muskulor në kofshën e djathtë, ende për t’u vlerësuar. Për të ditur shkallën e lëndimit të pësuar nga Alex Sandro, padyshim, do të jetë e nevojshme të priten rezultatet e vizitave të specializuara, që lojtari do t’iu nënshtrohet në Torino, por dëmtimi i muskujve që shkaktoi largimin nga Brazili nuk lë shumë shpresë për shërim të shpejtë. Alex Sandro me siguri do ta humbasë ndeshjen e madhe të Seria A kundër Milanit, e planifikuar për më 31 mars dhe shumë vështirë të jetë në dispozicion të Allegrit për ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, duke iu bashkuar mungesave të Benatia dhe Pjaniç, të skualifikuar. Ai që kundër Cristiano Ronaldos me shokë duhet të jetë atje, është Giorgio Chiellini, “viktimë” e një tendosjeje të muskujve të shtunën e kaluar, kundër Spal. Qendërmbrojtësi bardhezi, më së shumti do të qëndrojë pushim kundër Milanit, si një masë paraprake, pastaj të jenë në fushë, në supersfidën e Ligës së Kampionëve. Kohët e rikuperimit të Cuadrado dhe Bernardeschi mbesin të padefinuara. I pari ende ndjen dhembje kur fillon të stërvitet, ndërsa i dyti vazhdon punën e forcimit të gjurit për të shmangur operacionin. Kjo është arsyeja pse mungesa e Alex Sandro, i cili në javët e fundit është bërë një alternativë e rëndësishme, ka të ngjarë të peshojë jo pak në pjesën tjetër të sezonit të bardhezinjve.
Trajneri Allegri, shkurt, thjesht duhet të presë rezultatet e vizitave të anësorit brazilian, duke u lutur me shpresë se Alex Sandro nuk ka gjë serioze.
Blaise Matuidi, mesfushori i Juventus, i transferuar verën e kaluar te torinezët nga PSG, ka folur për “Le Figaro”: “Sezon ëndrrash? Gjithçka po shkon mirë, por qëkur kam ardhur këtu i them vetes se nuk është ky momenti i sezonit për të bërë llogaritë. Napoli po luan shumë mirë. Nuk ka asgjë të sigurt dhe do të luftojmë deri në fund”. “Nëse kam ndryshuar dimension duke kaluar nga PSG tek Juventus? Po. Kur kam ardhur, kam kuptuar menjëherë se ky klub ka një histori të gjatë. E kupton shumë mirë kur zbulon muzeun, trofetë e shumtë apo kur je në qendrën stërvitore, ku të kujtojnë shpesh – me fotografi, titujt e fituar, emrat e mëdhenj që kanë luajtur këtu – përgjegjësinë që ke kur vesh këtë fanellë”. Juventus është një institucion që nuk ka lindur dje dhe domosdoshmërisht kërkon të jesh në nivelin e duhur për të respektuar këtë traditë. Rëndësia e detajeve? Këtu ndihet akoma më shumë. Asgjë nuk i lihet rastësisë. Stafi mjekësor ka shumë specialistë për këmbët, pjesët e sipërme të trupit; më pas është stafi brenda dhe jashtë fushës, nuk jemi asnjëherë vetë. Kjo është shenja dalluese. Ka disa momente që jemi në vështirësi, por luftojmë deri në fund, kjo është forca jonë”, ka thënë francezi.