Raporti faktmbledhës i CIA-s: Qeveria dështoi me taksat dhe FMN

Një dokument faktmbledhës i Agjëncisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) bën të ditur se programi i Fondit Monetar në Shqipëri është i riskuar për shkak të dështimit të përmbushjes së detyrave nga ana e qeverisë shqiptare.
Programi i Fondit Monetar në Shqipëri mund të jetë në rrezik për shkak se qeveria nuk ka arritur të grumbullojë të ardhurat e duhura nga taksat e tatimet për të ulur defiçitin buxhetor.
Alarmi kësaj here vjen nga CIA, e cila ka analizuar në faqen e vet zyrtare të dhënat për vitin 2015 për ekonominë shqiptare si dhe zhvillimet kryesore në vend në sektorë si energjetika, transportet apo industria.
“Qeveria është fokusuar në lehtësimin e procedurave të licencimit si dhe ato fiskale, ndërkohë që ka nënshkruar një marrëveshje të re me FMN për mbështetje të reja financiare e teknike. Por programi i FMN mund të gjendet në rrezik, gjithsesi, pasi qeveria nuk ka arritur të mbledhë nga taksat sasinë e duhur të parave për të reduktuar defiçitin buxhetor. Vendi vazhdon të përballet me rritjen e borxhit publik, i cili tashmë ka tejkaluar kufirin e dikurshëm ligjor prej 60% në 2013 dhe duke arritur në 73% në 2015”, thekson CIA në analizën e saj.
Në dokument theksohet gjithashtu se pavarësisht rritjes gjatë viteve të fundit, Shqipëria mbetet një prej shteteve më të varfëra në Evropë. Pengesë janë informaliteti masiv në ekonomi si dhe infrastruktura e dobët energjetike dhe në transport.
Ndërsa analizon Produktin e Brendshëm Bruto për frymë për vitin 2015, CIA e rendit Shqipërinë në vendin e 126 në botë, pas shteteve si Peruja, Jordania apo Mongolia, me vetëm 11.900 dollarë në vitin 2015. Po ashtu, me normën e papunësisë prej 17.3% në vitin 2015, Shqipëria renditet e 159-ta në listën me 207 shtete, pas Mozambikut, Gjeorgjisë apo Irakut.
Ndërkaq, CIA vlerëson se Shqipëria ende rrezikohet nga kriza në Itali e Greqi. Sipas analizës, lidhjet e ngushta në sektorin bankar bashkë me remitancat nga Greqia e Italia, e bëjnë Shqipërinë të prekshme nga efektet e krizave të borxhit në këto vende.

Paralajmërimet e FMN

Kohët e fundit, FMN po paralajmëron në mënyrë të shpehtë gjendjen jo të mirë të ekonomisë në Shqipëri. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka publikuar një raport të Vlerësimit të Transparencës Fiskale (FTE) për Shqipërinë, e cila ishte kryer me kërkesë të qeverisë së Shqipërisë nga një ekip nga Departamenti i Çështjeve Fiskale të Fondit në qershor 2015. Në shumë fusha Shqipëria performon sipas standardeve të përcaktuara me Kodin e Transparencës Fiskale të FMN-së. Rreth 10 parime të Kodit nga 36 gjithsej janë renditur si ose “mirë” ose “të avancuar” dhe 14 parime janë vlerësuar si “bazike”. Megjithatë, në tetë fusha kërkesat themelore të Kodit “nuk plotësohen”. Në raport me tri shtyllat e Kodit, FMN konstaton se raportet fiskale mbulojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të përgjithshme të qeverisë, shpenzimet, financimin dhe borxhin, por ofrojnë pak informacion në lidhje me elemente të tjerë të bilancit, duke përfshirë një vlerësim rreth 83 për qind të PBB-së në asetet fikse dhe financiare dhe 7 për qind të PBB në detyrimet e partneriteteve publiko-private (PPP). Sektori i korporatave publike të Shqipërisë, me aktivet dhe pasivet që zënë rreth 29 për qind të PBB-së, është gjithashtu jashtë raporteve të konsoliduara fiskale. Raportet fiskale përfshijnë disa, por jo të gjitha kontrollet e integritetit dhe mospërputhjet në fluksin e rrjedhjes së parasë kanë qenë të mëdha (rreth 1 për qind e PBB-së), në vitet e fundit. Parashikimi fiskal dhe buxhetimi rregullohet nga legjislacioni gjithpërfshirës dhe një kornizë fiskale afatmesme. Megjithatë, parashikimet zyrtare kanë mbivlerësuar dukshëm si GDP (me 1.5 për qind) dhe të ardhurat (nga 2 për qind të PBB-së) gjatë dekadës së kaluar. Si rezultat, buxheti i miratuar shpesh është reduktuar ndjeshëm gjatë vitit për shkak të mungesës së të ardhurave, duke minuar besueshmërinë e tij. Raporti rekomandon që të krijohet një këshill i pavarur fiskal për të vlerësuar realizimin e parashikimeve ekonomike dhe fiskale të qeverisë. Shqipëria përballet me një sërë rreziqesh të mëdha fiskale, duke përfshirë pretendimet për kompensim për pronën e shpronësuar deri në 70 për qind të PBB-së dhe një sektor të madh bankar me një përqindje të lartë të kredive me probleme. Zbulimi i këtyre rreziqeve ishte i shpërndarë nëpër një numër dokumentesh dhe misioni rekomandoi që buxheti të përfshijë një diskutim më të plotë të rreziqeve më të rëndësishëm në kuadrin fiskal.

Shqipëria me treg të pazhvilluar financiar

Shqipëria renditet me tregjet me të pazhvilluara financiare në Botë së bashku me 5 vende të tjera Europiane në një renditje të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Të ndara në 6 zona me ngjyra, ku e kuqja përfaqëson nivelin më të ulët të zhvillimit dhe ngjyra blu nivelin më të lartë, Shqipëria renditet tek ngjyra e kuqe. Në indeksin botëror të zhvillimit financiar Shqipëria zë vendin e 107 në mbi 180 vendet e marra në studim. Disi më mirë paraqitet në indeksin e zhvillimit të institucioneve financiare ku renditet në vendin e 90. Në studimin e FMN zhvillimit financiar përfshin përmirësimet në funksione të tilla të ofruara nga sistemet financiare si: (i) bashkimit të kursimeve; (ii) ndarjes së kapitalit në investime produktive; (iii) monitorimi i këtyre investime; (iv) Risku dhe diversifikimi; dhe (v) shkëmbimi i mallrave dhe shërbimeve. Secila nga këto funksione mund të ndikojë në vendimet për kursim dhe investime dhe efikasitetin me të cilën janë ndarë fondet. Për pasojë zhvillimi i tregjeve financave ndikon në akumulimin e kapitalit fizik dhe njerëzor dhe është një faktor i rëndësishëm i produktivitetit dhe nga tre faktorët që përcaktojnë rritjen ekonomike.

Artikulli paraprakSi po trukohet nga qeveria rritja ekonomike
Artikulli tjetërRama, studio personale pa leje tek ish Poligrafiku