CIES: Amir Rrahmani mbrojtësi më i mirë në Serie A dhe i katërti më i vlerësuar në botë

CIES (Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive) ka publikuar raportin për fundin e sezoneve në të gjitha kampionatet e botës, duke bërë një vlerësim për futbollistët më të mirë sipas pozicioneve në fushë.

Në qendër të mbrojtjes, Amir Rrahmani (indeksi 86.2 sipas CIES) i Napolit renditet në pozitën e katërt në botë, teksa është i pari ndër mbrojtësit qëndror më të mirë të Serie A në Itali. Me një paraqitje të shkëlqyer, kapiteni i Kosovës ndikoi që Napoli të shijonte trofeun e kampionit në Serie A.

Në listën e mbrojtësve më të mirë, në krye qëndron ylli i Liverpoolit, Virgil van Dijk. Podiumi plotësohet nga Aurelien Tchouameni i Real Madridit, që shpesh luan edhe si mesfushor dhe William Saliba i Arsenalit.

Ky institut ka përpiluar një listë me futbollistët më të mirë në botë për secilin rol, duke analizuar 60 kampionate në të gjithë globin.

Gjashtë aspektet kryesore të lojës që merren në konsideratë janë: duelet ajrore, mbrojtja në tokë, shpërndarja e pasimeve, avancimi me topin, krijimi i rasteve për gol dhe finalizimi.

Rezultati më i lartë sipas indeksit të vlerësimit u regjistrua për Mohamed Salah (Liverpool), përpara dy lojtarëve të Barcelonës; Lamine Yamal dhe Pedri Gonzalez. Dy futbollistë të tjerë të Liverpoolit kryesojnë listën për pozicionet mbrojtëse; Virgil van Dijk dhe Trent Alexander-Arnold.

Florian Wirtz (Bayer Leverkusen) kryeson renditjen për mesfushorët sulmues, ndërsa Kylian Mbappe është përpara Viktor Gyökeres për qendërsulmuesit.

Artikulli paraprakDemokracia hibride që ofron Rama 4.0, një rrezik edhe për BE
Artikulli tjetërViti ‘97 përndjek pensionistët: Dokumentet e zhdukura, 6500 të moshuar enden gjykatave