Sokol Cikalleshi po përjeton një nga momentet më të mira në karrierë në kampionatin turk, aty ku iu desh të ringrihej pas një periudhe jo fort të kënaqshme në sezonin e dytë me Bashakshehirin. Tashmë pjesë e Akhisarit, skuadër me të cilën ka shënuar 5 gola në 10 ndeshje, 2 vetëm në përballjen e fundit me Gaziantepsporin, 26-vjeçari tregon se synimi është mbyllja e kampionatit në vendin e shtatë. “Gëzimi është dyfish, sepse shënova dhe fitoi ekipi. Kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe shpresoj të vazhdojmë kështu, që të ngjitemi sa më lart në klasifikim. Objektiv është vendi i shtatë”.
Për Cikalleshin largimi nga Bashakshehiri, ku mundësitë për aktivizim ishin zvogëluar, ishte vendimi i duhur. Forma që po tregon te skuadra e re e vërtetojnë këtë. “Isha shumë mirë te Bashakshehiri, por vitin e dytë gjërat morën mbrapsht. Kur erdhi Adebajori shpresa për aktivizim u venit ndaj vendosa të shkoj te Akhisari për të treguar se çfarë është i aftë të bëjë Sokoli në kampionatin turk”.
Futbolli turk, sipas Cikalleshit është specifik: nëse arrin të përshtatesh në vitin e parë, gjithçka më pas bëhet më e thjeshtë. “Kur erdha në fillim specialistët më thoshin që nëse do të mbijetosh në vitin e parë do ta kesh më të lehtë dhe kur i mendoj këto fjalë e kuptoj se kanë qenë të drejta”.
Një Cikallesh në superformë është një bonus i madh edhe për kombëtaren, që kërkon ta mbyllë në mënyrën sa më të mirë të mundshme fushatën eliminatore të Botërorit. “Uroj që ne të gjithë lojtarët e sulmit të vazhdojmë kështu, duke shënuar sa më shumë, që të jemi në formë sa më të mirë për takimin me Izraelin”.
Në kampionatin turk është momenti i Sokol Cikalleshit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ishte thjesht fantastik në sfidën mes Akhisar Belediye dhe Gaziantepsporit, teksa me 2 gola dhe 1 traversë që solli dhe autogolin që zhbllokoi shifrat, arriti të udhëhiqte skuadrën e tij drejt një suksesi të thellë me shifrat 6-0. Falë klasit të Cikalleshit, Akhisari siguroi edhe matematikisht mbijetesën, 4 javë përpara fundit të sezonit. Cikalleshi, i cili e nisi sfidën si titullar në minutën e 43-të u bë protagonist, duke goditur traversën me topin që shkoi në rrjetë më pas pas devijimit përfundimtar të Wallace.
Bomberi kavajas ishte thjesht i papërmbajtshëm në këtë sfidë dhe në minutën e 58-të, shënoi edhe golin e dytë të ndeshjes, pas një goditjeje me kokë. 3 minuta më pas Cikalleshi bëri gjithçka në mënyrë perfekte për ta çuar në 5 numrin e golave të tij sezonalë me Akhisarin dhe për të vulosur fitoren e ekipit të trajnerit Kafkas. Një gol shumë i bukur dhe me një dedikim special për partneren e tij Kornelian, e cila ishte e pranishme në tribunë ai i Sokol Cikalleshit. Në minutën e 76-të, Cikalleshi u zëvendësua për t’i lënë vendin suedezit Larsson. 2 nga 3 golat e tjerë të Akhisarit që regjistroi fitoren e 3-të radhazi dhe u ngjit në vendin e 10-të e në kuotën e 39 pikëve, u shënuan nga portugezi Vaz Te, ndërsa Larsson fiksoi shifrat përfundimtare në 6-0.