Cila do të ishte vota e vetme e drejtë dhe e logjikshme për besimtarët në 11 maj

Nga Fitim Zekthi

Ka shumë mundësi që zgjedhjet e 11 majit të jenë ndër më të rëndësishmet për vendin që nga viti 1992. Arsyeja themelore është se në këto zgjedhje klasa politike 35 vjeçare është për herë të parë përballë hapjes së rrugës së ndëshkueshmërisë për korrupsionin e lartë politik dhe krimin e organizuar të rritur krah këtij korrupsioni politik ose mbylljes përfundimtare të kësaj rruge dhe garantimit të paprekshmërisë së saj. Pra, do të kemi përgjigje për pyetjen nëse do të mund të fitojë sërish forca e madhe e fuqishme e kësaj klase politike që ta mbajë vendin nën morsën e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë apo do të hyjmë në një rrugë të ndëshkueshmërisë së të paprekshmëve (rrugë në fakt e çelur nga SPAK dhe GJKKO në këto dy tre vite) dhe të sundimit të ligjit dhe të drejtës.

Shkurt në lojë është një gjë shumë e madhe dhe shumë e fuqishme. Është forca e sistemit dy partiak, me dy partitë e mëdha që kanë të njëjtën bazë ekonomike, bazë mediatike dhe madje të njëjtën bazë mbështetëse edhe te krimi.

Duke qenë kështu çdo votë do të jetë në një farë mënyre vendimtare dhe padyshim që çdo kategori apo grup votuesish do të jetë objekt i fushatës së partive dhe kandidatëve. Është gjithnjë shumë e vështirë të ndash votuesit në grupe të ndryshme ndonëse sociologjia politike përpiqet të japë disa mundësi për ta bërë këtë. Partitë padyshim përpiqen fort t’iu drejtohen votuesve si grupe.

Një nga këto të quajtura grupe janë edhe besimtarët. Edhe këtij grupi, ndaj besimtarëve myslimanë dhe të krishterë, partitë, sidomos ato dy të mëdhatë, po tregojnë dhe do të tregojnë një interes shumë të madh. Si do të duhet të votonin besimtarët në zgjedhje, si do të duhet të votojnë ata këto zgjedhje?

Ka një hierarki, si gjithmonë, që ndjek mënyrën se si njeriu mendon dhe i merr vendimet. Besimtarët mendojnë, besojnë se Zoti ka krijuar njeriun dhe botën, ka krijuar një rend natyror në të cilin ekzistojnë gjëra, parime, vlera të përhershme. Nga këto parime dhe vlera të përhershme burojnë morali, normat, rregullat ligjet me anë të cilave njerëzit ndërtojnë jetën e tyre.

Pra, në radhë të parë besimtarët do të shihnin se cila prej partive, cili prej kandidatëve potencialë për kryeministër, por edhe cili prej kandidatëve më pak të mundshëm e sheh botën dhe njeriun si diçka të krijuar nga Zoti, e sheh krijimin në tërësi si diçka në të cilin ka një rend natyror ku gjenden parime, gjëra dhe vlera të përhershme të cilat do të jenë burim i sjelljes, mënyrës së të jetuarit dhe gjithçkaje që ne duam të bëjmë. Pra besimtarët kanë në kokë një ideal që synon një shoqëri që jeton me këto vlera dhe moral. Tamam, tamam fare ideali politik është një shoqëri e udhëhequr nga politikanë që jo vetëm i marrin parimet e tyre nga mësimet e Zotit, jo vetëm përpiqen të jetojnë dhe sillen sipas këtyre parimeve por edhe që kanë frikë Zotin për çdo gjë që bëjnë.

Politikanët ose kandidatët për kryeministër në Shqipëri, sidomos kryetarët e dy partive të mëdha nuk kanë dëshmuar se janë njerëz që besojnë dhe udhëhiqen nga mësime apo parime të tilla. Parimet që ata kanë, e kanë thënë vetë, nuk informohen, nuk burojnë nga mësimet e Zotit por nga vetë ata, nga vetë njeriu apo vetë arsyeja njerëzore si diçka “më vete.” Parimet e tyre burojnë nga bota, janë prej botës dhe me siguri i shërbejnë vetëm shqetësimit për botën dhe jetën e botës.

Në këtë kuptim besimtarët myslimanë dhe të krishterë nuk kanë asnjë arsye të votojnë dy kryetarët e dy partive të mëdha ose dikë tjetër nisur nga perspektiva e parë. Sigurisht që edhe te partitë e vogla nuk duket dikush që ka një sjellje dhe veprim politik, një mënyrë të shikuari të botës dhe politikës si diçka që infomohet dhe uhdëhiqet nga mësimet e Zotit. Në këtë kuptim asnjë parti, të mëdhatë jo e jo, nuk ka arsye të votohet nga besimtarët. Përkundrazi duhen përçmuar, sidomos dy të mëdhatë për shkak të historisë 35 vjeçare në të cilën ato vazhdimisht jetuan dhe u sollën pa informuar asgjë nga sjellja e tyre nga mësimet e Zotit.

Një perspektivë e dytë do të ishte sjellja e partive, e kandidatëve për kryeministra ndaj fesë, besimit fetar dhe lirive fetare, mënyra se si ato e trajtojnë besimin dhe fenë pavarësisht se vetë nuk besojnë dhe nuk e udhëheqin sjelljen e tyre nga mësimet e Zotit. Partia Demokratike ka folur shpejt që në fillim për liri besimi duke treguar kështu një respekt për liritë fetare (diçka e nënkuptueshme me rënien e komunizmit). Kohë më vonë, shumë më vonë (ndoshta pas vitit 2010, ajo nisi të flasë duke i mbveshur vetes idenë e partie që beson tek parimet e të djathës dhe te vlerat e besimit në Zot. Në fakt ajo vetëm më vonë, pas vitit 2013 nisi të flasë me dendur si një parti që beson tek këto vlera. Sot ajo flet gjithë ditën sikur është një parti një udhëhiqet nga vlerat e besimit në Zot por kjo është një gënjeshtër e plotë. Partia demokratike, pavarësisht faktit që ka folur shpejt për liri fetare, pavarësisht faktit që pas vitit 2013 ka patur kujdes të përdorë një gjuhë më miqësore dhe më identifikuese me vlerat e besimit, kohë pas kohe ka shfaqur shenja fetarofobie dhe sidomos islamofobie. Ka patur zyrtarë të saj të lartë që kanë shkruajtur kundër mbajtjes së shamisë, kundër hapjes së xhamisë Haja Sofia në Stamboll (sikur të ishte diçka që lidhej me ne), ka patur qëndrime në të cilat ëhstë thënë që fetë janë irracionale. Vetë kryetari Berisha tha para dy vitesh që në rrënjë vlerat tona janë paganizmi duke përdorur një gjuhë tipike fetarofobe. PD madje nuk ka pranuar që vajzat me shami të shkojnë në shkollë. Ka patur raste gjatë qeverisjes së saj që vajza me shami të largohen nga shkolla. Në këtë kuptim PD-ja nuk ka patur ndonjë qasje të qartë miqësore me fetë dhe kësisoj nuk ka ndonjë arsye që besimtarët ta shohin atë si një parti që mbron vlerat e besimit.

Partia Socialiste ka qenë edhe me e distancuar nga besimi dhe fjalori që lidhet me besimin në Zot. Ajo duke qenë trashëgimtare e një historie dhune, persekutimi dhe shkatërrimi ndaj besimit por edhe duke qenë një parti e majtë nuk doli asnjëherë nga korniza e një partie që e sheh burimin e gjithçkaje tek bota dhe një botë pa Zot. Brenda saj ka ende persekutorë të hoxhallarëve dhe priftërinjve, brenda saj ka ende njerëz që kanë marrë kazmat kundër xhamive dhe kishave (ka edhe në PD të tillë). Sigurisht që vitet e fundit të dyja partitë janë përpjekur, sigurisht edhe PS-ja, të sillen politikisht korrekt me besimet fetare për shkaqe politike por kjo nuk ndryshon gjë në thelb. Kësisoj nuk ka asnjë arsye që besimtarët të votojnë së paku këto dy parti dhe kandidatët e tyre për kryeministra.

Veç kësaj dy kandidatët për kryeministra Rama dhe Berisha (edhe të tjerët më të vegjël ndoshta) shpesh herë, shumë herë kanë fyer ndjenjat e besimtarëve me fjalorin apo sjelljen e tyre. Një rast ishte ai i Berishës që gati iu afrua martesave gay, foli për çështjet gender dhe çështjet e homosekualitetit nga pozicioni i një aktivisti gay. Një rast tjetër ishte rasti i kryeministrit Rama që mori një medalje nga presidenti i Izraelit dhe nuk tha asnjë gjysmë fjale për krimet monstruoze dhe vuajtjet në Gaza ose rasti kur kryeministri Rama prishi një kishë në Dhërmi me arsyetimin se nuk ishte me arkitekturën e duhur. Gjithashtu ish-ministrja e arsimit Nikolla, d.m.th qeveria Rama, ishte në anën e përjashtimit nga shkolla të vajzave me shami në rast që shkoi në gjyq. Edhe kur gjykata i dha të drejtë vajzës qeveria e ankimoi vendimin. Historia jonë është e mbushur me sjelljet e Berishës dhe Ramës (dhe të tjerëve) në këtë mënyrë. Patriotë e tjera të vogla, asnjëra prej tyre nuk kanë treguar një gjuhë apo sjellje fetarofobe. As Lapaj, as Shabani, as Qori (çuditërisht as Qori), as Basha, as Alibeaj, as Shehaj nuk kanë përdorur gjuhë fetarofobe ndonjëherë.

Atëherë mbetet të shihet një kënd ose perspektivë tjetër e mënyrës se si duhet të votojnë besimtarët. Pra pas nivelit të parë të analizës atij ku shohet nëse partia ose kandidati për kryeministër i merr vlerat e veta politike nga besimi në Zot, pas nivelit të dytë ku shihet nëse partia ose kandidati për kryeministër kanë qëndrime miqësore dhe dashamirëse me liritë fetare shohim nivelin e tretë të analizës atë të mënyrës se si qeveriset vendi, si bëhet opozita, çfarë vizioni dhe qëndrimi politik kanë partitë.

Cila nga dy partitë e mëdha ofron një zgjidhje më të drejtë ose më të mirë (tashmë në terma plotësisht të sekularizuar) pavarësisht burimit të vlerave të tyre, pavarësisht se asnjëra nuk nisen nga persepktiva e besimit në Zot.

Rama ka qeverisur në një mënyrë të tmerrshme. Disa nga reformat më të rëndësishme të tij, ato me të cilat ai u mburr për vite me radhë si ajo në shëndetësi, ajo e pastrimit të mbetjeve, ajo e luftës ndaj krimit dhe drogës, subvencionet në bujqësi janë të gjitha me ministrat në burg për vjedhje. Kryetarët e dy bashkive me të mëdha si ai i Tiranës dhe Durrësit janë gjithashtu të dyshuar për korrupsion. Teorikisht Rama ka ndërtuar një sistem të mbyllur neopatrimonialist ku biznesi klientelist dhe krimi i organizuar janë pjesë e vendimarrjes politike. Kjo mund të jetë, është, qeverisja më e keqe në 35 vite sa i takon vizionit dhe pasojave afatgjata. Qeveria është kundër SPAK, GJKKO dhe ndëshkueshmërisë. Ajo pavarësisht dukjes po bën gjithçka që vendi të mbesë në gjendjen e vjetër dhe reforma në drejtësi të vdesë pa u kuptuar.

Opozita është në inkoherencë të plotë. Sulmon SPAK dhe GJKKO të cilat janë duke bërë një përpjekje të vështirë që të ndëshkojnë të paprekshmit. Opozita nuk është përpjekur të përfaqësojë ndryshimin. Ajo ka kandidat për kryeministër dikë që ishte kandidat për kryeministër edhe në vitin 1991. Ajo zhvilloi një luftë parlamentare për revolucion dhe mosbindje civile dhe premtoi që do ta rrëzojë Ramën me të cilin nuk do shkonte në zgjedhje. Ajo ka akuzuar aleatët ose njerëz të saj për vrasje dhe krime. Më pas ajo i harron këto dhe hyn në aleanca me ta. Opozita duket qartë se ka synim bazë ruajtjen e gjendjes, ruajtjen e statusquosë, të pandëshkueshmrisë dhe të sistemit neopatrimonialist. Ajo thjesht në rastin më të mirë kërkon të jetë vetë në krye të këtij mekanizmi. 13 vite mos reflektim, mungesë shikimi nga vetja dëshmojnë vetëm zaptimin e trupës votuese të opozitës për qëllime jo politike. Në këto kushte opozita nuk është një zgjidhje për plagën e madhe të sistemit të mbyllur.

Atëherë besimtarët nuk kanë asnjë arsye të votojnë qeverinë, një forcë shkatërrimtare e politikës, ekonomisë dhe të ardhmes. Ata nuk kanë arsye po ashtu të votojnë PD-në një forcë gjithashtu inkoherente, me projekt politik ruajtjen e gjendjes, prishjen e reformës në drejtësi dhe vijimin me njerëz të tjerë të tranzicionit.

E vetmja votë me kuptim do të ishte kundër gjendjes, pro ndëshkueshmërisë, pro asaj që po bën SPAK dhe GJKKO, pro forcave të cilat nuk janë pjesë e trashëgimisë 35 vjeçare (ndoshta trashëgimi ramiziste). E vetmja votë e drejtë do të ishte ajo për dikë nga partitë e vogla. Kjo do të ishte sadopak një votë në anën e të mirës në kuptimin që refuzohet e keqja që ka kapur për fyti vendin dhe nuk lejon askënd ta kërcënojë./liberale.al

Exit mobile version