Cilët janë 23 pjesëtarët e ‘bandës’ Rama, që do të tentojnë grabitjen e 25 Prillit

Për Edi Ramën që shkel Kushtetutën, marrëveshjet politike dhe ligjet e shtetit sistematikisht, nuk është ndonjë “mëkat” prishja e çdo “ligji” brenda Partisë Socialiste siç bëri së fundmi me statutin e PS-së.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë, ai kërkoi dhe vendosi që kryesia e partisë të kishte edhe 1 vit mandat shtesë, duke shkelur kështu hapur statutin i cili parashikonte zgjedhje në mbledhjen e djeshme të Asamblesë. Ndërkohë për Sekretariatin e partisë, priten disa ndryshime të vogla sipas deklaratave të Ramës, por Ilir Beqja është i sigurt që nuk lëviz nga posti i Sekretarit për Koordinimin e Këshillave të Rajoneve.

I pyetur nga gazetarët për këtë shkelje, Rama u justifikua se, “Kryesia është gjëja e fundit që më shqetëson në këtë moment dhe shtrirja e mandatit të Kryesisë na lejon që të kemi fokus tek njerëzit dhe jo thjeshtë te vetja”.

Faktikisht ai nuk është i lirë që të bëjë zgjedhje në kupolën e Partisë Socialiste përpara zgjedhjeve, sepse të gjithë individët aktualisht anëtarë të kryesisë, janë njëkohësisht njerëzit me të cilët ai ka qeverisur në këto 8 vite korrupsion të organizuar.

Janë ata me të cilët ka bërë skemat e koncesioneve, qindra tenderëve abuziv dhe ka që i dinë “letrat” njëri-tjetrit.

Janë ata të cilët kanë dalë në përgjimet e publikuara nga BILD për vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017, të cilat shpreson që t’i ripërsërisë në të njëjtën mënyrë dhe me çdo kusht.

Por cilët janë emër për emër dhe çfarë përfaqësojnë 23 pjesëtarët e `bandës` Rama, që do tentojnë grabitjen e zgjedhjeve të 25 Prillit?

Shefi i madh, Edi Rama
Koka e organizatës “Rilindja”, e cila për 8 vite rresht ngriti në sistem korrupsionin dhe vjedhjen e parave të taksapaguesve shqiptarë. Njëkohësisht ai është edhe ideatori dhe frymëzuesi i kthimit të vendit në një nga bazat më të mëdha të krimit të organizuar në Europë, sipas raporteve të DASH dhe agjencive të tjera inteligjente të huaja. Shefi i madh, koordinatori dhe urdhëruesi i të gjithëve këtyre që do të paraqesim më poshtë.

Taulant Balla
Vegla kryesore e `kokës- Rama`, jo vetëm në parti, por edhe si ndërlidhës me krimin e organizuar dhe të ashtuquajturit “biznesmenë të mëdhenj” të cilët pastrojnë paratë e krimit nëpërmjet punëve publike dhe ndërtimeve të shumta jo vetëm në kryeqytet.
Një nga lidhjet e faktuara të Ballës me segmente të krimit, nga media dhe opozita, është ajo me Edmon Begon, ish-eksponent i rëndësishëm (financieri) i organizatës së Aldo Bares dhe i dënuar në Itali për trafik droge.

Gramoz Ruçi
Njeriu “hije” që është në krye të Kuvendit të Shqipërisë, por faktikisht që tërheq edhe frerët e strukturave të PS-së dhe mban balancat e klaneve brenda partisë.

Gramoz Ruçi shënjon edhe një rekord, përsa i përket Europës post-komuniste, pasi Edi Rama ka vendosur si Nr. 2 në hierarkinë e shtetit “demokratik shqiptarë”, një ish-sekretar të parë rrethi të Partisë (komuniste) së Punës, ish-anëtar i Komitetit Qendror të PPSH dhe ish-ministër i Brendshëm në fund të regjimit.

Ditmir Bushati
I përdorur, flakur e i rimarrë herë pas here sipas humorit dhe punëve specifike të Ramës pranë “oxhakut të pushtetit”.
Nëse nuk do të ishim në kohë zgjedhjesh me shumë gjasa, Edi Rama, do ta kishte flakur të parin Ditmir Bushatin. Por ky i fundit përfaqëson në Shkodër një klan të konsoliduar socialistësh, të cilët nuk duhen zemëruar për zgjedhjet e 25 Prillit.

Eglantina Gjermeni
Ushtare e bindur e Edi Ramës, no koment.

Vangjush Dako
Përveç “mosprishjes së unitetit” në prag të zgjedhjeve, një nga arsyet e trukut të Ramës për të mos prekur kryesinë e partisë edhe 1 vit është Vangjush Dako, për të cilin ka thënë se edhe nëse futet në burg, ai nuk do ta braktisë kurrë.

Lidhja e Dakos ose siç njihet gjerësisht si “mbreti i betonit” me Edi Ramën është sa e fortë, aq edhe “misterioze”. Sipas mediave dhe opzitës Dako është “bankomati” i Ramës, jo vetëm sa herë që ka zgjedhje lokale dhe të përgjithshme.

Gjithashtu, siç doli nga përgjimet e BILD, ai është edhe një nga ndërlidhësit më të besuar mes kryeministrit dhe krimit të organizuar jo vetëm në Durrës.

Ndryshe nga rekordi i Gramoz Ruçit, ai i Dakos është, se partia qeverisëse e një vendi, anëtar i NATO, ka në kryesinë e saj një individ që është futur në “listën e zezë” të SHBA, ku bëjnë pjesë eksponentë botërorë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Fatmir Xhafaj
Përfaqësues i një klani të fuqishëm brenda PS-së, i cili herë pas here “hedh vickla ndaj “Rilindjes” dhe vetë Edi Ramës. Ish-ministër i Brendshëm pas Tahirit, u hoq me detyrim përcaktim nga ndërkombëtarët pas skandalit të të vëllait me disa emra, i cili ndërkohë që ishte i dënuar si trafikant droge në Itali, bënte biznesmenin e ndërtimit në Shqipëri dhe vazhdonte njëkohësisht `aktivitetin` e vjetër.

Valentina Leskaj
Mjafton që bizneset e familjes dhe tenderat me punë publike të ecin mirë dhe zëri i saj nuk ndihet duke qenë gjithmonë ushtare e bindur!

Niko Peleshi
Një nga eksponentët kryesorë në mandatin e parë të qeverisë Rama, por i spostuar në të dytin për arsye ende misterioze.

Peleshi nga kryetar i bashkisë së Korçës u katapultua zëvendëskryeministër, duke firmosur në vend të Ramës për mjaft vendime të dyshimta të qeverisë. Pasi ngeli pa asnjë post qeveritar në mandatin e dytë, ai është shfaqur me profil të ulët politik dhe i tërhequr. Por pavarësisht nga marrëdhëniet e tyre, ai i duhet Edi Ramës edhe për 25 Prillin, pasi përfaqëson një klan të fuqishëm financiar e biznesesh, por dhe të botës së nëndheshme sidomos në qarkun e Korçës.

Lindita Nikolla
Edhe kjo një ushtare e bindur dhe madje “kamikaze” e Edi Ramës. Është e lumtur edhe kur e bëjnë ministre edhe kur e heqin. Do të mbahet mend si një nga mashat kryesore të Ramës në shkatërrimin e arsimit shqiptarë dhe klinetelizimin e tij.

Evis Kushi
Kukulla e re e Ramës në krye të ministrisë së Arsimit, e vendosur në vend të eksperimenti të dështuar Besa Shahini.

Ende e paprovuar, por e ka nisur me këmbë të mbarë garën me gratë e tjera të partisë, se kush e kush më shumë i bën fresk `Skënderbeut Rama`, madje me gjithë kalin.

Ky i fundit shpreson se Kushi do të jetë ambalazhi i bukur i Qazim Sejdinit dhe organizatave kriminale në Elbasan, për zgjedhjet e 25 Prillit.

Erion Veliaj
Çfarë të thuash për “Lali Erin”?!
Shkatërroi në mënyrë të pakthyeshme Tiranën dhe perspektivën e saj, duke e shndërruar kryeqytetin e Shqipërisë në lavatriçen kryesore (Raportet e ndërkombëtare) të parave të krimit të organizuar ndërkombëtarë, nëpërmjet ndërtime gjigante dhe në kurriz të parqeve dhe zonave historike.

Gjithashtu e ka shndërruar Tiranën në një qyet ku mbretëron stresi dhe kaosi, nga trafiku i tmerrshëm dhe shërbimet mizerabël në transportin urban, ujin e pijshëm etj.

I lidhur direkt me biznese të dyshimta të cilave u jep në mënyrë abuzive qindra tenderë në kryeqytet, Veliaj, përveç përkrahjes së Ramës suportohet edhe nga lobe ndërkombëtare.

Mbi të gjitha ai do të mbahet mend si vegla kryesore e Edi Ramës, për prishjen e Teatrit Kombëtarë dhe qindra leje ndërtimi të dyshimta. Pavarësisht se Veliaj hap sistematikisht fjalë, se do të jetë pasardhësi i Ramës në PS, me shumë gjasa humbjen më spektakolare kjo parti në zgjedhjet e 25 Prillit, do ta ketë pikërisht në Tiranën e “Lali Erit”.

Damian Gjiknuri
Një nga më të besuarit e Ramës për çështje aferash gjigante dhe i provuar si i suksesshëm, për të krijuar “tërmet” në periudha zgjedhjesh.

I kapur në flagrancë nga përgjimet e shërbimeve të huaja inteligjente të botuara në gazetën “Bild” ku shfaqet si organizator dhe pagator i zgjedhjeve lokale në Dibër dhe në vitin 2017, njësoj si Vangjush Dakon, deri më tani, Rama, ka mundur që ta mbajë larg organit të akuzës.
Gjiknuri njihet gjithashtu edhe si përgjegjës i skandalit financiar të Unazës së Re që mbërriti deri në SHBA dhe tentativën e transferimit të dhjetëra milion eurove në vendet offshore.

Në krye të ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës për një kohë të gjatë, Gjiknuri, është një nga kapitujt kryesor të dosjes së miliarda eurove të grabitura nëpërmjet koncesioneve dhe punëve publike, nga 2 qeveritë Rama.

Blendi Klosi
Nga të paktët socialistë, që Edi Rama ka gjetur dhe ka mbajtur në forumet drejtuese të partisë. Me natyrën e tij “as mish, as peshk” dhe urtë e butë, Klosi ka mundur që të mbijetojë si ministër i Turizmit. Edhe pse është përfolur se do të largohet nga kjo detyrë, Edi Ramës i duhet edhe në këto zgjedhje si përfaqësues `i socialistëve të vjetër dhe të vërtetë`

Erion Braçe
No koment, ky shkrim nuk është satirik!

Armando Subashi
Ish-kryetari i gjykatës, Armando Subashi, prej 2 mandatesh kryetar bashkie, është një figurë kyçe e planeve të Ramë për zgjedhjet e vitit 2020 në zonën e Fierit.

Njësoj si me Vangjush Dakon, Rama është i kënaqur me rolin e tij si ndërmjetës i bizneseve dhe eksponentëve të botës së nëndheshme, te të cilat kryeministri ka shpresën e vetme, për të nxjerrë sa më shumë mandate në Fier

Arben Ahmetaj
Ose i ashtuquajturi; “Tigri”.
Thuhet se këtë epitet fillimisht e ka marrë si gjuetar i paepur i “seksit të dobët”, por me kalimin e kohës pasi qëndroi për një kohë të gjatë në krye të financave të vendit, të cilat u drejtuan drejt llogarive të një grushti biznesmenësh dhe pasi u bë sërish “ministër i Fatkeqësive” pas tërmetit dhe pandemisë, epitetin “Tigër” e ka më së shumti për `çështje leku`.

Milioner në euro që pa u bërë ministër i parave në qeverinë Rama, Ahmetaj akuzohet nga opozita dhe media jo vetëm për koncesionet korruptive në përgjithësi, por edhe si i përfshirë direkt në skandalin e madh të inceneratorëve.

Olta Xhaçka
Prurje tipike e Rilindjes dhe lidhje direkte e Edi Ramës.
Përveçse “ushtare e bindur” si ministre e Mbrojtjes, Xhaçka, u akuzua gjatë kohës së pandemisë edhe për afera dhe tenderime abuzive.

Pandeli Majko
Vazhdon që t’i mbushë mendjen vetes se është ende “socialist”, por publiku dhe veçanërisht Edi Rama e konsiderojnë vetëm si “humorist”!

Vasilika Hysi
Ushtare e bindur e Rilindjes. Ka humbur edhe atë individualitet dhe integritet, që kishte në kohën që përfaqësonte shoqërinë civile.

Ermonela Valikaj Felaj
Ushtare që përdoret me dëshirën e saj, sa herë ka nevojë Rama!

Ulsi Manja
Një figurë tipike e përpunuar si baltë nga “Rilindja” edhe Edi Rama. Një përzierje e mediokrit, kamikazit, hileqarit, partizanit dhe siç tashmë e thonë me zë të lartë edhe në PS; skuth me shumë fytyra.

U përdor dhe vazhdon nga Edi Rama, për të bërë protagonistin e asaj çorbe që po shohim sot në Reformën në Drejtësi; emërimin skandaloz të kryeprokurores Arta Marku, ndërhyrjeve të paprecedenta në procesin e Vettingut, “qen sulmi” në media…

Ulsi Manja gjithashtu është pjesë e grupit të organizuar që ra në rrjetën e përgjimeve, për blerjen dhe tjetërsimin e zgjedhjeve, botuar nga media e madhe gjermane “Bild”.
/Syri.net

Artikulli paraprakShtohen rastet e infektimit të mësuesve me Covid-19
Artikulli tjetërOperacioni i bujshëm/ Zëri i Amerikës citon mediat hele: 1,2 ton marijuanë nga Shqipëria u sekuestruan në Greqi